Dialogu, “thembra e Akilit” për politikën shqiptare
Dialogu politik mes partive shqiptare ka qenë gjithmonë një kërkesë fikse e çdo pogres raporti të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Dialogu politik përmendet edhe në progres raportin fundit ku theksi vihet sërish tek domosdoshmëria e një dialogu politik brenda institucioneve kushtetuese si Kuvendi i Shqiprisë dhe ku i kërkohet mazhoracës që të krijojë kushtet e nevojshme që opozita të kthehet në Kuvend dhe kësaj të fundit i kërkohet që t’i japë fund bojkotit parlamentar.
E njëjta tablo shfaqet edhe në progress raportet e viteve të shkuara ku tensionet politike mes palëve kanë bërë që proçesi i integrimit në Bashkimin Evropian të pengohet dhe të ngadalësohet.
Kështu në vitin 2002, kur Komisioni Evropian publikoi progres raportin e parë të vlerësimit për Shqipërinë thuhej se, “Shqipëria është ende një demokraci e re dhe e paqëndrueshme. Duhet të zhvillohet një kulturë demokratike konsensuale”.
Mungesa e dialogut politik sipas BE-së sjell mangësi të tjera përsa u përket kërkesave për luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar si dhe përsa i përket reformimit të drejtësisë dhe administratës publike.
Pikërisht ky aspekt, mungesa e konsensusit dhe dialogut politik ka bërë që gjithnjë BE të ketë kritika përsa i përket klasës politike shqiptare, e cila nuk arrin të gjejë dot gjuhën përbashkët për të çuar përpara reformat kyçe që sot kërkohen nga BE për të çelur negociatat drejt anëtarësimit më të drejta të plota në BE.
Që prej raportit të parë të progresit e deri sot kanë kalar 12 vite, por panorama kritikave të BE është po ajo, mungesë dialogu politik, mungesë konsesnsusi mes palëve që sjellë ngecje të ecurisë së reformave që i nevojiten vendit për rrugëtimin e tij drejt BE.
Kritikat e BE drejt klasës poltike nuk kanë rreshtur që prej progress raportit të parë deri tai 12 vjet më vonë. Nëse në vitin 2005 pengesë e ecurisë u bë fushata zgjedhore dhe polarizimi politik që e pasoi, që konsumuan një masë të madhe të energjive të Qeverisë dhe ngadalësuan progresin e reformave, në vitet që pasuan 2006-2007, kritikat ishin të forta ndaj klasës politike, ku u nënvizua se vendimet parlamentare, ose vonoheshin për shkak të interesave të ngusta partiake ose ishin të nxituara, ku merreshin pa përgatitje apo diskutime të mjaftueshme. Kjo i ka ngadalësuar reformat, veçanërisht reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi.
Një vit më vonë, kritikat për korrupsionin dominuan Raportin. Ndërkohë në vlerësimin e KE-së për Shqipërinë në 2010-n lëshohen kritika, veçanërisht për funksionimin dhe rregulloren e Parlamentit.
Në 2011-n, Shqipëria vlerësohet se ka bërë progres të pamjaftueshëm në 2 fusha, në dialogun politik, dhe administistratën publike.
Progres Raporti i KE në vitin 2012, tërheq edhe një herë vëmendjen për të bërë drejtësi të besueshme për ngjarjen e 21 Janarit, ku humbën jetën 4 protestues.
Në vitin elektoral 2013, në pjesën e Kriterit Politik vlerësohen me nota pozitive zgjedhjet, situata politike, miratimi i disa ligjeve kyçe, si dhe plotësimi i detyrimeve të nevojshme për përfitimin e statusit kandidat.
Ndërkohë në raportet e më shumë se një dekade, një tjetër pikë takimi është puna për garantimin e të drejtave të njeriut. Ato që cilësohen sot si 5 prioritetet, kanë qenë ndër vite zemra e përpjekjes së integrimit të Shqipërisë dhe ajo që vëzhgohet me më shume kujdes nga BE-ja dhe aktorët vendimmarrës të vendeve të BE-së.
Për pëmbushjen e një pjese prej tyre, sipas Marrëveshjes “IPA II”, Shqipëria do të përfitojë nga ndihma e BE-së për vitin 2014 në masën e 640 milionë eurove. “IPA II” do të merret me çështje thelbësore në fushën e rendit ligjor, demokracisë, administrimit ekonomik dhe financave publike, për të mbështetur në mënyrë të suksesshme reformat dhe investimet që nevojiten përgjatë procesit të integrimit.