Kosova

Demarkacioni e ka ashpërsuar gjuhën e politikës kosovare

Tema për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, sipas analistëve kosovarë, e ka përshkallëzuar më tepër diskursin politik në Kosovë, duke përdorur një gjuhë të ashpër dhe kualifikime të ndryshme në mes oponentëve të kësaj klase politike.

Analisti, Arben Ahmeti ka theksuar për Telegrafin se diskursi nuk mund të përshkallëzohet me shumë se sa është përshkallëzuar tashmë.

Sipas tij, gjatë qeverisjes Thaçi, Kosova e ka humbur traditën që skena politike të ketë konsensus për çështje të rëndësishme nacionale, duke shtuar se “fatkeqësisht humbja e kësaj kulture po mundëson që ne të mbahemi peng i çështjeve që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e qytetarit”.

“Ne kemi qenë peng i Gjykatës Speciale, tash jemi peng të demarkacionit, nesër do të jemi të asociacionit. Dhe kjo Kosovës po i kushton me vite të tëra humbje për një çështje. Nuk e kemi këtë luks sepse vendi ka nevojë emergjente për zhvillim ekonomik. Kjo qeveri duhet të shkojë dhe kjo klasë politike duhet të pensionohet që të shuhet kjo kulturë e krizave dhe t’i kthehemi qeverisjes normale”, ka theksuar Ahmeti.

Ndërsa, analisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë se është e vështirë të dihet se çfarë do të ndodhë më 1 shtator kur pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të votohet marrëveshja për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ai ka theksuar se më e mira do të ishte që të mos kalojë kjo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, dhe kështu do të binte edhe Qeveria e Kosovës dhe do të shkohej në zgjedhje.

“Ashpërsimi i gjuhës në këto situata është si pasojë se të dyja palët tentojnë të jenë në pushtet ose ta arrijnë atë. Pozita është e egër në mbajtjen e pushtetit, derisa opozita synon që t’i shfrytëzoj këto dobësi dhe të fitojë besimin e qytetarëve se ata e kanë përnjëmend angazhimin për këto kauza”, ka shtuar Spahiu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button