Denaj në Poznan: Bashkëpunimi rajonal rrit tërheqjen e investimeve të huaja
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2019, që po mbahet në Poznan, të Polonisë. Ky eveniment mbahet çdo vit, në kuadër të procesit të Berlinit dhe çdo vit zgjidhen qytete të ndryshme.
Në pjesën e Ministerialit të Ministrave të Ekonomisë, Denaj prezantoi arritjet e vendit tonë në fushën e ekonomisë, kryesisht në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, të cilat në vitin 2018, arritën shifrën e 1 bilion eurove. Këto sigurisht si rezultat i shumë iniciativave të qeverisë shqiptare për të nxitur investimet e huaja, si në industritë nxjerrëse, përpunuese, por edhe në industritë e tjera, atë të turizmit dhe më gjerë.
“Faktikisht jemi vendi me rritjen më të lartë të ritmit të thithjes së investimeve të huaja në vitin e kaluar si përqindje ndaj GDP-së me 7.8% dhe me një rritje nga një vit në tjetrin me 13.5%. Pra, këto janë tre shifra për të cilat vlejnë të celebrojmë arritjet e vitit të kaluar dhe kuptohet vendoset një standard për vitin korent, i cili edhe në 3-mujorin e parë tregoi një trend pozitiv. Investimet e huaja direkte arritën shifrën e 285 milionë eurove, më të larta se e njëjta periudhë e në vitin e kaluar”, u shpreh Ministrja.
Gjatë këtij takimi të ministrave të Ekonomisë u diskutua mbi klimën e të të bërit biznes, si dhe iu bë një pasqyrë e programit shumëvjeçar të akteve ekonomike në rajon (MAP REA).
Sipas Ministres, janë katër pilarë të cilët meritojnë vëmendje dhe shikohen si perspektiva të zhvillimit. “Është tregtia, investimet, është zhvillimi digital ose ekonomia digitale dhe jo më pak, por shumë e rëndësishme infrastruktura fizike, por jo vetëm e konsideruar në rrugë, por edhe infrastruktura sidomos e energjisë dhe e energjisë së pastër, ku shumë investitorë janë duke folur sot për energjinë e rinovueshme dhe shndërrimin e qyteteve tona në green citys, në qytete të pastra, jo vetëm nga ana e pastrimit të qytetit se nuk është ky konteksti, po kryesisht i përdorimit të sa më pak elementëve ndotës dhe krijimit të një hapësire për investim të energjisë së pastër dhe të rinovueshme”, tha Denaj.
Ministrja theksoi faktin se i gjithë Ballkani Perëndimor arriti në 1 Korrik dateline-in për të anoncuar “Roaming Zero”, i cili është i reduktuar dhe ka një prespektivë që në dy vitet e ardhshme shkon zero dhe është një hap i mëparshëm për t’u bashkuar tregjeve të botës digitale që sot në Evropë janë edhe “Roaming Zero”. Me këto hapa të vegjël të suksesit, besoj që edhe në fushën e tregtisë dhe në fushën e infrastrukturës dhe të investimeve të huaja për në rajon, mendojmë që ne mund të kthehemi në një rajon që jo vetëm përfaqëson 18 milionë banorë dhe është rajoni me potencialin e dytë në Evropë po ta mendojmë në kontekstin e përgjithshëm ekonomik. Besojmë që vizioni i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt zhvillimeve ekonomike dhe infrastrukturës do sjellin investitorë të huaj për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për vende të veçanta specifikisht.
Ministrja Denaj vlerësoi se ka një bashkëpunim mes gjithë vendeve të Ballkanit, ku ka një unifikim të vizionit, kjo edhe në kuadër të CEFTA-s, e cila këtë vit kryesohet nga Shqipëria. Në takimin e saj që do të mbahet në Dhjetor, pritet që Ministrat e Ekonomisë së këtyre vendeve të firmosin marrëveshje që do të lehtësojnë lëvizjen e lirë të mallrave.
Gjatë këtij Samiti Ministrja Denaj firmosi edhe dhe një marrëveshje, e cila financohet nga BEI, dhe konsiston në përfundimin dhe rehabilitimin e dy zonave, kryesisht të shtratit të lumit Lanë dhe shtrirjen e Bulevardit Bajram Curri dhe Gjergj Fishta.
“Është një shumë prej 8 milionë eurosh si kredi dhe 2.5 milionë eurosh grant e financuar nga Banka Europiane e Investimeve dhe e zbatuar nga Bashkia Tiranë. Ky investim do të përmirësojë jo vetëm infrastrukturën, por mbi të gjitha do të sjellë përsëri tërheqjen e investitorëve në këto zona dhe nuk presim vetëm investitorë të huaj. Investitorët lokal të kenë mundësi që në këto zona me një infrastrukturë të përmirësuar të rrisin dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre”, u shpreh Ministrja .
Samiti i këtij viti është i 6-ti që zhvillohet, dhe veç vendeve të rajonit, anëtare të procesit të Berlinit janë edhe Gjermania, Franca, Italia apo edhe Austria e Mbretëria e Bashkuar.