Politika

Dekretet, Nishani: Turp! Kuvendi nisi punën me sharje dhe fyerje ndaj Presidentit

“Rama e ktheu aulën në llogore personale, jo për të zgjidhur hallet e popullit” 

NGA ARTEMISA HOXHA

rama-nishaniAkuzat në distancë për sulme ndaj institucioneve të Presidencës dhe ekzekutivit në vend duket se nuk do të shuhen për sa kohë që kreu i shtetit, Bujar Nishani, i konsideron si sulme personale ndaj tij çdo zmbrapsje të dekreteve nga ana e mazhorancës në Kuvend. Replikat e Nishanit ndaj Kryeministrit Rama, kanë vijuar edhe dje, ku Presidenti i vendit në një intervistë dhënë për ABC News, thotë se fakti i kthimit të dekreteve nuk është tregues i forcës së Ramës, por fyerje ndaj Presidentit. “Nuk është tregues as i zotësisë të shash e të fyesh Presidentin e Republikës. Tregues i zotësisë është të zgjidhësh hallet dhe problemet e qytetarëve shqiptarë. Pjesa që ka të bëjë me artikulimet verbale: për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar ndodh që një Kryeministër e shfrytëzon nisjen e sesionit parlamentar për të bërë një gjyq publik ndaj Presidentit të Republikës. Shqiptarët panë se si Kryeministri i vendit të tyre, i cili presupozohet që duhet të punojë nga mëngjesi deri në darkë për të zgjidhur hallet dhe problemet e shumta të qytetarëve shqiptarë, e shndërroi foltoren e Kuvendit në një llogore personale për të adresuar sharje dhe fyerje ndaj Presidentit”, thotë Nishani. Duke theksuar se në këto dekrete ai ka mbrojtur Kushtetutën, kreu i shtetit i konsideroi projektligjet si projekte të qeverisë, të cilat nuk kanë asnjë prioritet për reformat e ndërmarra nga ekzekutivi. “Nuk kam bërë asgjë tjetër edhe në rastin e këtyre dekreteve, përpos ushtrimit të detyrës sime kushtetuese. Dhe në rastin konkret nuk ka asnjë goditje ndaj ndonjë prioriteti apo ndonjë reforme, për arsyen e thjeshtë se nuk kemi ende një reformë, nuk kemi të bëjmë me asnjë projekt konkret të reformave të cilat diskutojmë. Por përmes atyre akteve, Presidenti ka denoncuar mosrespektin nga ana e Kryeministrit të vendit ndaj Kushtetutës. Kam denoncuar mosrespektin e Kryeministrit të vendit ndaj gjithë atyre standardeve demokratike që janë arritur me shumë mund e sakrifica gjatë njëzetepesë viteve të fundit në Shqipëri”, thotë Nishani.

Opozita

Duke u ndalur në vendimet politike të partive politike në lidhje me sesionin e ri parlamentar, kryesisht tek ai i opozitës për të vijuar me bojkotin ndaj Kuvendit, Presidenti Nishani e konsideron të paarsyeshme ndërhyrjen në vendimmarrje të tilla. Madje, ai shkon dhe më tej teksa i kërkon mazhorancës gjithëpërfshirje në reforma dhe jo përjashtime të partive në opozitë. “Si President i Republikës nuk do të ishte e arsyetuar ndërhyrja në vendimet politike të partive politike, kushdo qofshin ato; qoftë e partive politike të mazhorancës dhe qoftë të partive politike të opozitës. Por në aspektin e gjykimit të përgjegjësive, pa diskutim që jam i qartë dhe i prerë që përgjegjësitë janë të mëdha si nga ana e partive politike në mazhorancë, ashtu dhe të atyre në opozitë. Bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi; kontributi me akte dhe veprime konkrete për të injektuar mirëbesimin janë elementet e domosdoshme dhe të nevojshme për të jetësuar një proces, i cili shkon i kontrolluar, i udhëhequr nga Kushtetuta, nga ligjet dhe natyrisht, i ndikuar nga interesat kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë”, shprehet Nishani.

Siguria Kombëtare

Edhe pse për një prej ligjeve të miratuara në seancën e fundit plenare të sesionit të kaluar, atë të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, kreu i shtetit nuk është shprehur për ta dekretuar, ai e konsideron atë si një dokument që s’ka qenë në përputhje të plotë me interesin publik të qytetarëve. “Ligji që ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kombëtare nuk ka pasur çështje që binin ndesh me Kushtetutën e vendit, por në gjykimin tim, nuk ka qenë në përputhje të plotë me interesin publik të qytetarëve shqiptarë”, thotë kreu i shtetit. Ndër të tjera, ai sqaron se qëndrimi më konkret i Presidentit në lidhje me këtë strategji do të bëhet në kohën që vjen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button