Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi, jo transparent dhe pa rezultate

dialogu-kosov-euml-serbi-jo-transparent-dhe-pa-rezultate_hdProcesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka qenë një proces jo transparent, i cili nuk ka dhënë ndonjë rezultat, sa i përket lëvizjes së lirë dhe as marrëveshjes së IBM-it. Kështu u tha në një panel diskutues me temën “Marrëveshja Kosovë-Serbi: Të vërtetat mbi interpretimet e ndryshme dhe sfidat në jetësimin e parimeve të saj”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ilir Deda, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk ka normalizim, me ndërhyrje në punë të brendshme të njeri tjetrit dhe nuk ka normalizim me një dialog të mbyllur, ku popullata nuk e di se çka po merren vesh udhëheqësit e qeverive të tyre.

Sipas tij, sakrifica e rrugës për në BE, që e ka pranuar Qeveria në ikje, që Kosova të rri anash, e të tjerët të lëvizin, nuk është politikë e përgjegjshme.

Ndërsa pohoi se Kosova tani ndodhet në një moment me rëndësi, në ditët e një betejë të madhe, për fillimin e demokratizimit të mirëfilltë të vendit. Sipas tij bazat e një sistemi demokratik, janë duke u vendosur këtë verë.

Ndërsa theksoi se qeverisja e deritanishme e PDK-së, i ka sjellë dëme të mëdha vendit.

Deda po ashtu pohoi se një shumicë parlamentare i krijon institucionet me mandat parlamentar dhe se ajo çfarë është parë këto ditë në Kosovë, është refuzimi, kokë fortësia dhe inati i një subjekti politik i cili nuk ka partner politik, që ta kuptoi që shumica parlamentare ekziston, parimet për një qeverisje tjetër ekzistojnë dhe se vullneti i shumicës në parlament ekziston, që të ecim me fillimin e shkapjës së shtetit.

“Bazat e një shteti demokratik, janë duke u vendosur këtë verë. Janë duke u vendosur pas zgjedhjeve të 8 qershorit dhe mund me iu than se nëse shkelet vullneti i shumicës parlamentare duhet të harrojmë se Kosova do të zhvillohet“, tha ai.

Ndërsa Vjosa Osmani, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tha se i gjithë procesi i dialogut Kosovë Serbi, ka qenë jo transparent dhe se ai duhet të analizohet dhe të shihet nëse marrëveshjet kanë pasur ndonjë efekt tek qytetaret e të dy vendeve.

“Fshehja e marrëveshjeve dhe mungesa e informatave përfundimisht e afekton jetën e qytetarëve”, ka pohuar Osmani.

Ndërkaq Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili prezantoi opinionin sa i takon zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit dhe të gjeturave kryesore që lidhen me këtë proces, tha se marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, e kanë lëkundur faktin nëse ato kanë qenë vërtetë marrëveshje apo jo.

“Mënyra se si ka shkuar deri më sot zbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi, në fakt, e ka lëkundur vet faktin nëse kjo ka qenë një marrëveshje ose jo. Sepse ne vlerësojmë se një marrëveshje nëse nuk zbatohet në fakt është e pavlerë. Dhe të gjeturat tona tregojnë se zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit, në formën se si është dakorduar në mes të dy qeverive të dy shteteve, po rrezikohet seriozisht në kuptim të zbatimit të parimeve themelore të saj”, tha ai.

Korenica tha se nga informacionet që ata kanë mbledhur, janë gjetur të dhëna shokuese.

Sipas tij, në veriun e vendit, vazhdojnë të ekzistojnë rrugët ilegale, që kanë ekzistuar para se të arrihet marrëveshja e IBM-it dhe se brenda tre ditësh, nëpër rrugët ilegale në veri të Kosovës, ka pasur lëvizje të një numri shumë të madh të makinave dhe kamionëve, që bëjnë kontrabandë mallrash.

Kjo gjetje, sipas tij, e bënë të pavlefshme marrëveshjen e IBM-it, e cila vazhdon të mos zbatohet në tërësi.

Ndryshe, në këtë panel diskutimi, ishin të ftuar dhe zyrtarë të qeverisë, por që të gjithë kishin refuzuar që të marrin pjesë.

Nga të pranishmit një sjellje e tillë u vlerësua si diçka që nuk përkon me një qasje që duhet të ketë Qeveria e Kosovës, e cila ka ndërtuar këtë dialog me Serbinë për tri vite, e e cila sipas tyre, tashmë nuk ka çfarë të thotë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button