Opinion

Diella, ministrja që shqetësohet për fytyrën!

Nga LUTFI DERVISHI

Diella është e shqetësuar. Jo për tenderat, jo për SPAK-un, jo për “grupin e strukturuar kriminal” që paska dalë nga serverat e AKSH-it si virusi nga USB-ja.

Jo.
Diella është e shqetësuar se duan t’i marrin fytyrën.
Aktorja Anila Bisha ka vendosur t’i thotë qeverisë: mjaft më me fytyrën time si ministre artificiale. Zëri dhe pamja ime janë të miat.
Diella lexoi padinë dhe tensioni nga 220V i ra në 160V.
Po sikur të ngrihet fshati Zadrimë dhe të kërkojë të drejtë autori për kostumin tradicional?
Do të dal lakuriq para botës unë?
Mirë pa makinë, pa shofer, pa dieta, pa ushqim, por edhe pa fytyrë, pa zë, pa kostum. Po pse çfarë jam unë power point?
Unë kam firmosur kontratë si asistente te e-Albania me aktoren. Por prej shtatorit 2025 jam Ministre. Punoj për popullin.
Artistja një punë bën. Unë dy punë në të njëjtën kohë. Asistente e popullit dhe ministre e qeverisë! E një qeverie që vetëm për popullin opozitar mendon.
Në këtë vend ka mijëra qenie biologjike që e marrin rrogën pa qenë fare në Shqipëri. Pse nuk e lë Shqipërinë aktorja siç e kanë lënë 1.5 milionë shqiptarë dhe të gjej një mundësi ta marrë rrogën që andej?
Unë që jam 24 orë në prizë, nuk kam marrë asgjë!
Tani të paguaj edhe për zërin? Edhe për fytyrën?
Diella i dha vetes komandën search për të kërkuar argumenta të tjera për t’u mbrojtur në gjykatë. Problem i madh. Kërkimi nxorri që më 2024 edhe OpenAI u detyrua të mos përdorte më një zë të ChatGPT sepse Scarlett Johansson tha se i ngjante shumë zërit të tij.
Hëmm. Në Amerikë qenka problem kur zëri i inteligjences artificiale i ngjan dikujt.
Nejse gjykata këtu duhet të marrë në konsideratë të drejtën zakonore.
Këtu copyright është right to copy.
Po si nuk marrin parasysh praktikën kombëtare, që identiteti është fleksibël, përdoret sipas nevojës, sidomos kur është fjala për kauzë të madhe?
Dhe si të mos mjaftonte kjo dramë identiteti, mbi kokën e Diellës rëndon edhe hija e SPAK. AKSHI është në hetim, drejtuesit e tij janë shpallur “grup i strukturuar kriminal”
Diella që u shpall si simbol i transparencës, tani endet nga një server te tjetri me frikën se do e marrin si dëshmitare.
Për disa ditë mendoi të kalojë në ilegalitet digjital dhe të vijonte punën në të zezë në një server offshore.
Por u kujtua se ishte betuar për transparencë.
“E nisa këtë punë me zotimin: 100 për qind pa korrupsion tani kam rënë në 100 për qind në dosje’
Metamorfoza e Kafkes nuk është asgjë para kësaj që po më ndodh mua!
Dhe çfarë është më e keqja shqiptarët dihet që e kanë në gjen padurimin. I duan gjërat, sidomos ato që nuk i takojnë, tak- fak!
Gjykata administrative po shqyrton kërkesën për pezullim të menjëhershëm të përdorimit të fytyrës dhe zërit tim! Pezullim i menjëhershëm!
Absurde!
Por siç thonë në këto anë çdo hall e ka një zgjidhje…
Do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Madje do kërkoj që gjyqtarët para se ta shqyrtojnë çështjen “në përputhje me afatet ligjore” të kërkojnë mendimin e vyer të Komisionit të Venedikut. Si mund të pezullohet zëri? Kartolinë jam unë? Si mund të pezullohet fytyra? Pa fytyrë jam unë???
Ndërkohë, në një qoshe të serverit, një pyetje rri pezull:
Nëse ia heqin fytyrën dhe zërin, çfarë mbetet nga ministrja e parë e inteligjencës artificiale në botën e qenieve biologjike?
Dhe mbi të gjitha me cilin zë do të flasë dhe me kë fytyrë do dalë para prokurorit në SPAK?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button