Dhuna në Kuvend, Strazimiri: Dy deputetët më thanë ‘Do të vrasim’. Ndreu: E pavërtetë
Çështja e konfliktit në Kuvend në korrikun e shkuar, ky dy deputetët e Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, akuzohen se kanë goditur deputetin e PD Gent Strazimirin, është marrë sot në shqyrtim nga Gjykata e Lartë.
Në seancën e sotme, deputeti i djathtë ka rrëfyer ngjarjen e cila është filmuar edhe nga kamarat e sigurisë të vendosura në mjediset e Kuvendit. Në sallën e gjyqit, Strazimiri ka pohuar se është kërcënuar edhe me jetë nga dy deputetët: “Më kanë thënë që do të të vrasim”, – ka thënë ai.
Pas daljes nga Gjykata, deputeti i djathtë ka folur për mediet, duke kërkuar dekriminalizimin e Kuvendit: “Dalja jashtë ambienteve të Kuvendit e personave të dekriminalizuar, është një çështje shumë e rëndësishme, që ka në thelb vlerat e demokracisë, – ka theksuar Strazimiri. – Ne e kemi thënë vazhdimisht se Parlamenti duhet të pastrohet nga krimi dhe se në atë sallë ndodhen gjithsej 19 deputetë që kanë lidhje me bandat dhe trafiqet e paligjshme. Përveç këtyre dy deputetëve (Ndoka e Ndreu), janë edhe 17 të tjerë që duhet të largohen, sepse janë gati në çdo moment për të dhunuar përfaqësuesit e opozitës në Kuvend”, – u shpreh Strazimiri.
Por nga ana tjetër, deputeti i PS-së Pjerin Ndreu, ka mohuar akuzat e bëra në Gjykatën e Lartë nga Strazimiri: “Dëshmia e tij është e pavërtetë, – deklaroi deputeti i PS-së. – Një herë thotë jam goditur, një herë thotë s’kam ndjerë goditje. Alibitë e tij u rrëzuan edhe nga vetë Berisha. Unë nuk e kam goditur dhe kjo do të provohet në gjykatë. Nuk është e vërtetë që kam kërcënuar njeri siç thotë ai”.
Dy deputetët janë kallëzuar penalisht nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka pas ngjarjes së ndodhur më 14 korrik në mjediset e Kuvendit ku akuzohen dy deputetët e majtë.