Opinion

Dorëheqja e Blushit, lajm i keq. Rrënjët e dështimit të LIBRA-s nuk janë në popull

Nga Andi Bushati

Dorëheqja e Ben Blushit nga kryesimi i Libra-s është pa dyshim një lajm i keq. Një trishtim, pezëm dhe demoralizim për ata që kanë besuar apo vazhdojnë të kenë gjithnjë e më pak shpresë, se në këtë vend mund të lindë diçka e re, përtej profilit të grabitësit qesharak të Edi Ramës dhe atij të hajdutit harbut të Sali Berishës.

Largimi plot nerv i Blushit, që është vijim i asaj që ndodhi në zgjedhjet e shkuara, na tregon edhe njëherë se ne shkojmë në votime për të mos ndryshuar asgjë. Se ne e kemi të vështirë të rrëzojmë nga pushteti, ata që na vjedhin me koncesionet, me lojërat e fatit, me grataçelat e dhuruara dhe taksat e zvogëluara për oligarkët.

Se ne vazhdojmë të mbyllim sytë përpara politikanëve që kanabizuan vendin dhe që na gënjyen me shëndetësinë falas.

Largimi i tij tregon gjithashtu se edhe kur duam të ndryshojmë, nuk shkojme dot përtej krahasimit mes këtyre të mësipërmve me ata të tjerët që bënë ‘Gërdecin’, ’21 janarin’, ‘vjedhjen e votave’ të Tiranës.

Pra se shkurt, ne zgjedhim për të mos zgjedhur pasi, në fund të fundit, investohemi të përjetësojmë të njëjtin model.

Fillimisht disidenca e Ben Blushit në PS, angazhimi i tij për t’i “folur shoferit”, ngritja e zërit për zbatimin e rregullave, lufta për të pasur minimalisht garë dhe për demokracinë e brendëshme dhe më pas tregimi me gisht i humnerës ku po gremisej Rilindja, ngjallën shpresën e thyerjes së kësaj tradite.

Kjo shpresë u bë më e madhe kur zëri i një njeriu të vetëm u shndërrua në një institucion, që i mbushur me djem e vajza të reja, krejtësisht të pabaltosur nga politika e deri tanishme, synoi të krijonte një lëvizje kundër monoplolit të të dy të mëdhenjve.

Kështu lindi aventura eksituese e Libra-s, me emër po aq simpatik sa edhe idetë, që nuk pranoi të futet në asnjë koalicion, që nuk u financua nga asnjëri prej oligarkëve të mëdhenj, që nuk shfaqi dot një spot në ekranet kombëtare, që nuk përdori asnjë të forë për të vjedhur vota, që nuk pati asnjë komisioner për t’i ruajtur ato.

Në fund, megjithëse nuk futi dot asnjë deputet, ajo mblodhi plot 20 mijë vota, aq sa nuk arritën t’i bëjnë kurrë të gjithë partitë e reja, që nga 99-shat e Erion Velisë e deri tek presidencialët e Bamir Topit.

Për disa kjo flurudhë disa mujore është një histori e vërtetë suksesi. Në aq pak kohë ajo arriti të bëhet partia e pestë e vendit. Ajo tregoi gjithashtu se në Shqipëri, po rritet me shpejtësi një masë kritike qytetarësh që janë të gatshëm ta tejkalojnë polaritetin e dy gërmadhave në degradim e sipër.

Por, si në historinë e gotës që mund t’a shohësh gjysëm bosh, aventura e Libra-s, mund të konsiderohet gjithashtu një dështim. Fati që ajo nuk arriti të përfaqësohet në kuvend, fakti që 20 mijë votuesit e saj janë, qoftë shumë më pak se ata të PD e PS-së, qoftë shumë më pak edhe sesa abstenuesit, fakti se vendet e aspiruara në parlament i zunë sërish, ose të fortë, ose anonimë, përbën padyshim një zhgënjim.

Mes të zhgënjyerve të kësaj aventure u rradhit sot edhe nismëtari i saj, Ben Blushi, duke shpallur njëkohësisht edhe dorëheqjen edhe largimin nga politika.

Si dikush që në 25 qershor u ktheva gati pas një dekade e gjysëm në kutinë e votimit, për të përkrahur me votë këtë nisëm te re edhe unë ashtu sikurse Blushi nuk ndihem mirë që në këtë parlament, në vend të cilitdo prej rishtarëve të Libras, arritën të hyjnë sërish kriminelë, dordolecë të përzgjedhur nga kryetarët dhe njerëz shpeshherë anonimë e pa asnjë kontribut në debatin publik.

Por, ndryshe nga Blushi, unë bëj pjesë tek ata që nuk i kërkojnë rrënjët e këtij dështimi në popull. Jo, unë nuk besoj se ne kemi të tërë vesin e rendjes pas më të fortit, nënçmimin ndaj të ardhmes, përbuzjen ndaj të resë dhe zhvlërësimin ndaj të drejtës që mbetet gjithnjë më e dobët.

Analiza e mos triumfit të një modeli të ri është më e thellë dhe më komplekse. Ai nuk duhet kërkuar thjeshtë tek votuesit. Por tek ata “trupa të ndërmjetëm” që janë vendosur si një tavan i xhamtë mes një klase politike të korruptuar dhe një elektorati të çoroditur.

“Faji” se përse Libra (ose edhe të ngjashme me të) nuk hyri në parlament, nuk duhet kërkuar tek njerëzit. Por tek një kastë e përbërë nga mediat e regjimit që duan dëshpërimisht status quo-në, nga biznemenë të mëdhej një ndihen më rehat me politikanët që tashmë i kanë korruptuar, me shoqërinë civile që është kapur dhe atrofizuar, me individët me impakt publik që janë zhveshur tashmë nga çdo aspiratë.

Eshtë pikërishisht mungesa ose pasiviteti i kësaj elite që e bën të pamundur që një demokraci të funksionojë realisht. Dhe në një demokraci që nuk funksionon, zgjedhjet janë thjesht një farsë.

Pikërisht kjo kastë u vendos si një digë mes Libras dhe elektoratit.
Asnjë nga mediat e mëdha, megjithëse i dhanë kohë Blushit, nuk e mbështeti frymën apo idetë e kësaj partie. Asnjë nga biznesmenët e mëdhenj, megjithëse mund të shtireshin miqësorë, nuk e financoi atë. Pothuasje asnjë aktivist i shoqërisë apo gazetar me emër nuk ngriti zërin, kur pushteti përdori kriminelë të sapo dalë nga burgu për të njollosur imazhin e kreut të Libras.

Eshtë pra kjo shtresë e vogël në numër, por dominante në shoqëri, që ishte kundër saj.
Prandaj, unë, ndryshe nga Blushi, mendoj se ne nuk kemi një popull për të ndryshuar, por një kastë për të rrëzuar.

Prandaj unë mendoj se Libra dhe librat që mund të pasojnë nuk janë të dënuara të dështojnë. 20 mijë votat e mbledhura në 7 muaj janë prova më e qartë se nuk jemi larg krijimit të një mase kritike e cila do ta demaskojmë gjithnjë e më shumë këtë elitë që i pengon shqiptarët të votojnë lirisht. Ata janë aty. Duhen kërkuar vetëm rrugët për t’i bërë bashkë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button