Daviet: Franca nuk njeh azilin për kosovarët
Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi ka pritur ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet për të diskutuar për migrimin e paligjshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në këtë takim u tha se informata e kohëve të fundit, gjoja se Franca njeh automatikisht të drejtën për azil për qytetarët e Kosovës nuk është e saktë dhe nuk përputhet fare me realitetin.
Në këtë takim u tha se Qeveria Franceze është në procesin e ndryshimeve të legjislacionit që ka të bëjë me azil, që do favorizojë veçanërisht procedurat e përshpejtuara të shqyrtimit të aplikacioneve, në veçanti ato të pabazuara (që është rasti me shumicën e aplikimeve për azil nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës).
Me rastin e refuzimit, kthimet do jenë poashtu të përshpejtuara.
Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të evitojnë të bien viktimë të grupeve individësh që organizojnë trafikimin e migracionit të paligjshëm dhe të paguajnë atyre shuma të mëdha parash, të marrin rrugën e panjohur dhe të përfundojnë në qendrat e ndalimit në vendet evropiane.
Policia e Kosovës ka arrestuar një numër të konsiderueshëm të personave që merren me krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.
Kjo luftë kundër kësaj forme të krimit të organizuar u tha se do të vazhdoj me prioritet të lartë.
Sipas tyre, mbi të gjitha, migrimi i paligjshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ka ndikim negativ të drejtpërdrejtë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të procesit të integrimit Evropian të Kosovës.