Opinion

Deklarata ende e pathënë e Ramës

Nga Arben Manaj

Me përjashtim të Tiranës, ku dalin kandidatët kryesorë në fushatë, në rrethe të tjera janë kryesisht Rama dhe Basha që bëjnë fushatë për barinjtë lokalë të tufës shqiptare.

Kjo anomali bëhet akoma më e rëndë kur ata bëjnë deklarata, sa shantazhuese, aq edhe jashtë kontekstit dhe thelbit të zgjedhjeve administrative.

Kryeministri, haptazi dhe pa kokëçarjen më të vogël, praktikisht po bën presion të hapur ndaj elektoratit, duke thënë se votimi i kandidatëve të mazhorancës është e vetmja alternativë, nëse doni që qytetet dhe fshatrat tuaj të ndryshojnë në “drejtimin e duhur”.

Kjo mospërfillje ofenduese dhe injorim i inteligjencës së shqiptarëve, është akoma më e pafalshme kur vjen nga një njeri që në karrierën e vet politike në nivel lokal, ka përfaqësuar të zgjedhurit vendorë në betejën që bënte me Berishën në sfidën për më shumë autonomi lokale dhe kompetenca e frymëmarrje më të madhe për ata që shqiptarët i zgjedhin për të administruar qytetet e komunat e tyre.

Me shumë të drejtë, Mustafa Nano e ngrinte dje shqetësimin për ndarjen e qeverisjes vendore nga ajo qendrore dhe faktet e parashtruara prej tij, kanë qenë dhe mbesin shumë kokëforta dhe trishtuese për mënyrën sesi është vepruar deri më sot në marrëdhëniet mes të zgjedhurve lokalë dhe pushtetit qendror apo të fortëve të tij, edhe pas ardhjes së Ramës në krye të ekzekutivit.

Rama në thelb nuk po bën asgjë më shumë sesa bënte Berisha dhe të tijtë dikur. E kuptoj se ai do mbështesë kandidatët e partisë së tij, por fushata në radhë të parë është për platformat e atyre të cilët ai i ka përzgjedhur vetë për të kandiduar.

Rrallë po marrin vesh shqiptarët se çfarë do bëjnë kandidatët e mazhorancës me përjashtim të Veliajt që është shembulli sesi duhet të hartohen platformat.

Duket që ai ka kohë që është përgatitur imtësisht për këtë fushatë, pasi me gjithë respektin që kam për të dhe e kam shprehur publikisht, nuk besoj se brenda dy-tri ditësh a javësh, Veliaj dhe stafi i tij sado ekselentë të jenë, ka arritur të hartojnë një plan aq të detajuar për Tiranën, e kjo vërteton atë që thashë më sipër.

Por Rama si Kryeministër nuk do duhet të sillet si nënë me disa, e njerkë me disa të tjerë.

Ai është në atë post si Kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe siç ka deklaruar do të jetë Kryeministër i shqiptarëve, si për ata që kanë votuar për të në 23 qershor, ashtu edhe për ata që kanë votuar kundër.

Të paktën kjo nënkuptohet dhe deklamohet shpesh edhe pa sinqeritet, në momentet e marrjes së posteve në botën demokratike.

Ndaj Rama si Kryeministër i Shqipërisë, e para do ishte më e udhës të mos investohet aq përditshëm në fushatë, se i bie që nuk është duke bërë atë punë për të cilën është votuar në 23 qershor, ose ato punë i bën po aq lehtë dikush tjetër, ose nuk ka nevojë të bëhen, e ngeshëm merret me zgjedhjet vendore.

Rama do ketë kohë të bëjë fushatë dhe të mburret e afishoj çfarë do bëjë edhe për një mandat tjetër, kur t’i vijë radha e tij. Në këto zgjedhje nuk është radha e tij drejtpërdrejt.

Atij i takon të jetë shumë më i baraslarguar nga palët dhe të respektojë më shumë inteligjencën e shqiptarëve të thjeshtë dhe jo të abuzojë me faktin se “topi është imi, penalltinë do e gjuaj unë”.

Nuk besoj se atij i ka ardhur mirë dikur kur ishte kryebashkiak me praktika të tilla, e nuk besoj se kjo mbështetet nga europianët që merren me autonominë e  pushtetit lokal.

Ramës i mungon deklarata publike se ai do t’i trajtojë të zgjedhurit dhe të preferuarit e pushtetit vendor njëlloj, dhe dyert e tij do jenë të hapura gjithmonë për të gjithë, siç ka kritikuar ai gjatë fushatës se nuk i vijnë t’i trokasin në zyrë të zgjedhurit e opozitës për t’i kërkuar ndihmë.

Kryeministri, e para, nuk do duhet të angazhohet më me deklarata të tilla arrogante dhe e dyta, të shprehet publikisht se pas zgjedhjeve, do hapë dyert e Kryeministrisë dhe pushtetit politik, njëlloj si për Veliajn edhe Grida Dumën, si për Sejdinin ashtu edhe  për Voltana Ademin, nëse këta votohen gjithmonë.

Nuk bën vaki të shohësh asnjë Kryeministër britanik që nga Toni Bler e deri te Cameron që të angazhohet kaq shumë dhe me kaq pak elegancë në fushatat zgjedhore në Britani për zgjedhjet për pushtetin lokal, pa folur pastaj për të bërë deklarata alla Rama. Për këtë mund të këshillohet edhe me Blerin, nëse nuk beson.

Ndërkohë, edhe të zgjedhurit e rinj të opozitës do duhet të jenë më proaktive dhe më denoncues, në rast se Rama nuk do t’ua hapë derën bashkiakëve të opozitës që shqiptarët t’u besojnë edhe më pas veprave sesa fjalëve të tij.

Diferencimi i shqiptarëve është kundërproduktiv dhe i pandershëm, në thelb. Edhe në këtë drejtim lipset Rilindje, e jo zgjatim i praktikave të dështuar të paraardhësit; aq më tepër që Glover dhe ndihmësit e saj, po mbajnë shënim për raportin e zgjedhjeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button