Dako: Qeveria, projekte për mbështetjen e Durrësit në nxitjen e punësimit
Nga zona e Shkozetit, kandidati i majte për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi se në muajt janar-shkurt të vitit të ardhshëm të gjitha blloqet e banimit do të rikualifikohen për të vazhduar me lyerjen e fasadave.
Në takimin me banorët e lagjes 14 në Shkozet, kandidati socialist ka deklaruar se mandati që vjen pas këtyre zgjedhjeve do të ketë në qendër të punës rritjen e cilësisë së shërbimeve, rritje të fondeve për familjet në nevojë dhe vazhdimin e investimeve në infrastrukturën e zonës.
Dako deklaroi para banorëve se “në muajt korrik-gusht, pas një viti, zona e Shkozetit dhe gjithë Durrësit do të ketë tre herë më shumë ujë të pijshëm. Projekti për ndërtimin e linjës së re të ujit dhe stacionit të pompimit në vendburimin në Fushë-Milot nis që këtë vit, dhe në përfundim të tij, zgjidhim një herë e mirë problemin e furnizimit me ujë”.
Sakaq, ai shtoi se kryeministri Rama ka premtuar se do të mbështesë me projekte të ndryshme për nxitjen e punësimit dhe krijimin e klimës lehtësuese për bizneset e të gjitha llojeve.