Dosja e reklamave, Arben Imami drejt “pafajësisë” nga Prokuroria e Tiranës
Kallëzimi
Grupi hetimor u propozon drejtuesve të akuzës pushimin e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes
Denoncimi – Kodheli denoncoi Imamin për “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë në tender”, ndërsa bëhet fjalë për tenderin e reklamave me vlerën 1.2 milionë USD
Dëshmia – Imami ka përmendur se procedurat e tenderimit janë kryer duke u bazuar në një vendim të Këshillit të Ministrave. Në fakt, mësohet se ish-ministri i Mbrojtjes ka pohuar se VKM-ja është marrë në vitin 2004
Dosja – Në gjykatë mund të shkojnë disa vartës të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Në prokurori janë pyetur një numër i madh personash, si anëtarët e komisioneve të vlerësimit të ofertave për tenderët e reklamave
Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i “shpëton” kallëzimit të parë të Mimi Kodhelit, pasi prokuroria ka gati një vendimmarrje për pushimin e hetimeve për dosjen e tenderit të reklamave. Megjithëse s’e ka vendosur zyrtarisht, Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, u ka propozuar drejtuesve të këtij institucioni që Imami të shpallet i “pafajshëm”, pasi nuk janë gjetur elemente të veprës penale. Tashmë, drejtuesit e akuzës së kryeqytetit, por edhe asaj qendrore, u duhet të firmosin një nga vendimet më të vështira, pasi në çdo rast mund të kontestohen. Megjithatë, prokuroria mund të korrigjohet me dosjet që ka nën hetim, siç është kërkimi i thesarit në Mokër, apo blerja e pajisjes së përgjimit për 1.6 milionë euro, kur në “treg” kjo pajisje mund të merrej me rreth 300 mijë euro.
Grupi hetimor
Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për gazetën Shqip se hetuesit e çështjes u kanë propozuar drejtuesve të Prokurorisë së Tiranës që hetimet ndaj Imamit të pushohen, pasi nuk janë gjetur elementë të veprës penale, në lidhje me urdhrat apo me procedurat e tenderit. Grupi hetimor mësohet se ka faktuar se të vetmit përgjegjës për këtë çështje mund të jenë disa vartës së të Imamit, që kanë kryer të gjitha procedurat, teksa kanë qenë kryetarë apo anëtarë të komisionit, ku kanë vendosur edhe për fituesit, të cilët dyshohet se ishin të paravendosur. Megjithatë, hetimet duket se janë zvarritur sadopak, pasi edhe prokurorja që kishte në duar këtë procedim penal ka marrë leje lindjeje, ndërsa tashmë e gjithë “barra” i ka ngelur drejtuesve të akuzës së kryeqytetit. Dy janë rrugët e këtij procedimi penal, ose të pushohet, ose çështja të transferohet në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila ka të gjithë kompetencën e hetimit të deputetëve apo njerëzve me imunitet. Megjithatë, kjo e dyta ka pak gjasa që të ndodhë, të paktën për dosjen e reklamave, ku hetuesit thonë se përgjegjësia bie mbi vartësit e vetë Imamit. Një muaj më parë, menjëherë pas pyetjes së deputetit Imami, prokuroria tha se është afër një vendimmarrjeje. Ndërkohë, të pyetur sërish pas një muaji, e njëjta deklaratë lëshohet “jemi afër një vendimmarrjeje”. Ngurrimi i hetuesve për Imamin mund të jetë edhe si pasojë e “ndërhyrjeve” nga lart, pasi kjo çështje mësohet se është diskutuar shumë herë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Denoncimi i Kodhelit
Disa muaj më parë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, denoncoi paraardhësin e saj në këtë detyrë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, ndërsa bëhej fjalë për tenderin e reklamave me vlerën 1.2 milionë USD. “Në kundërshtim me ligjin, paratë e MEICO-s i shpenzuat për spote publicitare dhe aktivitete sportive në shumën 120 milionë lekë të reja”, tha në një seancë parlamentare. Ajo akuzoi gjithashtu se vetëm në periudhën maj-qershor 2013 u harxhuan 62 mijë litra karburant. Ndërkohë, pavarësisht se mund të jetë i “pafajshëm” për këtë çështje, Imami mund të hetohet për të tjera dosje, që ndodhen në prokurori. Kallëzimi i dytë i Kodhelit për ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes ka të bëjë me tenderët e Uzinës së Mjekësit për skrap, por edhe për blerjen e tritolit, apo edhe për kalimin e sport-klub “Partizanit” në varësi të Uzinës së Mjekësit. Dosja u verifikua në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas i kaloi asaj të Elbasanit, pasi dyshohet se vepra penale ka ndodhur në Elbasan, ku dhe janë bërë tenderët. Blerja e pajisjes së SHIU-t dhe përgjimi i opozitarëve të djeshëm e ndërkombëtarëve është një tjetër dosje që po hetohet në Prokurorinë e Tiranës. Ka dyshime se kjo pajisje ka përgjuar deputetët e PS-së gjatë kohës që kanë qenë në opozitë, ndërsa blerja e saj me një vlerë rreth 1.6 milionë euro ka ngjallur dyshime, kur në treg kjo pajisje mund të blihej me një çmim shumë më të lirë. Prokuroria ka kërkuar ekspertimin e kësaj pajisjeje. Dosja e katërt ka të bëjë me përdorimin e ushtrisë shqiptare për ruajtjen e Kampionatit Europian të Peshëngritjes në Durrës. Denoncimi i radhës kanë qenë urdhrat e Shërbimit Informativ të Ushtrisë në kërkimet për thesarin në Mokër. s.ç
Reklamat
Akuza ende pa vendim
edhe për Burgajn
Prokuroria e Tiranës ende nuk ka vendosur fatin e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ky i fundit u kallëzua penalisht nga Ministria e Brendshme, ndërsa hetimet u zhvilluan nga Task-Forca. Gjatë hetimeve rezultoi se Burgaj kishte urdhëruar një vartës për të bërë procedurat e tenderimit.