Opinion

Dorëzania greke dhe dorështrëngimi perëndimor

ARBEN MANAJ

Arben ManajJo shumë ditë më parë, ndërkohë që po flisja me një mikun tim në lagjen ku banoj në veri të Londrës, rrjedha e bisedës shkoi te një shprehje angleze që përdora në bisedë: “Beggers can’t be choosers”, që përkthehet pak a shumë: “Lypsari nuk mund të përzgjedhë çfarë i jepet”.

Një anglez i moshuar, i veshur me tërë elegancë, kalon pranë nesh dhe pas disa hapash, u kthye mbrapsht ku po bisedonim në këmbë dhe na drejtohet me humor, duke na thënë se na kishte dëgjuar që përdorëm këtë shprehje. “Por a mund të them diçka”, shtoi ai: “Beggers can’t be choosers, but they can be boozers”, dhe qeshi, kur edhe ne i buzëqeshëm. Përkthimi është: “Lypsarët mund të mos jenë përzgjedhës, por mund të jenë pijanecë”.

Kjo më vjen ndër mend kur mendoj për atë që po ndodh dhe ka ndodhur në Greqi apo edhe në ndonjë vend tjetër me prirje të theksuara hedoniste e etike pune mesdhetare, shumë e ndryshme nga vendet e Europës Veriperëndimore.

Kriza e borxheve greke dhe vendeve të tjera si Spanja, Portugalia etj., e cila sot ka marrë trajta të ringjalljes dhe ardhjes në pushtet të partive tipike radikale komuniste, e paimagjinueshme për më tepër në Europën e këtij shekulli, është shumë komplekse, për nga origjina e përgjegjësive.

Ajo daton në vitet kur drejtuesit politikë grekë “bënin pallë” me fondet e BE-së që ofronin pensione në moshën 50-vjeçare, jetë buzukësh deri në orët e para të mëngjesit, kur gjasme shkohej direkt e në punë, pasjen e dy a tri shtëpive, dimërore e verore për grekët, pa folur pastaj për pensione minoritarësh, që s’kanë derdhur historikisht kokërr kontributi për pensione në Greqi.

Sakaq, eurokratët syleshë dhe të tejpaguar të Brukselit, me në krye Barrosot e Solanat, “hanin sapunin për djathë” për dekada me radhë, e në vend që të ndëshkoheshin në mënyrë ekzemplare për paaftësi, deri në fund janë trajtuar si mbretër.

Dhe ky është një nga defektet, si shumë të tjera, të një Bashkimi Europian që drejtohet nga njerëz të pazgjedhur nga elektoratet e tyre për të drejtuar BE-në, e cila u përngjan atyre ndërmarrjeve shtetërore apo publike, ku askujt nuk i dhimbset fati i saj, si mall pa zot.

Situata është kjo që është, dhe grekët e goditur nga dorëzania, e cila u ka prishur rehatinë e mënyrës së dikurshme rrumpallë të jetesës, luajnë me tinëzari tipike e të njohur, siç zgjodhën për kundërpeshë Syriza-n, pa reflektuar se kanë mëkate dhe pa qenë as minimalisht mirënjohës.

Madje, bëjnë edhe blofe. Duke e ditur elementin e ndërvarësisë ekonomike dhe financiare nga një Gre-xit prej eurozonës dhe implikimet që mund të ketë ajo në financat e vendeve të tjera të fuqishme të Perëndimit, zgjedhin për kryeministër, pasi nuk kanë çfarë të humbasin, një çun mamaje që nuk i ka thënë mirëmëngjesi punës në jetën e vet dhe shantazhojnë, duke harruar se borxhdhënësit nuk e harrojnë shprehjen e famshme: “Paratë e tua në xhepin e tjetrit janë një m … në xhepin tënd”.

Dilema perëndimore ose më saktë, e fuqive të mëdha ekonomike, me në krye Gjermaninë, Britaninë e Francën, është në llogaribërjen e pasjes së Greqisë, e më pas edhe vendeve të tjera në BE, me një kosto të madhe financiare, duke u pakësuar borxhe që shkojnë në trilionë euro apo dhënia e një mësimi dhe mesazhi, se është më mirë një BE me një vend më pak, për t’u bërë shembull për të tjerët që po kopjojnë ose po tentojnë dhe aspirohen nga precedenti elektoral grek, me tërë konsekuencat që pasojnë.

Nisur edhe nga deklarata e Kancelares gjermane Merkel, duket se do të ketë një luftë nervash dhe dinjiteti, ku rezultati më i mundshëm do të jetë, jo shlyerje borxhesh sesa axhustim i vogël i tyre, pa ceduar në kushtet e dorëzanisë.

Kjo do i shpëtonte fytyrën dhe imazhin Perëndimit e Trojkës, si dhe do të frenonte kapriçiot skandaloze të kapedanit varfanjak Cipras, i cili bashkë me vendin e tij, duket se nuk kanë nxjerrë mësime nga mashtrimi që i bën Unionit dhe duan ta kalojnë sërish lumin pa lagur, në kurriz të suksesit ekonomik të vendeve më të pasura dhe bashkeuropianëve të tjerë më punëtorë.

Nëse Perëndimi nuk tregohet dorështrënguar për dorëzaninë greke apo të të tjerëve dhe lejon borxhliun të tallet me borxhdhënësin, aq më tepër t’i lejojë ta shantazhojë, do të kemi të bëjmë me një recetë toksike praktikash dhe mendësish, që do të jenë një rrezik i madh për partitë politike europiane të qendrës, të ekspozuara ndaj ekstremeve, si të majta ashtu edhe të djathta të politikës, të cilët përmes gjuhës agrikulturore dhe mossofistikimit politik, për shkak të mungesës evidente të përvojës në qeverisje, si partizanë të ardhur nga mali pas luftërave, luajnë me varfërinë dhe privacionet njerëzore dhe fatet kombëtare.

Barqet bosh shpesh zbusin kafshët, ashtu si edhe xhepat bosh zbusin njerëzit. Por kjo e fundit nuk po ndodh, përkundër pritshmërisë, e cila më shumë, ka gjasa të jetë fillimi i poshtëdrejtimit sesa fundi i poshtërimit të predikuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button