Kosova

Danas: S’ka fakte për trafikim organesh, s’ka aktakuzë ndaj Thaçit

danas-s-rsquo-ka-fakte-p-euml-r-trafikim-organesh-s-rsquo-ka-aktakuz-euml-ndaj-tha-ccedil-it_hdNuk ka fakte për trafikim organesh, krim të organizuar apo në përgjegjësinë komanduese të ish Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në raportin e Williamson-it, bënë të ditur gazeta Serbe Danas duke u thirrur në burimet e saja nga Brukseli.

Po ashtu, sipas kësaj gazete, mungesa e këtyre fakteve për përgjegjësinë komanduese do të thotë edhe se ndaj kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka qenë edhe udhëheqës politik i UÇK-së, nuk do të ngritët aktakuzë.

Në fokus të prokurorëve ndërkombëtarë, sipas burimeve të saj, do të jenë pretendimet për krimet e pandehura në Radoniç, Zoqishtë, Bellaqevc dhe Kleçkë.

Por, nuk ka fakte se ka pasur tregti me organe njerëzore në Kosovë, për krim të organizuar e as për përgjegjësi komanduese të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, thuhet në raportin e Prokurorit special Clint Williamson, mëson kjo e përditshme nga burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas fjalëve të bashkëbiseduesve të “Danas”, Williamson, megjithatë, ka gjetur mjaft fakte për të ngritur aktakuza kundër “gjashtë deri dhjetë” ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte kundër civilëve serbë.

Po sipas kësaj gazete, këto krime kanë ndodhur në zonën e liqenit të Radoniçit, në Kleçkë, në Zoçishtë dhe në Bellaqevc.

“Disa nga të dyshuarit janë politikanë të lartë në Kosovë, ndërsa akuza kundër tyre janë ngritur edhe më herët”, thonë burimet e gazetës “Danas”.

Kur është fjala për trafikimin me organe, vlerësohet se kjo pjesë e raportit të Raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dick Marty, mbi të cilin edhe janë bazuar hetimet e Williamson, ka qenë “tepër e zbehtë”.

Gjithashtu, fakti që nuk është vërtetuar përgjegjësia komanduese e kreut të UÇK-së nënkupton se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-lideri politik i UÇK-së, nuk është i dyshuar.

“Danas” mëson se Bashkimi Evropian do të ndajë edhe rreth 300 milionë euro për formimin e Gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë, që do të fillojë punën vitin e ardhshëm.

“Gjyqi do të funksionojë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ndërsa rastet do të udhëhiqen nga ndërkombëtarët në një seksionin të gjykatës speciale në Hagë, ndërsa parlamentet e Holandës dhe të Kosovës duhet të japin autorizimin për këtë. Parashihet që në të, të punësohen rreth 150 gjyqtarë, prokurorë, hetues dhe ekspertë ndërkombëtarë, si dhe që rastet e hapura të mbyllen deri më 2020”, thonë burimet diplomatike të “Danas-it”.

Prokurori Clint Williamson, dje është takuar me kryetarin e Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vucic, në Beograd.

Kryeministri serb ka theksuar se raporti i Williamson-it do të jetë shumë i rëndësishëm për Serbinë.

Ai në takim me Williamson-in ka thënë se raporti do të vërtetojë se institucionet e Bashkimit Evropian dhe të bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi ishin objektive në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe në tërë territorin e ish-Jugosllavisë.

Clint Williamson u është falënderuar organeve të drejtësisë së Serbisë për bashkëpunimin shumë të mirë dhe efikas gjatë hetimeve.

Rezultatet e hetimeve nuk i ka përmendur as Aleksandër Vucic e as Clint Williamson.

Sipas kësaj të përditshme, Williamson nuk ka dashur të komentojë spekulimet e mediave në Prishtinë për atë se çfarë thotë raporti përderisa raporti të mos jetë publik.

Në anën tjetër, Prokurori për krime lufte i Serbisë, Vladimir Vukçeviq, dje ka deklaruar se Prokuroria serbe ka mbledhur mjaft fakte që ka pasur krime lufte.

Ai ka thënë se ekipit të Williamson i është dorëzuar material i mbledhur nga 400 dëshmitarë, që sipas KP, lenë të kuptohet se shumica e këtyre aktakuzave do të jetë edhe në bazë të “fakteve” që do të sjellën nga Serbia.

Sipas fjalëve të prokurorit serb Vukçeviq, Prokuroria ka gjetur se ka pasur krime, gjegjësisht se viktima të tregtisë me organe kanë qenë 300 persona joshqiptarë e të cilët ende konsiderohen të pagjetur.

“Kemi vërtetuar kryerjen e veprave kriminale të krimeve të luftës, por nuk kemi arritur deri tek kryesit pasi na është pamundësuar puna në terren”, ka thënë Vukçeviq, i cili ka shtuar se tani është koha që të merret vendimi se a do të ngritën aktakuzat apo do të hiqet dorë nga hetimet.

Ish-zëdhënësja e Tribunalit, Florance Hartman, i ka thënë “Danas-it” se për seriozitetin e raportit mund të flasim vetëm kur ai të jetë publik.

“Ka pasur tepër shumë kontradikta dhe spekulime, prandaj ka qenë i nevojshëm hetimi. Williamson ka qenë në Prishtinë dhe në Beograd që të njoftojë zyrtarët që hetimet kanë përfunduar dhe i ka përgatitur për publikimin e rezultateve. Kur raporti të jetë në dispozicion të opinionit publik, do të mund të komentojmë se sa serioz është ai raport”, ka thënë Hartman.

Ajo shton se deri tash ajo që mund të thuhet me saktësi është se janë vrarë njerëz dhe se ka shqiptarë dhe serbë ende të pagjetur, prandaj raporti do të duhej të merret edhe me fatin e tyre e jo vetëm me rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e verdhë”.

“Është më pak e rëndësishme se a janë vrarë për trafikim organesh apo diçka tjetër. Çdo krim i luftës duhet të hetohet dhe kryesit të ndiqen. Shpresoj se hetimi i Williamson-it nuk ka qenë i përqendruar vetëm në trafikimin e organeve njerëzore, sepse kështu minimizohen krimet tjera”, tërheq vërejtjen Hartman.

Ajo shton se rasti është politizuar, sepse sytë e opinionit publik dhe të politikanëve janë fokusuar vetëm në “Shtëpinë e verdhë”, ndërsa me të pagjeturit askush nuk merret.

Të hënën Williamson ka qëndruar në Prishtinë ku është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, atë të FSK-së dhe të Drejtësisë, përkatësisht me Bajram Rexhepin, Agim Çekun dhe Hajredin Kuçin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button