Opinion

Dhe Rama që grindet me kryeveprën e vet

Nga ARTAN HOXHA

Kryerilindësi Rama ka nisur e vijon polemikën grindavece me Drejtësinë, kryeveprën e vet siç i pëlqen ta thotë herë pas here, të paparë në mbi një shekull shtet të Shqipërisë. Me avantazhet që i jep profesioni fjalëshumë i politikanit dhe pozicioni fuqiplotë i Kryeministrit, ai iu është turrur gjyqtarëve kolektivisht dhe po i diskrediton në sytë e vegjëlisë për oreksin e tyre të panginjshëm për paga e privilegje edhe më të larta seç i kanë, mjaft të larta aktualisht falë reformës dhe vullnetit të tij posaçërisht e që, me ç’po bëjnë e thonë, shumë i kanë edhe kaq.

Sebep formal për këtë grindje me Drejtësinë u bë çështja kushtetuese lidhur me ligjin për pagat i vitit 2023 dhe amendimin e disatëherë të ligjit për statusin e magjistratëve në po atë vit, ngritur nga dy shoqatat e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, çështje gjyqësore kjo për të cilën ata mbështeten edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Së fundmi, edhe prokurorët, përmes shoqatës përfaqësuese të tyre, mbështesin publikisht kërkesën e gjyqtarëve lidhur me pagat, përfshirë qëndrimet dhe kundërpergjigjet polemizuese të gjyqtarëve ndaj Kryeministrit.

Edhe më herët Kryerilindësi i përçmoi gjyqtarët për padinë e ngritur prej tyre në Gjykatën Kushtetuese, në thelb për kërkesën e pamerituar për rritje të mëtejshme stratosferike të pagave dhe rrezikun që ato të përcaktohen me vendime gjykatash, ndërkohë qe pagat e tyre ishin rritur ndjeshëm fill pas reformës. Ky moment përkonte me depozitimin në Parlament të kërkesës së SPAK për lejimin e procedimit me arrest të Belinda Ballukut.

Ai iu rikthye rëndshëm kësaj teme të hënën e kësaj jave dhe sugjeroi që të dëgjohej regjistrimi audio i gjithë seancës për të kuptuar më mirë se çfarë absurditetesh kishin nxjerrë nga goja përfaqësuesit e gjyqtarëve në atë seancë kushtetuese. Në shërbim të qëllimit të vet luan me termat kur thotë se vetëm SPAK-u nuk i është bashkuar lukunisë së gjyqtarëve në këtë gjyq kur asnjë gjykatë dhe asnjë prokurori e çdo niveli nuk është palë në gjyq përveçse, thjeshtë mes dy gjyqtarëve përfaqësues të një prej shoqatave njëri është  gjyqtar në apelin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në fakt, pikërisht ky veçim pa bazë dhe i pakërkuar i SPAK-ut ia demaskon edhe më qartë shkakun e vërtetë të acarimit të tij me Drejtësinë.

Duke qenë në parim fare dakord me Kryeministrin që pagat janë çështje ekskluzive e Qeverisë dhe e Parlamentit, e dëgjova të plotë seancën mbi katërorëshe në Gjykatën Kushtetuese dhe aty nuk gjeta asnjë thënie, fakt, interpretim apo qëndrim që të meritonte mëninë sarkastike të Kryerilindësit, as edhe alarmin e ngritur prej tij se mund të ndodhë hataja e se pagat e tyre gjykatësit do i caktokërkan vetë, me vendim gjykate (kushtetuese), e pra, në një rast të këtillë Kryeministrit do t’i duhet të gjejë ‘një ilaç tjetër’ për zgjidhjen e situatës.

Gjyqi kushtetues ishte mëse normal. Palët, me argumentet dhe përgjigjet ndaj pyetjeve të gjyqtarëve kushtetues ballafaquan dy kuptime të mundshme të nenit 138 të Kushtetutës, nen që përcakton se ‘Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen…’-kuptimin e ndalimit të uljes së pagës/përfitimeve vetëm në vlerë nominale nga njëra anë dhe ndalimit nga Kushtetuta edhe të uljes së tyre në vlerë relative kundrejt kategorive të tjera të zyrtarëve nga ana tjetër.

Pala qeveritare ngulmonte në kuptimin e parë duke pretenduar se, me ndryshimet ligjore, nuk kishte ndodhur efektivisht e nuk mund të ndodhte as ulja nominale e as ulja relative ndërsa pala e gjyqtarëve theksonte edhe kuptimin e dytë krahas të parit duke pretenduar se ndryshimet ligjore, që si fillim kishin shkaktuar frenimin e rritjes së pagave, në vijim mund të sjellin (apo të mos pengojnë) rënien relative të pagave të tyre kundrejt kategorive të tjera të zyrtarëve duke e parë këtë edhe si zhvleftësim  të standardit pozicional të tyre në strukturën hierarkike të shtetit.

Afërmendsh që vlen edhe kuptimi i dytë sepse, nëse do të ishte i drejtë vetëm nominali atëherë fare mirë mund të ndodhte që, nëse rrogat dhe shpërblimet e kategorive të tjera të zyrtareve do të rriteshin me pash dhe të magjistratëve me thërrime, në pak vite efekti regresiv, edhe pse relativ, do të ishte evident dhe diskriminues, gjë që do binte ndesh me përcaktimin kushtetues.

Në deklaratën e dhënë nga shoqata e gjyqtarëve, në kundërpërgjigje të polemikës sarkastike të Kryerilindësit, ata përshkruan me fakte e ngjarje të vërteta rrjedhën historike të çështjes së pagave si dhe kushtet e punës së tyre në këto vite të reformës, nën mbingarkesë volumore nga një anë dhe nën presion social e politik nga ana tjetër, pa kundërshpërblim shtesë. Në kohën e hartimit të ligjeve të reformës, duke dashur të përçajë ‘korporatën e gjyqtarëve’ politika e kohës, ndërsa kërcënonte se ‘gjelat e detit nuk votojnë për menynë e vitit të ri’, njëherazi premtone paga super të larta dhe status super preferencial në raport më të tjerët-premtime që u mbajtën vetëm pjesërisht e që po relativizohen në vijimësi.

Unë vetë pres, me probabilitet të lartë, që Gjykata Kushtetuese nuk do ta pranojë plotësisht kërkesën e gjyqtarëve, në thelb do ta rrezojë atë, por pjesërisht, përmes arsyetimit, do t’u japë të drejtë dhe do ta instruktojë Qeverinë dhe Parlamentin që t’i rishikojnë formulimet ligjore lidhur me pagat dhe shpërblimet e magjistratëve për një trajtim sa më të plotë e shterrues të nenit 138 të Kushtetutes pasi, siç janë, nuk e pasqyrojnë sa e siç duhet këtë kuptim. Shkurt, Gjykata Kushtetuese nuk mundet e nuk do përcaktojë paga por parime për formulime të duhura ligjore mbi e për to.

Kryerilindësi i di fare mirë të gjitha këto por bën sikur nuk i di e thotë ato që i interesojnë. Por, nëse për një moment pranojmë se gjykatësit janë siç i përshkruan Kryerilindësi  dhe Gjykata Kushtetuese do vendosë siç ai thotë se druan, veç ai s’ka pse ankohet se, tek e fundit, sic thotë po vetë, kjo Drejtësi është kryevepra e tij, më saktë monstra që e formësoi me duart e veta (dhe jo vetëm të vetat) dhe e ka hak ta gjejë belaja prej saj.

Ç’kusur kemi ne të tjerët që e paralajmëruam!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button