Kryeartikull

Dosjet dhe “ndarja nga e kaluara”

FATOS BAXHAKU

Fatos BaxhakuNë kalendarin e debateve në Kuvend do të bëjë pjesë në tre muajt e ardhshëm edhe një diskutim, eventualisht një miratim, i njërit prej dy projektligjeve që janë paraqitur në lidhje me të famshmen, të shumëpriturën, të shumëdiskutuarën hapje të dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Nuk është as vendi, as personi dhe as koha për të hyrë këtu në detaje të dy projektligjeve që janë paraqitur, kjo më së shumti është punë e ekspertëve juristë apo të organizatave joqeveritare që kanë parë e studiuar përvoja të të tjerëve anekënd Europës Lindore, puna është një pyetje e vetme: a mjafton një ligj i tillë që të arrijmë të themi se edhe ne shqiptarët u ndamë nga e shkuara diktatoriale?

Ligji që duhet të miratohet, dhe ky do të ishte një hap krejt normal drejt demokratizmit të mëtejshëm të jetës sonë të përditshme, është propaganduar si një ndarje me diçka të shëmtuar që ne si shoqëri ose e kemi bërë, ose e kemi pësuar, si një gjë e ligë që nuk dihet se kush na e solli mes nesh “të mirëve”, si një pllangë zifti që nuk hiqet dot as nga kujtesa dhe as nga ndërgjegjja kolektive. Me një fjalë ne, të paktën si popull, paskemi qenë kaherë të mirë, por ja që në 50 vjet na u imponua një grup të liqsh dhe na detyroi që të ishim të këqij njëlloj si ata, madje edhe të qanim me dënesë kur më i madhi i tyre kishte dhënë shpirt. Në opinionin publik është krijuar ideja se me t’u hapur dosjet, më në fund do të mësojmë se kush ishin të mirët e asaj kohe dhe kush ishin të këqijtë. Me pak fjalë, ligji që propagandohet si një zgjidhje e ndarjes me të shkuarën, nuk ka vetëm një kuadër ligjor, juridik, etik, por ka të bëjë edhe më shumë me moralin. Është edhe një lloj autokritike e vendit, kombit, njerëzisë së shqiptarisë, është si të thuash një vijë demarkacioni mes së ligës dhe së mirës, mes viktimave dhe xhelatëve, mes spiunëve dhe të spiunuarve, mes së zezës dhe së bardhës. Goxha peshë vërtet për një ligj të vetëm.

Sikurse e di shumëkush, historia e këtij ligji, që rëndom quhet “i lustracionit” është shumë e gjatë. Ka pasur përpjekje të hershme të ndershme për ta zbatuar atë, por ka pasur edhe përpjekje për t’i mbajtur dosjet si objekt shantazhi ndaj vartësve, apo ndaj kundërshtarëve politikë. Bërja publike, në bazë të disa rregullave të përcaktuara, e dosjeve të Sigurimit, nuk bën gjë tjetër veçse na afron më tepër me familjen e popujve të civilizuar të Europës, andaj hartimi, diskutimi dhe në fazë të fundit, miratimi i një ligji të posaçëm për to është një gjë që duhet përshëndetur, por nga kjo të dalim në konkluzionin se tashmë ne e paskemi lënë pas të shkuarën, kjo në rastin më të mirë, të paktën lë shteg për diskutim.

Në radhë të parë, politika ka sajuar një togfjalësh që tingëllon si fantashkencë: ndarja njëherë e mirë me të kaluarën. Të gjithë e dimë fare mirë se secili prej nesh jemi, në të mirë a në të keq produkt i së shkuarës. Si mundet një njeri, e aq më shumë një grup shoqëror, apo një shoqëri e tërë të ndahet me të shkuarën? Tek e fundit ç’do të thotë kjo? Nëse me këtë politika, për nevojat e saj propagandistike, ka ndër mend që të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, atëherë më së paku duhet të thoshte të nxjerrim mësime nga e shkuara, ose të bëjmë kujdes të mos na rishfaqen hijet e së shkuarës, ose rruga e së ligës që provuam nuk na dha rezultate si në diktaturë, ashtu edhe në demokraci… në vend të kësaj është krijuar ideja në opinion që në 50 vjet diktaturë nuk ishin shqiptarë ata që sundonin me dorë të hekurt. Për brezat e rinj, njësoj si në një film hollivudian, duket sikur Shqipëria ishte invaduar befas nga një grusht njerëzish të lig që bënë çfarë deshën, sunduan, vranë, prenë dhe pastaj u larguan nga vendi, si një tufë UFO-sh mbi një anije mbi një tepsi prej alumini. Në fakt, gjëja është më e ndërlikuar se kaq.

Nuk duhet të harrojmë kurrë se gjallesat që i dhanë udhë diktaturës më të egër në Europë dolën nga ne vetë. A nuk është lufta e famshme e klasave një lloj hakmarrjeje kanunoro-komuniste? A nuk është roli i individit i tejskajshëm një lloj pashai apo beu, të cilit i duhet bërë temena përditë? A nuk është besimi i verbër te partia-shtet besimi njëlloj i verbër si te Babadovleti? A nuk është trajtimi i individit si një raja një lloj komunizmi anadollak? A nuk është mburrja e kotë si vendi më i lashtë, më i moralshëm, më mikpritës, më i besës, më trimi në krejt rajonin një lloj propagande primitive e kohëve të Nuhit? Pyetja më e fundit është: a e pollëm ne diktaturën e Enverit, apo ajo na polli ne? Mund të duket si historia e pulës me vezën, por nuk është aspak ashtu.

Do Zoti, dosjet e Sigurimit do të hapen. Do të mësojmë shumë shpejt se kush na ka spiunuar, të tjerë do të kujtohen edhe se kë kanë spiunuar. Dikush do të plotësojë ndonjë ëndërr të vjetër, të tjerë do të gjejnë paqe me shpirtin e tyre, të tjerë ende mbase do të vihen në siklet: Si edhe ky që ka ndarë bukën me mua paska qenë spiun? Jeta është fort e koklavitur. Autorit të këtyre radhëve këtu e do vjet më parë i thoshte një mik i vjetër, që ka bërë plot 17 vjet burg të rëndë politik: Ju që keni qenë në liri nuk mund ta kuptoni se çfarë ndodhte në Spaç, sado që ne të shkruajmë kujtime nga burgu. Është tjetër gjë të lexosh librat tanë dhe tjetër gjë të gjykosh mbi atë kohë… Tani neve na ka ardhur përgjegjësia që të gjykojmë pikërisht personazhet e asaj kohe. Ka ardhur koha që liria të gjykojë diktaturën, njerëzit e lirë të gjykojnë robërit me shpresë se kështu do të bëjmë një katarsis gjigant kolektiv dhe do të arrijmë në të famshmen “ndarje me të kaluarën”. Nga e kaluara në fakt, nuk do të ndahemi kurrë, ajo është pjesë e historisë sonë. Dhe madje do të bëjmë mirë ta njohim aq mirë saqë të mos guxojë më të përsëritet. Puna është se si të ndahemi nga e liga, nga mynxyrat, nga urrejtja, nga etja e pamat për pushtet dhe pasuri, nga ideja që populli është veçse një raja që kapet për veshi, nga mënyrat anadollake të të bërit politikë, nga klanet sipas të cilave çdo bashkëfshatar i imi ha bukë veç, nga varësia prej robi që shumë herë shfaqim ndaj pushtetit. Nëse bëjmë këtë, edhe ligji i dosjeve do të ketë një kuptim. Në të kundërt do t’i shtojmë vetes një mal tjetër me hakërrima, inate dhe urrejtje, sikurse e kemi pasur jetë e mot zakon.

Related Articles

Nje koment

  1. Nje vere ne uje, mire do hapen dosjet????,por cafre do behet me ato qe i hapen keto dosje,ideatoret,qe i ke sote ne pushtet,i ke ne administrate.dhe me shumice ne Ministrine e Brendshme ,ne sektorin Kontrollit te ceshtjeve te Brensheme,ke vete drejtorin,hahahah futjani kote,po nuk u ndeshkuan ato zore se do ndahemi nga e kaluara e dhjere…..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button