Keshilla

Disa mësime shkencore për jetën e përditshme

Që nga dhënia e dorës në mënyrë perfekte deri te mënyra më e mirë e të studiuarit, nga ngrënia e një hamburgeri në zgjedhjen e dhuratës së duhur e te prerja e tortës…shkencëtarët kanë treguar truket për jetën e çdo dite në revistën e famshme italiane “Focus”! A do të kenë të drejtë?

Si të hani një hamburger

Ndodh më shpesh nga se e mendojmë që shkenca ndikon në zakonet tona. Gjëra shumë të thjeshta në dukje për shembull se si të hamë një hamburger. Meqenëse ra fjala, a e dini se ekziston një mënyrë e duhur për ta mbajtur atë ndër duar, pa u bërë pis? Hamburgeri duhet të mbahet me të dyja duart, me gishtat e mëdhenj dhe të vegjël përpara dhe të mesit nga pas, mbi hamburger. Duhet ta mbani atë të “salduar” (të qëndrueshëm), por pa e shtrënguar shumë fort. Dhe më pas…kafshojeni.

Si të shtrëngoni duart

Sipas shkencëtarëve të Universitetit të Mançesterit, ekzistojnë 12 faktorë çelës, të cilët e bëjnë perfekt një shtrëngim duarsh: mbi të gjitha është e nevojshme që pëllëmba e dorës të jetë e freskët dhe e thatë, pa djersë. Me dorën e djathtë duhet të kapni pothuajse të gjithë dorën e personit tjetër dhe ta shtrëngoni atë me vendosmëri, por pa e ekzagjeruar me forcën. Më pas “shkundeni” atë tre herë, por me shpejtësi: shtrëngimi i duarve nuk duhet të zgjasë më shumë se tre sekonda. Ndërkohë, duhet të mbani kontaktin viziv, duke buzëqeshur në mënyrë natyrale dhe të përdorni një frazë të tillë si “kënaqësi që u njohëm”.

Dhurata më e mirë

Çfarë të dhuroni? Sipas Universitetit të Yale-it një dhuratë për t’u pëlqyer duhet t’u përgjigjet disa karakteristikave precize. Më shumë sesa e kushtueshme, e çuditshme ose e vërtetë duhet të jetë…praktike. Kushdo që merr një dhuratë, në fakt vlerëson mbi të gjitha prakticitetin dhe lehtësinë e përdorimit.

Si të piqni biskotat

Kendra Nyberg, një studiuese nga Universiteti i Kalifornisë, ka punuar me një shef për t’u vënë pikën disa sugjerimeve të padështueshme për përgatitjen e biskotave: dëshironi të jenë pak më të qëndrueshme? Shtojini edhe dy gota miell. Ai i preferoni ato ngjyrë kafe? Çojeni temperaturën e furrës në të paktën 180 gradë. Por nëse ju pëlqejnë të buta, shtojini një të katërtën e një luge gjelle pluhur pjekjeje dhe një çerek lugë çaji sodë buke.

Mënyra më e mirë për të studiuar

Nëse i keni prej pak kohësh studimet ose nëse keni fëmijë në moshë shkollore, lodhja e të studiuarit dhe e të kujtuarit të çdo gjëje është një gjë e njohur. Ku i dihet, mbase në kohën tuaj do t’ju ishte e dobishme të njihnit rezultatet e një studimi të shkencëtarëve të Universit Kent State, të cilët pasi ekzaminuan dhjetë metodat e studimeve më të përhapura, kanë arritur në konkluzionin se më i miri është ai i cili e shpërndan në kohë studimin ose praktika e një argumenti. Por funksionojnë mirë edhe ushtrimet dhe pyetësorët mbi gjërat e sapomësuara. Pak ose asgjë, sipas psikologëve, me vend do të ishte nxjerrja në pah e përmbajtjeve më të rëndësishme të një teksti për t’u mësuar më pas dhe për t’u përmbledhur. A është edhe për ju kështu?

Si të nxirrni keçap-in nga shishja

E çuditshme, por e vërtetë, nëse ka ndonjë substancë e cila tërheq interesin e shkencëtarëve është pikërisht salca e kuqe, të cilën e përdorim për hamburgerët dhe patatet e skuqura: gjysmë e lëngshme gjysmë e ngurtë, ka tendencë të dalë me vështirësi nga shishja në të cilën ndodhet. Një truk i mirë është ai i shkundjes së shishes me keçap, në mënyrë që dy gjendjet e salcës të bashkohen së bashku.

Si të pini një pilulë, pa u munduar

Sipas Meri Popins, mjafton pak sheqer. Por shkencëtarët e Universitetit të Heidelberg-ut (Gjermani) kanë një tjetër sugjerim: mbushni me ujë një shishe të vogël plastike elastike, vendoseni pilulën apo ilaçin në gjuhë, shtrëngojeni shishen mbi buzë dhe prej saj “shtyni” ujë, pa i shkëputur buzët nga shishja, më pas gëlltiteni pilulën dhe ujin përnjëherësh. Gjithçka do të jetë shumë e lehtë!

Si të prisni një tortë (si ta shërbeni)

Në vitin 1906, shkencëtari Francis Galton shkroi një letër në revistën “Nature” për të shpjeguar se cila ishte mënyra më e mirë për të prerë një tortë, në rastet kur nuk do të konsumohet e gjitha përnjëherësh. Po mendoni për ndarjen trekëndore? Është komode, por pjesa e tortës e cila ekspozohet në ajër merr një shije tjetër, sigurisht jo të mirë. Truku qëndron në prerjen e një pjese të mesit të tortës në mënyrë që dy pjesët e tjera të bashkohen sërish dhe ajo të duket ende e rrumbullakët apo katrore, por më e vogël. Për ta kuptuar më shumë shihni foton.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button