Dekretimi i ministrave, Meta: Do përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar në emisionin “A-Show”, ka folur për një sërë çështjesh mjaftë të rëndësishme, ku njëra prej tyre ishte dhe hapja e negociatave me Bashkimin Europian, për të cilat Meta u shpreh i shqetësuar.
“Shqetësimi im është që në këto gjashtëmbëdhjetë muaj nuk kemi atë klimë përgjegjshmërie midis aktorëve kryesorë, në radhë të parë do të thosha të qeverisë e të opozitës, dhe të funksionimit të Kuvendit për të dhënë ato garanci që kanë nevojë të gjithë qytetarët shqiptarë, ose partnerët ndërkombëtarë se Shqipëria do të mundë të çelë negociatat në qershorin që po vjen”, – u shpreh Meta.
Duke u ndalur te shkarkimi dhe dekretimi i ministrave të rinj, Presidenti u shpreh se do përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore.
“Dua t’ju siguroj që edhe në këtë rast Presidenti i Republikës do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore për t’iu përgjigjur vullnetit të kryeministrit, gjithmonë, në interes të respektimit të Kushtetutës dhe të respektimit të ministrit, si institucion kushtetues. Lidhur me pjesën tjetër, ata që janë emra të rinj, kanë nevojë t’u nënshtrohen verifikimeve përkatëse. Përsa i takon ministrit të Jashtëm do të bëj një sqarim: Mendoj se ky është një pozicion tepër i rëndësishëm dhe delikat. Çdo pozicion ministri është i tillë, por arsyet rreth përfshirjes së Shqipërisë në disa iniciativa mjaft të rëndësishme si në Trojkën e OSBE-së, etj”, u shpreh Meta.
Gjatë intervistës, Presidenti foli edhe për protestat e zhvilluara së fundmi në vend, duke theksuar se “Shqipëria ka vuajtur nga largimi nga vendi i shumë qytetarëve dhe jo nga protestat për të përmirësuar qeverisjen”.