Demokracia ka hapin e një kërmilli
Klodian Muço
Shumë kohë më parë çmimi “Nobel” në fizikë për studimet mbi mekanikën-kuantike Max Born, shkoi te një mik i veti, një fizikan, që kishte shtëpinë në një fshat. Born vërejti se miku i vet mbas derës kishte varur një patkua. Born i thotë mikut me buzëqeshje: “Shpresoj mos të besosh që kjo do të të mbrojë nga shpirtrat?” Përgjigjja e mikut ishte “Sigurisht që jo, nuk besoj, por më kanë thënë se funksionon”.
Kjo është me pak fjalë politika shqiptare. Nuk mendoj se asnjëri nga ne, qofshim të majtë apo të djathtë, beson se politikat ekonomike dhe pjesa dërmuese e reformave të ndërmarra nga qeveria do të funksionojnë, megjithatë, në mënyrë kontradiktore, mendojmë edhe pse nuk besojmë që do të funksionojnë.
Të gjithë politikanët e vendit nuk po hezitojnë të flasin për krizë, për reforma të “mëdha”, por në mënyrë paradoksale evitojnë të flasin për realitetin. Përse kjo gjë? Sepse të evitosh realitetin shërben për interesa precize.
Le ta nisim me reformën në arsim, e cila është në një farë mënyrë një mikrokozmo në atë çfarë ka ndodhur në këta 20 vitet e fundit në Shqipëri dhe të dëshirave të munguara në periudhën e komunizmit. Të gjithë prindërit kanë kërkuar me insistim që fëmijët e tyre të mbarojnë me çdo kusht universitetin, duke harruar apo duke mos njohur shpeshherë edhe aftësitë e fëmijëve të tyre. Kjo në një farë mënyre shërbeu si katalizator në lulëzimin e mbi 40 institucioneve të Arsimit të Lartë, ku mjafton të regjistroheshe dhe ishe i sigurt se shkollën do ta mbaroje brenda tre viteve pak rëndësi kishte se i dije titujt e librave që duhet të studioje për provim apo jo.
Për më tepër disa prej këtyre IAL-ve ofronin më tepër kuota doktorature se Universiteti i Bolonjës i themeluar në vitin 1088 dhe doktoraturat merreshin me një thjeshtësi të paimagjinueshme dhe asnjë nuk ngelej, pra kaluan çdo nivel të imagjinatës.
Nga raporti i arsimit të lartë u pa se kemi rreth 20 IAL për një milion banorë, gati 8 herë më shumë se Britania e Madhe, vendi me sistemin arsimor më të mirë në botë. Nga kjo shifër kuptohet qartë se Shqipëria nuk vuan nga sasia e IAL-ve në treg, por nga cilësia e tyre. Vërtet u mbyllën disa, por që në fund një pjesë e tyre e fituan përsëri të drejtën për të vazhduar aktivitetin e tyre. Qeveria në këtë rast bëri në reformë rrënjësore duke ndryshuar gjithçka për mos të ndryshuar asgjë.
Të gjithë ata që punojnë në arsim e dinë shumë mirë se kjo reformë nuk zgjidhi asnjë problem real dhe se arsimi shqiptar është vite drite larg atij anglez. Ka akoma universitete private ku edhe pse nuk frekuenton asnjë ditë, mund ta mbarosh atë me nota shumë të mira, ku kalueshmëria në provime është 100%. Megjithatë, të gjithë preferojnë të mendojnë se u zgjidhën problemet e arsimit të lartë edhe pse nuk e besojnë këtë gjë.
Testimi i mësuesve përsëri nuk zgjidh asgjë për arsye se problem ishin emërimet në punë falë ryshfeteve dhe njohjeve politike, testimi vërtet mund të evidentojë të paaftët, por ai s’mund të zgjidhi fenomenin e korrupsionit në emërime, apo ryshfetet për të mbajtur në punë po këta mësues të paaftë.
Një problem tjetër që qeveria e re tentoi të zgjidhi ishte edhe prishja e ndërtimeve pa leje dhe atyre me leje, por që lejet presupozohen të kenë qenë jo të drejta. Shumë e bukur edhe kjo nismë po vallë i zgjidh kjo reformë problemet e vendit? Të prishësh dhe të dëmshpërblesh ndërtime me leje d.m.th. të heqësh nga buxheti qindra milionë lekë për prishjen e këtyre ndërtimeve dhe të dëmshpërblesh me miliona euro investitorët! Po vallë kush është përfitimi i shtetit nga një veprim i tillë?
Në kohë krize, e duke marrë në konsideratë hallet që ka ky vend pse vallë të çosh dhjetëra milionë euro dëm?! Pse mos të shkojnë këto lekë për të ofruar më shumë shërbime në mjekësi, për të rritur kapacitetin e spitaleve shtetërore, për të blerë më tepër lloje ilaçesh, të cilat për hir të së vërtetës i blejmë vetë kur vemi në ato dyer të mallkuara, për të bërë ndonjë rrugë dytësore, për të mbuluar ndonjë gropë apo akoma më mirë për financuar ndonjë serë në bujqësi për të promovuar prodhimin bujqësor. Unë nuk them se nuk më pëlqejnë lulishtet në qytet apo preferoj ndërtimet me vend e pa vend. Por se problemet emergjente të vendit nuk janë prishja e ndërtesave me leje që nuk kanë bukurinë e duhur. Të gjithë edhe në këtë rast mendojnë se është diçka pozitive për të pasur zhvillim ekonomik, megjithatë asnjë s’beson se prishja e ndërtimeve do të nxisë rritjen dhe se është veprimi i duhur në këtë kohë krize.
Në kohë të tilla, investitorët duhen stimuluar dhe jo dëmtuar, duhet stimuluar punësimi dhe s’duhen dëmtuar sipërmarrësit për arsye se heqin edhe ata pak të punësuar nga puna që kanë ngelur.
Një problem tjetër serioz janë pagesat për shkarkimet e padrejta nga puna që u kushtuan taksapaguesve 3.3 miliardë lekë. Është e vërtetë se reformat e duhura kanë nevojë për njerëz të aftë. Por këta drejtues që i shkaktojnë shtetit një faturë të tillë dëmi me heqje të padrejta nga puna duken shumë më pak eficentë nga ata që ikin nga puna.
Të gjithë e dinin se administrata shtetërore ishte e mbushur me militantë, nëse drejtuesit do të ishin eficientë do t’i gjenin ata në gabime e do t’i hiqnin me të drejtë duke mos i shkaktuar asnjë kosto shtetit.
Nëse vërejmë situatën e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria, në një krizë të rëndë konsumi, për të dalë nga situata e rëndë ekonomike dhe për t’i bërë ballë krizës ekonomike, është e nevojshme ndërhyrja urgjente për të stimuluar konsumin i cili mund të nxitet me anë të punësimit. Për të nxitur këtë të fundit, qeveria duhet të fokusojë energjitë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe jo në rritjen e kostove për të dëmshpërblyer ndërtimet me leje apo heqjen e njerëzve nga puna pa shkak ligjor.
Gjithashtu, në këto 25 vite tranzicion është vënë re se ky vend ka nevojë për masa konkrete dhe jo për reforma që ngelen në letër.
Demokracia e vërtetë ka hapat e një kërmilli, reformat janë më se të nevojshme në këtë vend, por këto duhen bërë në mënyrë graduale dhe në një periudhë afatgjatë. Ndoshta në periudhën afatshkurtër do ishte më e nevojshme rishikimi i shumë koncesioneve të përfolura gjatë dhe të panevojshme që ishin nënshkruar më parë. E nëse është e pamundur të realizohet revokimi i tyre do ishte mirë që të rriteshin taksat për to.
Për të konkluduar mund të them se në kohë krize më shumë se kurrë nevojiten në postet drejtuese ekspertë apo teknikë dhe jo njerëz pa eksperiencë. Vërtet të rinjtë janë më tepër energjikë, por për të përmirësuar të ardhmen nevojitet që të njohin mirë të kaluarën dhe të mos përsëriten gabimet e bëra më parë, gjë që të rinjtë e kanë të vështirë këtë gjë.