Dako takim me banorët e Plazhit: Për një muaj mbyllim kanalin
Në shtator nis investimi tjetër për rikualifikimin e gjithë zonës së bregdetit
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane Vangjush Dako ka parë nga afër investimin që ka nisur në zonën e Plazhit për mbylljen e kanalit të hapur. Investimi ka nisur tek Ura e Dajlanit dhe do të shtrihet në një gjatësi prej 1 km për pastrimin e tij, vendosjen e tubacioneve prej betoni për ujërat e bardha dhe të zeza. Kryebashkiaku Dako në bashkëbisedim me banorët e kësaj zone ka deklaruar se për një muaj mbyllet plotësisht kanali i hapur, ndërsa më pas nis puna për ndërtimin e rrugës sipër tij. Kanali në fjalë prej vitesh ka qenë shqetësim i banorëve të zonës së Plazhit, por në përfundim të projektit zona do të ketë një përmirësim të dukshëm në lidhje me infrastrukturën e saj. Tombinot që po vendosen në mes të kanalit do të përcjellin ujërat e shiut dhe ujërat e zeza të zonës së banuar nga rruga kryesore Ura e Dajlanit-Plepa në drejtim të shinave të trenit. Më pas ato lidhen me kolektorin kryesor të ujërave të zeza tek Ura e Dajlanit dhe përfundojnë në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash. Pas mbylljes së kanalit rruga e re do të ndërtohet me dy korsi, nga 3 metër secila dhe trotuare nga të dy anët 2 metra të gjerë.
Kryebashkiaku Dako ka ecur në këmbë nga zona ku ka mbërritur investimi deri në rrugën “Andon Boshnjaku”. Para banorëve Dako ka thënë se në muajin shtator nisin punimet për një investim tjetër të rëndësishëm të kësaj zone. “3.5 milion dollarë nga ka dhënë qeveria shqiptare për një projekt të rëndësishëm për zonën tuaj dhe në shtator nisin punimet. Të gjithë daljet drejt detit do të rikaulifikohen dhe aty do të ndërtojmë rrugë, shëtitore, parqe, lulishte dhe kënde lojërash për fëmijët”. Projekti në fjalë ka parashikuar që përgjatë rrugës Ura e Dajlanit-Plepa të ulet edhe numri i automjetev që do të lëvizin në këtë aks. Pas përfundimit të rrugës që po bëhet sipër kanalit të hapur, në segmentin nga Ura e Dajlanit deri tek Canal Grande rruga do të funksionojë sic është aktualisht, ndërsa nga aty deri tek Iliria, rruga do të ngushtohet. Lëvizja e automjeteve do të funksionojë vetëm në gjysmën e saj, ndërsa gjysma tjetër do të përdoret tërësisht si shëtitore për banorët e zonës dhe turistët në sezonin veror.
Zona e plazhit do të përfitojë edhe dy investime të tjera të rëndësishme gjatë kësaj vjeshte. Në muajin shtator nisin punimet për ndërtimin e rrjetit sekondar dhe tercial të ujërave të zeza, investim i Bankës Botërore me vlerë 4 milion euro dhe që shtrihet në zonën nga Ura e Dajlanit deri në Shkëmbin e Kavajës. Nga ana tjetër ndërmarrja e Ujësjellës Kanlizime pret akordimin e fondit për ndërtimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën e Plazhit, pasi projekti ka përfunduar para një viti dhe është miratuar nga qeveria