Opinion

Dogana(t) dhe realiteti shqiptar përtej tyre

Të udhëtosh me autobus për në Maqedoni, dhe kjo, të përkojë me vizitën tënde të parë atje, me shumë gjasa, gjatë udhëtimit do të provosh hove shpërthimi emocional të brendshëm, që ndizen nga një konflikt i pritshmërisë me realitetin që pikas. Një përplasje e lehtë me pritshmërinë nis qysh në segmentin e fundit të rrugës që të përcjell në Doganën e Qafë-Thanës: një rrugë me tipare rurale dhe pa as më të voglën gjurmë të vijave të bardha, mungesa e të cilave, sikur bën t’i picërrosh sytë e të kërkosh me ngulm mesin.

Nëse këtë “lojë” të syve, të diktuar nga vetja, i jep karar ta lësh pas krahëve, rregullave të një tjetër “loje” do t’u nënshtrohesh detyrimisht, sapo të mbërrish në doganë. Nëse mbërrin në orën 12:00 të mesditës aty, do të të duhet të presësh rreth dy orë, pasi ke mbaruar me palën shqiptare. Për shkak të komoditetit që krijon lartësia fizike e autobusit, pasagjeri nga përtej xhamit, mund të vërejë episode të ndryshëm në të njëjtën kohë, në “skenën” doganore: Një lojë spektakolare e dy policëve maqedonas, që i vijnë rrotull automjetit të një të riu shqiptar dhe e qenit të erës, pamje kjo që, me aq sa zgjat, të jep të kuptosh se, pjesa e parë e kontrollit, bërë nga pala shqiptare, s’mund të jetë kurrsesi gjysma e një procesi të tërë.

Një tjetër episod mban për personazh punonjësin e policisë brenda kabinës së vogël, roli i të cilit në atë “skenë” nis të marrë shumë rëndësi, pasi lehtas mund të bëhet shkak vonese dhe pengesë për të kaluar matanë, ashtu sikurse dhe në rastin tonë u bë. Dy vajza dhe dy djem shqiptarë u kthyen mbrapsht atë të enjte të marsit.

Vetëm kur ora shënoi 14:20, shoferi i dha gaz dhe ngriti volumin e kasetofonit, duke bërë që gjithçka të lihej pas.

Kurioziteti për të fiksuar pamje nga një territor i pashkelur më parë, nuk të pengon të ripërtypësh mendime, të cilat lidhen me episodet e sapokaluara, sikurse ishin dhe arsyet, që mësuam se u bënë shkak për kthimin e të rinjve shqiptarë pas: pamjaftueshmëri e parave në xhep; mungesa e një numri celulari të dikujt që të pret përmatanë; mosnjohja e krediteve të kartës së kreditit nga ana e punonjësit të policisë…

Ndërsa mendja të mbetet fiksuar atje, sytë, me siguri mund të kenë përshkuar kilometra të tëra të pavëna ré. Mirëpo, kjo nuk është e thënë të zgjasë shumë, pasi për një çast, kalon çdo pritshmëri, pamja që të shfaqet kthjellueshëm: një flamur kuqezi valëvitet pushtetshëm mbi çatinë e një shtëpie buzë rrugës; një tjetër po si ai, lartëson një ndërtesë diku më thellë; dhe një i tretë akoma, nga një largësi më e madhe, arrin të bëhet i kapshëm për syrin që e kërkon…

Shfaqja ritmike e flamujve shqiptarë në “ekranin” prej xhami të autobusit, merr formën e një videoklipi të realizuar mjaft bukur, kur nga altoparlantët, nis të dëgjohet fort e tepër mallëngjyes, refreni i një kënge me varg të parë: “Po ku ka si ti, o Shqipëria ime”.

Teksa depërton më në brendësi të atij territori, ndien të konsolidohet ajo ndjesi dhe ai mendim, që njohën si burim ekzistencën e flamujve kuqezi, pasi të kap syri dhe emra aktivitetesh, firmash, lokalesh të shkruara shqip.

Surpriza e radhës i takon fshatit Zajas: Një flamur i madh i vendosur mbi një shtyllë të lartë, sinjalizon prej së largu për diçka, të cilën duhet medoemos ta vësh re. Në pjesën më të lartësuar të atij kuadrati të sistemuar varresh, ngrihet një memorial madhështor, i cili mban emrin “Nëna shqiptare”. Ajo çka provon një vizitor shqiptar, teksa ballafaqohet me atë pamje kaq fort shqiptare, për të mbërritur tek e cila, i duhet së pari të ndihet mirëfill i “penguar” në kufi, njeh si kufi të sajin pamundësinë për t’u shprehur me fjalë…

Nëse pllakat e trotuarit, baret, kioska në të djathtë, s’të japin të kuptosh me të parë se, nuk ndodhesh në rrugën që përshkon çdo ditë, një bar si “Ali Baba”, me siguri, do ta bëjë këtë. Ndodhesh në Tetovë. Pikërisht, i atribuohet ky efekt, asaj çka shkruhet me të kuqe në xhamin e errët të atij lokali:

“Pra mallkue njai bir shqyptari,

Qi këtë gjuhë të Perëndis’;

Trashigim qi na la i pari,

Trashigim s’ia len ai f’mis!…”…

Shëtitja në qytete, si: Struga, Gostivari, Kërçova, Tetova, Kumanova, Dibra, një vizitori nga Shqipëria i bën që të harrojë se e ka kaluar një kufi për të arritur këtu. Shqiptarëve të atjeshëm, dhe kur nuk është komode të shprehet me fjalë, u lexohet në sy dëshira e shtuar për të të respektuar së tepërmi, sapo mësojnë se je nga Shqipëria.

Po qe se rasti ndihmon të takohesh me intelektualë, biseda me ta, u jep dhe një tjetër dimension emocioneve. Fjalët e një personaliteti si prof. Ejupi, dhe gjatë një bisede të lirë, shprehin më shumë sesa kuptimin gjuhësor të tyre: janë të ngjyrosura me zë, të ngarkuara me emocion. Edhe brenda një ndodhie me humor, që i referohet vizitës së parë në Shqipëri, me një grup studentësh, treguar nga profesori i Universitetit të Tetovës, arrin të perceptosh nuanca të asaj, që kishte shprehur qysh në krye të herës mallëngjyeshëm: “Shqipërinë e kemi dashur dhe e duam, pavarësisht sistemeve politike apo sjelljeve kalimtare qeverisëse.” …Ndërsa, poetike, mund të konsiderohet biseda me Kushtrimin, regjisorin nga Shkupi. “Nuk ka rast, që të jem i mbledhur në shoqëri, me kolegë nga cilido vend i botës, që në bisedën brenda një ore, të mos u bëj vend fjalive të tilla, si: “Unë e adhuroj Shqipërinë. Unë e adhuroj Tiranën”, – shprehej pedagogu i Universitetit Shtetëror të Shkupit.

Ndërsa ajo çka tregon mësuese Majlinda për nxënësit e klasës së pestë në një shkollë private, shkon në kufijtë e së pabesueshmes: Fëmijë, disa prej të cilëve, të lindur dhe jashtë Maqedonisë, që vijnë në Tetovë të mësojnë në gjuhën shqipe programin mësimor 9-vjeçar, kur iu komunikua se do të mësonin dhe gjuhën maqedonase, shprehën kundërshti, duke këmbëngulur se kishin ardhur të mësonin shqip. Pasi kuptuan se kjo çështje nuk pranonte diskutim, ishte pjesë e programit të miratuar mësimor, nxënësit panë njëri-tjetrin në sy, u ngritën në këmbë dhe, duke vënë dorën e djathtë në të majtë të kraharorit, nisën të këndonin njëzëri Himnin Shqiptar, ritual të cilin, qysh prej asaj dite, e bëjnë në çdo fillim ore mësimi të asaj lënde…

Këto mund të konsiderohen vetëm si disa fotografi të asaj çka është e rrjedhshme brenda atij realiteti, të cilat bëjnë që, udhëtimi në kthim, të jetë i mbushur me impulse malli qysh në nisje…

Rruga në kthim, me po të njëjtin autobus, të servir të njëjtat sekuenca, të cilat parakalojnë të njohura tanimë përtej xhamit, me të njëjtën shpejtësi dhe shoqërohen me po të njëjtin volum e lloj muzike. Flamujt kuqezi, ndihmuar nga era dhe lartësia ku gjenden të vendosur, valëviten përshëndetshëm; me një tungjatjetim, që duket se premton të të shoqërojë deri në kufi…

Kufiri nuk i ngjan dhe aq shumë atij të parit. Tabela që detyron lëvizjen djathtas, duket si e rënë përtokë; “flet” shkurt dhe hesht. Heshtje ka dhe pak më tej, pas tabele. Policët maqedonas komunikojnë shkurt, gati me shenja me drejtuesin e autobusit, veprojnë pa vonuar; të përcjellin po ashtu. E kësisoj, të jepet ideja se dogana që mban një emër, në fakt, nuk është një dhe e vetme; një tjetër duhet të jetë kjo e kësaj radhe.

Po ashtu, pala shqiptare, mbaroi me procedurat në po aq kohë; pak a shumë, një segment kohe i ndarë përgjysmë.

E gjitha nisi dhe përfundoi brenda 20 minutave. Aq u desh për të vijuar udhëtimin në rrugën e pavijëzuar; tanimë, jo më me sytë poshtë për të kërkuar më kot gjurmë vijash të paqena, por nga tabela e madhe përballë, me shkrimin “Mirë se vini në Shqipëri!”

SOKOL JESHILI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button