Kryeartikull

Deri ku do i bien ushkurët Reformës?

Nga Bedri Islami

Që ligjit të shumëpritur e të shumëpërfolur, dalëngadalë po i  bien të gjitha vlerat që janë pritur, kjo tani është e qartë për të gjithë. Nga një ligj i fuqishëm, përmes të cilit do të kishte shpresë për të ndëshkuar krimin, cilindo krim, financiar apo njerëzor, tashmë, dalngadalë ai po shndërrohet në një ligj kompromisi, në të cilin të dyja palët, me patericën edhe të një tjetre, po gjejnë gardhet e veta, prapa të cilit do të mbrohen deri në fund. Ndëshkimi, si duket do të jetë ende një ëndërr, të cilën, shumica qeverisëse, megjithë fjalët e mëdha paraelektorale e disi pas fitores së besimit, po e kthen në një ëndërr – ledhatuese për të gjithë ata që i qëndruan forcërisht mos bërjes së ligjit. Dhe, si duket, ata po ia arrijnë ta bëjnë këtë, pasi, si e kanë menduar me kohë, sa më fort të kundërshtojnë dhe sa më fort të hidhen përpjetë, aq më shumë do të kenë shansin të bëjnë ligjin surrogato, me frymën e shenjtë të partive dhe rikapjen edhe një herë të shtetit, si e tha edhe një deputete, “prej zhelesh”.

Në të vërtetë, si ka nisur, ky do të jetë një ligj zhelesh, një ligj që do të përplasë për tokë secilën shpresë se, në fund të fundit, do të ketë një shkallë besimi se e drejta dhe e vërteta do të triumfojnë mbi mashtrimin dhe vjedhjen. Pas rreth tri viteve, “fjalë, imzot, fjalë”, do të kemi edhe një herë, si duket, relaksimin pas shprehjes së njohur, “u mbars mali, e polli një mi”, vetëm se nuk dihet se çfarë mund të dalë prej tij. Do të jetë një pjellje, e cila as nuk do të gjuajë kënd e as nuk do të gjuhet prej kujt.

Shumica qeverisëse, sa herë që po bien fort thesit të saj të ligjit, aq herë edhe po hedh pluhur. Nguli këmbë se do të kalojë propozimet për institucionet e reja dhe bartësit e tyre me tri të pestat; opozita e solli, e përsolli, e bëri zotin Lu si një anëtar të Shqup-it, me hyrjet e daljet e tij, i bëri të gjithë partnerët të luten, me dorë në zemër, “ejani, se është i mirë ligji”, dhe kur gjithçka u mendua se u kreshpëruan dhe po flisnin shqip, nëntoka e politikës, përmes tyre, suprizoi edhe një herë. Tani doli me dy të treta. Ky është lëshimi i fundit, bubulloi shumica qeverisëse. Edhe ekspertët thanë se tani gjithçka shkoi drejt limitit të kufirit, por opozita, e cila ka ikur nga qeverisja pikërisht se duhej ndëshkuar për një mijë e një të zezat që ka bërë, tani kërkoi edhe më shumë, të ketë vendet e rezervuara. Do të thotë që partitë të jenë përsëri aty, në ato salla, në ato vendime, të luajnë përsëri si i vjen urdhri nga “rilindësit” apo si i shkel syri Shqup-i, të ketë edhe më shumë gjingjonër, krahas këtij që është; të jetë përsëri një lloj nishanlliu në presidencë që e mëshon peshoren drejt kahut politik që i takon; gjykatësit të vendosin se kush mund të qeverisë, dhe, kur e gjithë kjo ishte vërtet një çmenduri ta mendoje dhe shefi i qeverisë kishte thënë se ky ishte kufiri që nuk shkelej, njerëzit morën disi frymë.

Edhe kjo shkoi, shefi i qeverisë, si të ishte një ligj për mallin e tij ose të trashëguar tek ai, tha përsëri se për disa struktura do të ketë vende të rezervuara.

Lëshimi politik për të bërë hatanë e drejtësisë ishte bërë, nuk ishte hapi i parë dhe nuk do të jetë i fundit.

Si duket, shefi i sotëm i qeverisë , nuk ka zënë mend nga koha kur, si opozitar bëri ndryshimet drastike të Kushtetutës, duke imponuar forën e shefit të partisë, ndryshime për të cilat është penduar tani, por si gjithnjë, është e vonshme.

Problemet janë më tej se kaq: Deri ku e deri kur do të bëjë lëshimet e tij në ngjyrosjen e ligjit shefi i qeverisë, Edi Rama, në miratimin e një ligji, i cili është kushtetues në framën dhe përmbajtjen e tij. Deri ku do të ulë ushkurët qeveria? Çfarë do të sjellë ky ligj i ri, kur ndryshimet themelore që priteshin, po bien në shumicën e tyre?

Ajo që më bren përherë e më tepër është në faktin se si është e mundur që një ligj kaq të rëndësishëm, sa që e kanë quajtur historik, e ka në dorë miratimin e tij, ashtu si po ndodh, një njeri i vetëm, apo dy a tre njerëz? Si është e mundur që ky ligj u shty kaq gjatë e do të shtyhet edhe më tej, për të shkuar drejt pragut të zgjedhjeve të reja parlamentare, ku shefi i secilës parti ka veton e tij në listën e deputetëve të ardhshsëm? Mos është e gjithë kjo lojë, shtyje ta shtyjmë, për të qenë sa më afër ditës së presionit politik mbi deputetët për të kaluar një ligj, i cili, si po katandiset, nuk do të jetë as mish e as peshk? Dhe së fundi, deputetët a do të ketë dinjitetin dhe integritetin e tyre për të hedhur poshtë një ligj të cunguar, i cili, në fund të fundit do të jetë edhe amnistuesi i të gjithë krimeve që kanë ndodhur në këtë vend?

Në Shqipëri është pritur shumë nga ky  ligj. E kam shkruar që në krye të herës se pritja është po aq e madhe sa do të jetë edhe zhgënjimi. Ndëshkueshmëria është vënë poshtë tundimit të të pasuruarve rilindës; lakmia është më e fuqishme sa sa e drejta dhe e ardhmja, të cilën ata, financiarisht, e kanë siguruar edhe për brezat e ardhshëm. Opozita e sotme, e cila dua të besoj se do të jetë edhe për shumë kohë në opozitë, ka gjithë të drejtën e ditës të jetë e gëzuar nga secila thyerje qeveritare, sepse në fund të fundit, ajo vërtet humbi qeverisjen, por nuk i është prekur asnjë qime floku nga ajoqë ka përvetësuar. Përkundrazi, i ështzë shtuar, sepse lidhjet e saj oligarkike nuk ushkatërruan, vetëm se një pjesë e tyre po ndahet tani në dy gjysma, e ndoshta edhe me një shtrirje drejt pjesëzës së tretë.

Kështu si po ecën e gjithë kjo nuk do të ketë ndëshkim për vjedhjen haluçinante të Rrugës së Kombit, sepse kjo çështje përfundimisht do të arkivohet; nuk do të ketë ndëshkim serioz për Tragjedinë e Gërdecit, bile është e mundur që atë të burgosur të paktë që u sollën gjyqeve e burgjeve të qeta, të marrin edhe dëmshpërblime fullaniste; nuk do të ketë të ndëshkuar për 21 janarin, bile është e mundur që gardistët e asaj dite, megjithëse qëlluan në trupa njerëzorë të rimarrin edhe një shpërblim tjetër; nuk do të ketë ndëshskim për pasuritë marramendëse përmes koncensioneve fatale, as për koncensionet e vjetra e as për të tashmet që u kanë vënë njerëzve lakun në fytin e jetesës; askujt nuk do i trazohet prona e vënë prmes vjedhjeve; do të arkivohet rasti i gjykatësit Konomi dhe pronat e tij në bregdet është e mundur të shkojnëtek porositët e vrasësit; deputeti Xhindi do të jetë po ashtu një rast i harruar, sepse askush nuk do të përgjigjet për vrasjen e tij, vrasësit e të cilit Nishani i sotëm president dhe ministër i brendshme në kohën e vrajes premtoi se do të kapen shumë shpejt; nuk do të ketë as të akuzuar për vrasjet në tropojë, që e shfarosën lulen e rinisë tropojane, nuk do të ketë më asgjë.

Një ligj i pritur me aq ankth nga fajtorët dhe me aq shpresë nga të dëmtuarit, si duket, do të jetë një letër e zverdhur. Të jem i gabuar? Do të kisha dashur shumë, por mund të ndodhë që, edhe në këtë shkrim, të jem ende entuziast. Ushkurët e ligjit kanë filluar të bien. Pyetja është se deri ku do të bien.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button