Ekonomia

Dokumenti për CEZ-in, 25 pika që Berisha i injoroi

Replika në distancë Basha-Gjiknuri. Zbardhet letra e zyrës avokatore për gjyqin në arbitrazh

Nga Zamir Alushi

Damian Gjiknuri ne Kuvend

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi dje qeverinë se ka firmosur me kompaninë çeke CEZ-Group, marrëveshjen që përbën skandalin ekonomik të shekullit, pasi, sipas kreut të PD-së, është pala çeke ajo që i detyrohet Shqipërisë plot 3 miliardë dollarë. Menjëherë është përgjigjur ministri Gjiknuri, i cili ka cituar pjesë të një dokumenti konfidencial të dërguar qeverisë nga zyra avokatore që ndiqte çështjen në arbitrazh.

Letra e zyrës avokatore

Ministri Gjiknuri theksoi se opozita është e prirur të sulmojë gjithçka bën qeveria. Ai përmendi letrën e zyrës avokatore ku renditeshin 25 rekomandime dhe plani i veprimit që duhet të ndiqej nga pala shqiptare në lidhje me konfliktin me CEZ. Gjiknuri u shpreh se qeveria “Berisha” nuk plotësoi asnjë nga pikat. Sipas tij, në vitin 2012, qeveria u bëri favor çekëve, duke u ulur çmimin, ndërkohë që lidhi një kontratë me 300 mijë dollarë me “Patton Boggs”, por duke lënë pa paguar kompaninë e auditimit. “Zyra avokatore, më 30 shtator 2013, thotë: ‘Sipas memorandumit dhjetor 2012, duhet të ndiqeshin disa rekomandime esenciale që Shqipëria të kishte shanse të fitonte çështjen. 1. Përfshirja e ekspertëve për vlerësimin teknik dhe financiar që u bë vetëm në kohën e qeverisjes sonë. Ne e morëm për një arsye, që nëse nuk funksiononte procesi i negocimit do të përballeshim me arbitrazhin; 2. Rekomandimi për ngritjen e një grupi pune për mbledhjen e provave dhe vlerësimin financiar.

2013.09

Nuk u realizua nga qeveria. Në takimin e Tiranës në prill 2012, ku ka qenë prezent zoti Mima, rekomanduam që Shqipëria të padiste e para shoqërinë çeke. Edhe pas ikjes sonë, asnjë gjë nuk u bë, nuk u krye as pagesa për shërbimet juridike. Asnjë nga rekomandimet tona nuk është përmbushur’”, citon Gjiknuri letrën e zyrës avokatore. Ministri Damian Gjiknuri i cilësoi si spekulime akuzat e kreut të opozitës, Lulzim Basha, lidhur me marrëveshjen e bërë me kompaninë çeke CEZ. Sipas Gjiknurit, marrëveshja u bë me mirëkuptim dhe në prani edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Ai u shpreh se marrëveshja ishte zgjidhja më e favorshme për vendin. “Ne kontaktuam me zyrën avokatore, lidhëm kontratat. Para Shqipërisë ishin dy opsione: procesi të vazhdonte me vite i ngrirë ose zgjidhja me mirëkuptim. Zgjodhëm të gjejmë një zgjidhje të shpejtë me kosto të ulëta financiare. Kompania CEZ ka kaluar në një faliment total. E vetmja vlerë që u pranua ka qenë një pjesë e kredive dhe furnizim i energjisë elektrike dhe disa fatura. Nuk kishim asnjë shans për ta fituar atë çështje ose të themi që kishim shanse të pakta. Zyra profesioniste e arbitrazhit tha se Shqipëria humbi shanset. Kush tha që u kemi njohur çekëve investimet. Këto vlera ia kanë njohur organet që kontrollonte qeveria ‘Berisha’ me telekomandë. Duhet të ulin kokën me turp para një megaskandali dhe megamashtrimi. Lanë një kufomë energjetike. Neglizhencë që ka sjellë miliarda dollarë pasoja”, replikoi Gjiknuri në distancë me Bashën. “Sektori i energjisë po zhytej në krizë, për shkak të keqadministrimit dhe mbylljes së syve. Borxhi shkonte një miliard dollarë dhe kërcënohej furnizimi me energji. Iu sugjerua qartë qeverisë që e vetmja rrugë ishte zgjidhja me mirëkuptim, për arsye se sektori kishte nevojë për investime dhe pa këto investime kërcënohej furnizimi me energji”, deklaroi Gjiknuri.

Basha: Qeveria keqpërdor emrin e avokatit
Basha tha se raportet e një kompanie audituese, nxjerrin në pah se çështja në arbitrazh mes CEZ-Group dhe Shqipërisë, ishte e fituar nga qeveria shqiptare. “Raporte që disponohen nga opozita thuhen me fakte dhe shifra se Shqipërisë CEZ i detyrohet 3 miliardë dollarë. Kompania u shkatërrua me qëllim nga CEZ-Group, se paratë s’ishin marrë për investime. Vlera e kompanisë ishte zeruar. Paratë e investimeve ishin kthyer në parajsa fiskale nga kompanitë fantazmë të kontraktuara prej CEZ-it. Heqja e licencës nga ERE ishte e drejtë. Paditë e CEZ-it ishin të pajustifikuara. Qeveria i mban të fshehura këto raporte dhe keqpërdor emrin e avokatit ndërkombëtar”, tha Basha. Ai u bëri thirrje deputetëve të së majtës të mos e votojnë marrëveshjen me CEZ-in. Dje Kuvendi miratoi marrëveshjen e arritur nga qeveria me CEZ-in, duke mbyllur konfliktin e nisur nga qeveria ‘Berisha’ më 2012-n.  Qeveria kishte rënë dakord për t’i paguar palës çeke 95.5 milionë euro (së bashku me interesin), të ndara në këste.

Bilanci i CEZ-it

Humbjet – Për vitin 2013, sipas raportit të auditit, CEZ Shpërndarje ka rezultuar me një humbje prej 450 milionë eurosh

Të ardhurat – Sipas bilancit, të ardhurat e kompanisë në vitin 2012 ishin 37.8 miliardë lekë apo 269.8 milionë euro

Shpenzimet – Shpenzimet ishin dyfish më të larta, ku zëri kryesor është ai i blerjes së energjisë me 285 milionë euro

Blerjet – Shpenzimet në total (blerje energjie dhe shpenzime të tjera), për vitin 2012 arritën në 539 milionë euro

Rrjeti – Gjatë vitit 2013, kompanisë CEZ Shpërndarje humbjet në rrjet i kushtojnë 67 milionë euro

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button