Ditë kujtese në një vit të vështirë për botën
Nga Fadil Nasufi
Me rastin e 27 Janarit, në shenjë reflektimi ndaj Shoah)
Në çdo 27 Janar, në Europë, në SHBA dhe në një shumicë vendesh të botës përkujtohet Dita e Kujtesës, që i kushtohet një prej tmerreve më të mëdha të historisë së njerëzimit, Shoah. Nuk ka rast tjetër dhe popull tjetër në botë që të ketë pësuar ato pogrome, atë zhdukje industriale, atë shfarosje masive që kanë pësuar hebrenjtë, për shkak të doktrinës naziste të Holokaustit, egërsia e të cilit nuk mund të krahasohet as me epokën e errët të inkuizicionit mesjetar. Që nga viti 2004, Ditën e Kujtesës e përkujton zyrtarisht si një datë referenciale edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ky është një hap tjetër reflektimi i njerëzimit. Prej një dekade, edhe shteti dhe populli shqiptar ndalen zyrtarisht në Ditën e Kujtesës për të reflektuar dhe medituar, për t’u bërë homazh viktimave të panumërta të popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dita e Kujtesës është një hap i madh i njerëzimit për t’u ndarë nga e kaluara dhe për të ndalur kthimin e së kaluarës.
Është në nderin e popullit dhe shtetit shqiptar që 27 Janari i këtij viti, i cili përkon me 70-vjetorin e çlirimit të kampit famëkeq të Auschwitz-it dhe të fitores antifashiste botërore, e gjen me një vetëdije europiane të provuar për Ditën e Kujtesës. Kjo ditë merr një kuptim apeli dhe reflektimi këtë vit, kur po provohet se judeofobia dhe terrorizmi janë aq shumë të lidhura bashkë dhe se bota ende nuk është çliruar nga fjala dhe veprimet e urrejtjes, nga konfliktet etnike, fetare dhe grupet ekstremiste. Për shqiptarët, për popullin dhe përfaqësuesit e tij, nuk ka ekzistuar asnjë problem, asnjë shqetësim për t’u bashkuar me zërin europian të promovimit të Ditës së Kujtesës. Sepse populli shqiptar nuk ka trashëguar në ndërgjegjen e vet asgjë që t’i rëndojë për sa i takon sjelljes së tij me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jo vetëm kaq, por, nëse ka herë pas here në histori dhe jo më rrallë se në popujt e tjerë, vlera krenarie për popullin shqiptar, një prej këtyre vlerave të shkëlqimta është shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri. Dhe këtu nuk është fjala për hebrenjtë rezidentë, për hebrenjtë e vendit, por për rreth 3000 hebrenj të ardhur prej vendeve të tjera të Ballkanit dhe Europës.
Hebrenjtë në Shqipëri nuk i shpëtoi thjesht dhe vetëm virtyti i popullit. Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri ka qenë një çështje mbipolitike. Për të mbrojtur hebrenjtë u bashkuan në një qëndrim, pa diskutuar kurrë me njëri-tjetrin dhe pa përgatitur dhe nënshkruar asnjë marrëveshje: partizanët antifashistë, nacionalistët, kolaboracionistët e kuislingët. Dhe kjo nuk është një meritë për t’u ndarë. Në këtë pikë të gjithë ishin bashkë. Nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër që gestapoja naziste t’i kërkojë Rajhut të mos i prekë hebrenjtë e një vendi, sepse qeveria e atij vendi i konsideron hebrenjtë “çështje të brendshme”. Kjo ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Në Berat, Qarkori i Partisë Komuniste dhe përfaqësuesit e nacionalistëve u morën vesh që të mos ngatërronin hebrenjtë as në konfliktet e tyre të brendshme, as në konflikte të tjera. Dhe kjo shpjegon faktin pse afro 600 hebrenj të Kosovës, duke filluar nga viti 1942 gjetën shpëtim në familjet e qytetit të Beratit dhe asnjë nuk u dorëzua te nazistët.
Qysh në vitet 1930, shtypi i Perëndimit e quante Shqipërinë “një Palestinë të dytë”, ndërsa të tjerët flitnin për “kolonizimin hebraik” të Shqipërisë. Një meritë të veçantë për instalimin në diplomacinë mbretërore të Shqipërisë të një ndjenje simpatie dhe të një përgjegjësie mbrojtjeje ndaj hebrenjve kanë ish-ambasadori i SHBA-së dhe këshilltari i oborrit mbretëror të Shqipërisë në Tiranë, përkatësisht: Herman Bernstein dhe Mehmet Konitza. Në Ditën e Kujtesës, ne nderojmë edhe veprën e tyre të shkëlqyer në favor të hebrenjve të Gjermanisë, Austrisë, Polonisë dhe të disa vendeve të tjera, të cilëve iu hap rruga për të ardhur lirisht e legalisht në Shqipëri.
Brenda një dhjetëvjeçari numri i hebrenjve në Shqipëri u 15-fishua. Gjatë kësaj periudhe, në Shqipëri erdhën grupime të mëdhenj hebrenjsh të kërkuar në vende të ndryshme të Ballkanit, në Mal të Zi, Dalmaci, në Serbi, Bullgari. Numri i hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri është shumë më i madh se ai që dihet. Shifra së cilës i referohen historianët deri tani është ajo e hebrenjve të deklaruar hebrenj. Por, pjesa më e madhe e hebrenjve kanë ardhur në Shqipëri me identitet të mbuluar ose duke fshehur identitetin menjëherë pas mbërritjes: Samueli u bë Ismail, Hoakimi u bë Haki, Davidi u bë Daut … Të gjitha këto konvertime nuk i kanë bërë institucionet e kultit, por zyrat laike të shtetit. Një pjesë tjetër e hebrenjve erdhën në Shqipëri të albanizuar, me pasaporta shqiptare, të prodhuara me dijeninë e autoriteteve që qeverisnin në atë kohë. Shumë prej tyre jetuan si shqiptarë, të veshur me kostumet e vendit, me fustanellë e qeleshe, në familjet beratase, vlonjate, krutane, kavajase etj.
Dita e Kujtesës për ne shqiptarët nuk është një ditë për t’u mburrur, por një ditë për të shpjeguar se si është e mundur që populli më i varfër i Europës dhe më i sakrifikuari, gati me një fat të ngjashëm me popullin hebre, pra, Shqipëria të bëhet një model i mbrojtjes së tjetrit në rrezik. Ndërkohë, dihet që familjet shqiptare strehuan, shpëtuan nga uria dhe sëmundjet, ushtritë e kapitulluara serbe e malazeze, po ashtu edhe ushtritë austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore. Po ashtu, familjet shqiptare shpëtuan 20-25 mijë ushtarë italianë që i zuri kapitullimi në Shqipëri pikërisht kur ushtritë naziste kishin hyrë dhe me syrin e tyre ato ishin ushtri dezertore. Asnjë ushtar italian nuk u dorëzua nga populli shqiptar, edhe pse me italianët puna ishte krejt ndryshe, sepse ata kishin ardhur me armë dhe kishin vrarë e djegur në Shqipëri. Familjet shqiptare vazhduan t’u japin bukë e ilaçe ushtarëve grekë gjatë luftës civile, të cilët drejtimin e vetëm të tërheqjes së sigurt, pa frikën e ndonjë goditjeje, kishin Shqipërinë. Dhe, siç dihet, kjo nuk i kushtoi pak këtij vendi.
Kështu Shqipëria nuk është një rast, por një fenomen që meriton të studiohet për sjelljen ndaj tjetrit. Nuk ka pasur në ideologjinë kombëtare shqiptare dhe në periudhën e romantizmit rilindës ide ksenofobike dhe projekte të ndërtimit të së ardhmes kombëtare në kurriz të tjetrit. Në historinë e kulturës dhe të mendimit shqiptar ka të tillë margaritarë që nuk u është bërë asnjëherë kujdesi të shndrisnin me gjithë fuqinë e tyre. Një popull që e ka kaluar provën e Holokaustit pa asnjë plagë, pa asnjë dhimbje të shkaktuar tjetrit, ka kaluar provën e krimit ndaj tjetrit në përgjithësi. Dëshmitë e padiskutueshme të sprapsjes së çdo dëshire, projekti, urdhri, apo komande për “zhdukjen përfundimtare” (final solucion) të hebrenjve janë dëshmi se shqiptarët, si popull paqësor në thelbin e vet, nuk kanë ushtruar asnjë formë tjetër të dhunës kolektive ndaj tjetrit.
Pikërisht kjo e bën politikën e jashtme shqiptare faktor të mirëbesuar paqeje në rajon. Është kjo arsyeja që ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, John L. Withers, në konferencën e organizuar në qytetin tonë me titullin “Berati për shpëtimin e hebrenjve”, më 25 janar 2008, është shprehur: “Çfarë do të kishte ndodhur nëse popujt e vendeve më të mëdha, më të pasura, me tradita më të gjatë të historisë së demokracisë dhe lirisë, do të kishin vepruar si Shqipëria? …Bota do të kishte qenë një tokë më e mirë nëse do të kishte vepruar si Shqipëria”.
Në Ditën e Kujtesës ndalemi e reflektojmë duke u rinjohur me përmasat e katastrofës që pësuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ne ndalemi e nderojmë popullin shqiptar që bëri çudinë dhe nuk la asnjë hebre të viktimizohej, ne ndalemi e nderojmë gjithashtu kujtimin e mijëra shqiptarëve që pësuan fatin e njëjtë me viktimat e Holokaustit në Mathausen, Dachau, Auschwitz, Ventotene, Prishtinë e gjetkë. Ne u bëjmë homazh, gjithashtu, viktimave të Borovës së martirizuar, viktimave të 4 Shkurtit, të pushkatuarve të kampit të përqendrimit të Prishtinës, viktimave të shkaktuara mbi popullin civil nga faktorët politikë vendas që merrnin pjesë në luftë duke u rreshtuar në krah dhe në aleanca të ndryshme, viktimave të komunizmit që u pushkatuan pa gjyq. Kjo është, gjithashtu, dita e reflektimit të fatit historik të popullit shqiptar, ndaj të cilit është demonstruar shpesh albanofobi e ashpër. Ndoshta, nuk ka një popull tjetër në Europë që të ketë kaluar nëpër një fat aq të krahasueshëm me atë të hebrenjve sa shqiptarët.
Judeofobia dhe albanofobia janë shumë pranë njëra-tjetrës. Është kjo dita që na inkurajon të besojmë se njerëzimi i ka thirrur mendjes dhe dëshiron që sinqerisht të ndërtojë një të ardhme të re, pa dhunë kolektive dhe individuale, pa dhunë fizike e dhunë fjale, një rend larg luftës dhe dallimit etnik, racor, fetar. Por në të njëjtën kohë kjo është dita e reflektimit ndaj çfarëdo fobie tjetër, fetare, nacionale, kulturore, racore. Dita e kujtesës është ajo që bën dallimin midis atyre që duan të mësojnë si duhet të jetojnë, prej atyre që duan të bëhen shembull si të vdesin. Prandaj, po e mbyll këtë përkujtesë me një këshillë të Princit Gjon Muzaka: “Është i nderuar midis të nderuarve ai që fati e godet pa faj dhe është më i poshtëruari i të poshtëruarve ai që fati e ngreh pa merituar. Atë që mund ta bëni me paqe, mos e bëni me luftë. Atë që mund ta fitoni duke e kërkuar me lutje, mos e rrëmbeni me forcën e armëve. Atë që mund ta qortosh fshehtas mos e poshtëro publikisht”…