Politika

COVID-19/ Shqipëria të njëjtat masa si vendet e BE-së/Soreca: Përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë sukses

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca deklaroi se sot pritet të mbërrijnë pajisjet mbrojtëse nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, ndërsa shtoi se Komisioni Europian pritet të hartoi një plan ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë një interviste televizive, Soreca u fokusua edhe te Java e Europës, një aktivitet i përvitshëm që organizon Bashkimi Europian.

“Sigurisht, që kjo javë do të jetë disi ndryshe krahasuar me vitet e shkuara. Ne jemi mësuar që gjatë kësaj jave të festojmë në sheshe dhe në zona publike, por për shkak të situatës, këtë vit, kjo javë do ketë aktivitete me anën e rrjeteve sociale. Ne dëshirojmë të arrijmë te të gjithë, ashtu siç kemi parë kohët e fundit në ato momente solidariteti. Motoja që ne kemi zgjedhur këtë vit është: “Më të fortë së bashku”. Arsyeja që kemi zgjedhur këtë moto është se ne dëshirojmë që të festojmë atë solidaritet, jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe ndihma që Shqipëria i dha Europës dhe anasjelltas. Ne duam të tregojmë këtë frymë solidariteti, i cili ka ndodhur në terren çdo ditë. Ne duam të sjellim në shtëpinë e shqiptarëve dhe të qytetarëve europianë, 18 artistë nga BE dhe Shqipëria nga 14 vende gjithsej”,- thekosi Soreca.

Sa i takon anëtarësimit, Soreca tha se pandemia ka ulur ritmin, por objektivi mbetet konferenca e parë ndërqeveritare.

“Ka qenë e pashmangshme, që pandemia të ngadalësonte ritmin e të gjitha punëve që po bëhen për anëtarësim. Ne dimë se puna po fillon sërish. Pas dy ditësh, do të takohet komisioni i reformës zgjedhore, ndërsa takimet do të vijojnë tashmë. Ne inkurajojmë qeverinë që të hartojë atë plan veprimi, në mënyrë që të përmbushen të gjitha kushtet që janë identifikuar nga Këshilli. Pas një muaji, Komisioni Europian do të nxjerrë edhe raportin vjetor për Shqipërinë. Objektivi është që ne të mos humbasim kohë, të arrijmë te ajo pikë që do të jetë konferenca e parë ndërqeveritare”,- thekson Soreca.

Duke folur për masat e marra nga qeveria në përballje me pandeminë, Soreca u shpreh se janë në të njëjtën linjë si ato në BE.

“E kam ndjekur nga afër këtë çështje. Jo vetëm në cilësinë time si qytetar që jetoj këtu, por edhe si ambasador i BE-së kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përfshirë këtu edhe qeverisjen vendore. Masat e ndërmarra janë në përputhje dhe në të njëjtën linjë me ato masa që janë marra edhe në shtete anëtare të BE-së, nga izolimi deri te nevoja që u pa për të mbushur një boshllëk në Kodin Penal. Dëshiroj të përgëzoj të gjitha autoritete dhe institucionet shqiptarë për bashkëpunim që kanë pasur gjatë gjithë kësaj kohe gjë që ka sjell sukses”.

“Ka qenë e qartë se Komisioni ka reaguar menjëherë si institucion, që në muajin e parë. U shpalos një plan shumë i rëndësishëm ekonomik. Italia ka hyrë tashmë në fazën e dytë. Objektivi i BE është të ndihmojë shtetet të dalin nga kriza ekonomike. Po ashtu, BE ka dhënë asistencë ekonomike edhe për vendet e jo anëtare të BE-së. Komisioni Europian do të shpalosë një plan investimi, një plan ekonomik për Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë”,- nënvizoi Soreca.

“Po ashtu më lejoni të them dhe diçka tjetër. Pavarësisht planit makro, ne nuk harrojmë detajet e jetës së përditshme. Sot pritet të arrijë në Tiranë një ngarkesë e madhe me pajisje të mbrojtjes personale, 110 mijë doreza, mijëra litra pastrues duarsh, maska me mijëra. Në momentin që Shqipëria do të kalojë në fazën e dytë, duhen patjetër dhe këto masa mbrojtëse për të mos pasur një rishpërthim të pandemisë”,- tha Soreca.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button