“Deeurozimi”, rritja e depozitave në euro frikëson BSH se mund të rikthehet kredia në këtë valutë
Euroizimi në Shqipëri është prezent në të dy anët e bilancit të sektorit bankar. Në anën e pasiveve, depozitat në valutë përbëjnë 53% të totalit, me një prirje në rritje prej nivelit 43% që shënonte në vitin 2008.
Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë vlerëson së rritja e euroizimit në pasivet e sektorit bankar e ekspozon sektorin bankar ndaj mundësisë së rikthimit të kredidhënies në valutë të huaj për subjektet rezidente (e cila pati dhe përkeqësimin më të shpejtë të cilësisë së kredisë) dhe ndaj investimeve në aktive jashtë vendit, e cila përforcon vulnerabilitetin e sektorit bankar dhe të agjentëve të ekonomisë reale, ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit, dhe njëherazi ngushton kanalet e nevojshme të transmetimit të politikës monetare.
Banka vlerëson se rënia e euroizimit në ekonomi ka ndikime të rëndësishme për efektivitetin e politikave ekonomike. Në drejtim të politikave makroekonomike, euroizimi ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare; kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit. si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë më të lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit dhe cenon efektivitetin e politikës fiskale, përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të strukturës së tij.
Banka Qendrore thotë se, ngushtimi i diferencës pozitive mes normës mesatare të kursimeve në lekë dhe në valutë, këtë herë ka mbështetur rritjen e kursimeve në valutë. Euroizimi i aktiveve dhe pasiveve të sektorit bankar janë të ndërlidhur ngushtë së bashku. Në përputhje me parimet dhe kërkesat për zbutjen e rrezikut të kursit të këmbimit, sektori bankar synon ruajë një pozicion sa më të balancuar në përbërjen e zërave të bilancit sipas monedhave. Rrjedhimisht, rritja e burimeve të financimit në valutë, reflektohet përgjatë kohës në krahun e aktivit.
Nga ana tjetër, kreditimi në valutë, reflektohet në detyrimet e sektorit bankar në valutë, në kushtet kur përdorimi i kredisë nga huamarrësi për kryerjen e investimeve apo blerjeve të ndryshme nga subjekte të tjera, rrit vlerën e vendosjeve të këtyre subjekteve në banka.
Pra, identifikimi i masave për të kontrolluar dhe ulur nivelin e euroizimit, përmirëson zbatimin e politikave të Bankës së Shqipërisë dhe stabilitetit financiar në tërësi, për sa kohë që i shërben uljes së rrezikut sistemik, vlerëson Banka.