Debate në Konferencën e Kryetarëve për protestën, opozita kërkon mocion me debat, mazhoranca kundër. PD: S’përfaqësojmë protestuesit, por dëgjojmë kërkesat e tyre
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës, pas kërkesës së Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me protestën dhe kërkesat e qytetarëve.
Opozita kërkoi që çështja të diskutohej në Kuvend me praninë e kryeministrit, ndërsa mazhoranca nuk shprehu dakordësi. Në përfundim të mbledhjes nuk u arrit marrëveshje, dhe vendimmarrja i kaloi seancës plenare.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi se Kuvendi është “jashtë realitetit”, duke theksuar se, sipas saj, nuk mund të injorohet protesta që vijon prej 25 ditësh përpara parlamentit. Ajo tha se protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe se shqetësimet e tyre janë pasqyruar edhe në raportet e Parlamentit Europian.
“Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete. Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian. Ju e keni raportin dhe po jua citoj këtu. Është Parlamenti Europian që ka diskutuar për zgjedhjet dhe për korrupsionin. Ka diskutuar për imunitetin e Belinda Ballukut dhe ka dënuar mbrojtjen politike që ju i garantuat. Protestuesit flasin për gjendjen e vështirë ekonomike, një shqetësim që është ngritur edhe nga partnerët tanë europianë. Ata kanë folur edhe për ligje që e trajtojnë pronën publike si plaçkë korrupsioni. Keni ligjin për investimet strategjike, të cilin prej 10 vitesh vazhdoni ta shtyni. Ndërkohë, nuk keni asnjë investim strategjik të mirëfilltë, por vetëm të ashtuquajtur investitorë që janë klientët tuaj. Prandaj, dëgjoni zërin e protestuesve dhe hiqni dorë nga sulmet ndaj tyre”, tha Tabaku.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se po shmang debatin për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Sipas tij, raporti përmban kritika për korrupsionin, ligjet klienteliste dhe lirinë e medias, ndërsa mazhoranca po përpiqet të evitojë diskutimin në Kuvend.
“Ju kemi tmerr nga debati për Raportin e PE. Ju nxin ne çdo fjali. Taulant Balla vjen këtu dhe thotë të pavërteta. Është ai që në seancë ka thënë se mund të zhvillojmë një mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë edhe pa u miratuar më parë atje. Tani që raporti është miratuar, thotë se nuk mund të zhvillohet. Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin. Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni? Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund”, tha Bardhi.
Bardhi deklaroi gjithashtu se opozita nuk synon të përfaqësojë protestën, por të përcjellë shqetësimet e qytetarëve në institucione.
“Ne nuk kemi pretenduar dhe as nuk synojmë të bëhemi zëdhënës të protestës. Ne dëgjojmë qytetarët dhe përcjellim shqetësimet e tyre. Nuk jemi ne si ju, që çdo ditë fshiheni pas vrimës së çelësit dhe denigroni vajza e gra që protestojnë. Po lini nam. Ti, Ulsi, qesh sepse sheh makinat e emigrantëve, por nuk sheh makinat tuaja. Ajo që po bëni është skandaloze dhe detyra jonë është t’i dëgjojmë qytetarët. Këtë po bëjmë ne, dëgjojmë zërin e tyre dhe përdorim çdo instrument që kemi në dorë për të përcjellë shqetësimet dhe kërkesat e tyre. A e kuptoni se në çfarë absurditeti jeni? Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa askush nga ju nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë. Por ju nuk keni kohë për këtë, sepse jeni duke përgjuar pas vrimës së çelësit për të sulmuar protestuesit”, tha Bardhi.
Në debat u përfshi edhe deputetja e PD-së Ina Zhupa, e cila tha se është e papranueshme, sipas saj, të fabrikohen prova për të sulmuar protestuesit. Ajo theksoi se protesta përfaqëson mijëra qytetarë dhe i kërkoi mazhorancës të marrë në konsideratë kërkesat e tyre.
“Nuk ka rrugë tjetër për ju përveçse të merrni në konsideratë kërkesat e qytetarëve,” u shpreh ajo.
Në përfundim, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi për mocionin me debat, ndërsa çështja pritet të kalojë për vendimmarrje në seancën plenare të radhës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.