EkonomiaIntervista

Debitorë edhe pse paguan energjinë në Postë, Lazimi: Po i korrigjojmë

Nga: Ola Mitre*

Posta Shqiptare dhe OSHEE kanë ngritur një grup të përbashkët për të verifikuar çdo faturë, që ndonëse është paguar pranë sporteleve të Postës, nuk është regjistruar në sistemin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”.

Posta-Shqiptare_Zyra-e-ReDeklarata vjen nga Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, i cili siguron se në asnjë rast nuk do të ketë ndërprerje të energjisë, në rast se gabimi ka ndodhur për shkak të këtyre dy kompanive. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Lazimi bën me dije se si po bëhet ‘rimbursimi i abonentëve’ si dhe planin për të evituar raste të tilla në të ardhmen, çka konsiston në futjen e sistemit online nëpër zonat rurale.

Z. Lazimi, rreth një muaj më parë u bë publike se shumë qytetarë, pavarësisht se kishin paguar faturat e energjisë elektrike pranë Postës Shqiptare, rezultonin debitorë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Pas verifikimeve tuaja, cilat janë zonat më problematike?

Nga aksioni që nisi OSHEE-ja në kuadër të abuzimeve me lidhjet e paligjshme dhe për të mbledhur detyrimet e papaguara, doli në pah problematika e ndodhur në vitet 2007-2013. Pjesa më e madhe e problematikës ka ndodhur pikërisht gjatë kësaj periudhe, kryesisht në zonat rurale, ku pagesa bëhej dhe bëhet manualisht. Normalisht, kur Posta arkëton detyrimet e energjisë elektrike, i transferon ato në llogarinë bankare të OSHEE-së (ish-CEZ-i), por ka rezultuar që, shumë qytetarë që kanë kryer pagesat në këto vite, rezultojnë debitorë nga sistemi elektronik i OSHEE-së, sepse ish-CEZ-i nuk i ka hedhur ato në sistem (me dashje apo pa dashje, nuk e dimë).

Po me punonjësit që kishin ‘përvetësuar’ paratë e arkëtimeve, çfarë po ndodh?

Në fakt, ka edhe disa raste shumë të izoluara (5 apo 6 raste) kur punonjës të Postës kanë përvetësuar këto arkëtime. Sigurisht që ata nuk janë më punonjës të Postës dhe janë çuar për ndjekje penale. Kjo ka ndodhur nëpër zona rurale, ku arkëtimet bëhen manualisht, sepse nëpër qytete, Posta ka sistem elektronik, që në momentin e kryerjes së pagesës i shkon direkt edhe OSHEE-së.

Është deklaruar se do të merren masa në mënyrë që asnjë abonent të mos ndëshkohet për shkak të ‘mosfunksionimit’ të sistemit. Çfarë po ndodh aktualisht?

Kjo çështje është zgjidhur tashmë midis dy kompanive, të cilat kanë ngritur grup pune prej dy muajsh dhe po bëjnë rakordimet përkatëse. Posta ka vendosur në dispozicion të gjithë dokumentacionin me transfertat e kryera për llogari të tyre. OSHEE ka marrë përsipër të korrigjojë në sistem rastet kur debitorët rezultojnë si të tillë për shkak të saj, ndërsa Posta ka marrë përsipër të dëmshpërblejë debitorët që rezultojnë debitorë për shkak të saj, duke bërë pagesat respektive në llogari të OSHEE-së. E rëndësishme është që askujt nuk i është ndërprerë dhe nuk do t’i ndërpritet energjia në rast se fajin e ka njëra prej kompanive. Unë dëshiroj të theksoj se, tashmë ky është një problem i zgjidhur.

Çfarë parashikoni për të evituar situata të tilla në të ardhmen?

Ne duam që sistemin online, përveç qyteteve, ta aplikojmë edhe në fshatra, që të mos kemi më pagesa që regjistrohen manualisht. Kjo do të ndihmonte në mënyrë rrënjësore mënyrën se si është menaxhuar ky proces ndër vite dhe do të ishte një hap cilësor për të përmirësuar këtë shërbim dhe për të mos pasur më raste të kësaj natyre. Në zonat urbane ku ne kemi sistemin online, pagesa kërkon vetëm disa minuta që të reflektohet në zyrat e OSSHE-së, ndërsa në zonat rurale kemi një afat 3 deri në 5 ditë, ku praktikisht raportojmë informacionin në zyrat qendrore të OSSHE-së. Ne po punojmë fuqimisht që ta bëjmë këtë në një kohë të shkurtër.

Cila është mënyra që një qytetar duhet të ndjekë për të bërë një ankesë?

Auditimet ne i bëjmë rutinë, pothuajse çdo ditë, në çdo filial. Në raste shkeljesh merren masat e duhura, kryesisht në nivele administrative. Si rastet më ekstreme mund të përmendim rastet e fundit të ish-punonjësve që zbuluam, të cilët kishin kryer këto abuzime dhe ndaj tyre ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore. Kemi bërë padi penale dhe mendoj se do të bëjmë edhe padi civile, për të rikuperuar fondet dhe kompensuar dëmet e bëra ndaj operatorit të energjisë dhe vetë Postës Shqiptare. Nuk do të ketë asnjë lloj tolerance ndaj askujt. Ne monitorojmë vazhdimisht websitin tonë, profilin në “Facebook” dhe përgjigjemi vazhdimisht te numrat e telefonit për pyetje dhe ankesa të ndryshme, që kanë të bëjnë me dërgesat postare, pensionet, pagesat e energjisë etj. Para pak ditësh, Posta Shqiptare bëri analizën vjetore të punës të vitit 2014, sipas së cilës, bilanci ishte pozitiv.

Cili do të jetë fokusi gjatë këtij viti?

Besoj që është një vit shumë i mirë, duke pasur parasysh që viti 2013 ishte një vit me humbje për Postën Shqiptare. Gjithsesi, besojmë që ka shumë për të përmirësuar, çka do të jetë fokusi ynë gjatë këtij viti, por edhe më vonë. Ne duam të kemi një vizion të qartë se ku kemi potenciale të rritjes dhe është normale që kjo është koliposta. Rasti konkret është një potencial në rritje dhe kjo është tendencë botërore. Po të shohim dhe gjithë tendencat e postave të tjera, kudo në botë, shikohet që parashikohet që deri në vitin 2020 të ketë një rritje rreth 30% krahasuar me vitin 2014.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button