Kosova

Dështon marrëveshja Vetëvendosje-LDK për krijimin e qeverisë: Gjithçka që u ofrua dhe u refuzua mes Kurtit e Mustafës

VV dhe LDK dështuan edhe një herë të lidhin marrëveshje, një ditë para konstituimit të Kuvendit të Kosovës.  Një parti e djathtë dhe një tjetër e majtë, kanë histori të hidhura me njëra-tjetrën, deri në kohën kur mbetën të dyja opozitë. Ndërkaq një romancë që po i shtohej intensiteti nisi kur dy partitë u zotuan se do të bashkëqeverisnin. Shumë oferta u bënë, e të gjitha gjetën refuzim.

Përparim Leka

Nuk është shkëmb, por as guralec. Kështu e përshkroi mbrëmë Albin Kurti pengesën me LDK’në që po i mbante pa marrëveshje dy partitë, VV’në, që doli e para dhe LDK’në, që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit.

Por cila është historia e përpjekjeve që LDK e VV të merren vesh?

Kur Ramush Haradinaj dha dorëheqjen në korrik të këtij viti, menjëherë filluan takimet mes kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa dhe atij të VV’së, Albin Kurti.

Bisedimet mes Mustafës dhe Kurtit vazhdonin edhe pasi që u shpall data e zgjedhjeve, dhe me afrimin e afatit për zyrtarizim të listave duhej që një koalicion parazgjedhor VV-LDK të dilte me një kandidat të përbashkët.

Kurti këtu doli me ofertën e parë zyrtare ndaj LDK’së. Ai këtë ofertë të tijën e postoi edhe në faqen e tij në Facebook. Oferta ishte e tillë: VV dhe LDK do hynin në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 6 tetorit. Kurti i ofronte LDK’së numrin një në listë, pasi që asnjëra parti nuk pranonte të lëshonte postin e kryeministrit. Kështu kush do votohej më së shumti në listën e përbashkët, do merrte edhe postin e kryeministrit.

Oferta nuk u pranua nga partia e LDK’së pasi që u konsiderua vetëm si një lëvizje politike e cila do i sillte mbështetje të madhe populiste Kurtit.

Gjatë fushatës zgjedhore Kurti ofroi postin e kryeparlamentarit për LDK’në, në rast se VV do të fitonte zgjedhjet.

Zgjedhjet e 6 tetorit përfunduan, VV doli e para me një rezultat të ngushtë ndaj LDK’së. Pas zgjedhjeve eksponentët e të dy partive treguan publikisht se kishin një marrëveshje verbale që fituesi i zgjedhjeve do të merrte postin e kryeministrit. Kështu vazhduan takimet për lidhje të koalicionit.

Përafrimi i programeve ndodhi në një kohë kur KQZ po vononte për të certifikuar rezultatet. Ajo më në fund bëri këtë me datën 7 nëntor.

Kurti deklaroi se 72 orë pas certifikimit të rezultateve do të lidhej koalicioni.

Problemet e para dolën kur Kurti dhe Mustafa u takuan për të ndarë postet. Mustafa thuhet se kërkoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilën VV’ja e kërkon që një kohë të gjatë.

LDK mbajti po ashtu qëndrimin se pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual, mandati i të cilit përfundon në vitin 2021, ajo të propozonte presidentin, e VV’ja t’ia përkrahte.

VV nuk pranonte assesi këtë ofertë, kjo edhe për faktin se LDK nuk tregonte kë do propozonte për këtë post. VV shtonte se oferta ishte e qartë: koalicion me LDK’në ose zgjedhje të reja.

Takimet e dy liderëve vazhduan. Pas çdo takimi thuhej se ishin marrë vesh që të vazhdonin takimet përsëri. LDK nuk hiqte dorë nga posti i presidentit. Kështu ata kërkonin një ndarje të barabartë të pushteteve. Sipas tyre, posti i kryeministrit është i barabartë me atë të presidentit dhe kryeparlamentarit. Po ashtu ajo kërkonte MPB’në në mënyrë që të kishte fuqi të barabartë në ministri.

Ishte thënë gjatë mesit të muajit dhjetor se tani më partitë janë marrë vesh edhe për ndarjen e ministrive por po pengonte vetëm ideja e propozimit të postit për president.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, kishte deklaruar se po të jetë nevoja LDK do të lërë marrëveshjen për president edhe pas lidhjes së marrëveshjes.

Megjithatë, Kurti doli me një video sot ku tregoi se arritja e marrëveshjes dështoi. Kurti shpalosi për publikun ofertën e fundit të VV’së për LDK’në para 26 dhjetorit.

Në këtë ofertë thuhet se VV’së, pasi që si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, e LDK’së nënkryetari i dytë, dy partitë le të bëjnë rokadën midis këtyre posteve.

“Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq Nënkryetarin e Dytë Vetëvendosje!. Kësisoj, LDK e ka Kryeparlamentarin kurse Vetëvendosje! dy nënkryetarë të Kuvendit”, bëjnë të ditur nga VV-ja.

Gjithashtu, Kurti ka kërkuar që çështja e presidentit të lihet për më vonë. Mirëpo, nëse këta insistojnë në këtë post, të ju shtohet një ministri e ajo të jetë MPB-ja. Sa i përket presidentit, ai të jetë kandidat jashtëpartiak.

“Çështjen e Presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo, nëse LDK insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: MPB, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së për kandidatin për President, bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij/saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosje!”, ka bërë të ditur Kurti.

Lideri i VV’së ka folur edhe për kërkesën e LDK’së për ndarjen e MKRS-së.

“ Sipas kërkesës së LDK, MKRS ndahet, me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq, Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe Ministrinë për Komunitete”, ka thënë ai.

Pak caste më parë, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur Kurtit.

Mustafa shkroi në Facebook se VV’ja provoi ta paraqes vetën si gjeneroze e parimore, përmes një strategjie që ta lë LDK’në fajtore.

Kreu i LDK’së ka shtuar se VV’ja duke kërkuar një ministri më shumë, në këmbim të mbështetjes së Presidentit, partia e Kurtit po kërkon më shumë hise e nuk është cështje e parimeve.

“Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë”, ka shkruar Mustafa.

Kuvendi i Kosovës pritet të konsistuohet nesër në orën 15:00, ndërsa partia fituese e zgjedhjeve, LVV’ja, ka njoftuar se aty do të shkojnë pa marrëveshje për Qeveri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button