Opinion

Dosjet, muri që ndan ende shqiptarët !

MONIKA SHOSHORI STAFA

Monika Shoshori StafaHija e policisë së fshehtë politike të shtetit ideokratik dhe frika e kontrollit të pushteteve legale prej faktorëve okultë të kohës së vjetër, enden në shoqërinë e sotme shqiptare me të njëjtën fuqi si dhe më parë.

Historitë me Sigurim, kërcënimet me dosje, shantazhet me burimet e fshehta, nuk janë diçka që i takon së shkuarës. Qeverisësit ndërrojnë vendet, duke garantuar se kjo do të jetë hera e fundme që flitet për dosje e pseudonime; ligje për mbrojtjen e jetës publike prej pushteteve të vjetra hartohen e rrëzohen, ndërsa viktimat mbeten po viktima. Të hapen të gjitha dosjet! – thonë qeverisës e opozitarë. Dhe betohen se sapo të miratohet ligji në Shqipëri, do të jetë zhdukur çdo gjurmë e komunizmit. Dy komisione pastërtie me mandat katërvjeçar, komisioni Bezhani dhe komisioni Mezini, u ngritën për të garantuar mbrojtjen e politikës aktive prej pranisë së bashkëpunëtorëve të policisë së fshehtë politike komuniste, por të dy komisionet nuk bënë gjë tjetër vetëm shtuan pseudonimet dhe frikën se po u hapën dosjet do të ndodhë një hata e vërtetë në Shqipëri. E vërteta? Ajo tremb dhe ata që e propagandojnë vetë. Njerëzit ecin kokulur se kjo do të mbetet parodia e radhës me gjakun e të parëve të tyre. Kujtimi i tyre qoftë!

Ligjvënës, ekspertë të huaj, juristë që kodifikojnë të drejtën në përputhje me standardet europiane, përfaqësues të shoqatave të të persekutuarve, shoqata e të drejtave të njeriut, historianë të luftës së ftohtë (nëse i kemi edhe ata aq të hairit), studiues të shoqërive totalitare, shkojnë e vijnë, hapin e mbyllin diskutime, si të çlirohet Shqipëria nga të fshehtat e së shkuarës. Është një draft i hartuar që pret në sirtarë, por loja politike vazhdon. Historia e dosjeve shqiptare është një teatër me kukulla lëvizëse, ku secila palë mban në dorë një alibi për të shkruar një histori që asaj i pëlqen, gjysmën e së vërtetës mos ma thuaj, thotë shprehja, sepse gjysma që mungon nuk e përligj vërtetësinë e saj. Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europën e Lindjes që ende nuk ka një ligj të miratuar të dekomunistizimit të shoqërisë, i vetmi vend që harton ligje për të hapur të gjitha dosjet dhe nuk realizon as minimalen, që ligji formalisht të paktën të miratohet.

E kanë asistuar rregullimin ligjor të kësaj çështjeje jo rastësisht përfaqësues të vendit më problematik sa u takon të fshehtave të së shkuarës, Gjermanisë. Për një periudhë gati gjysmëshekullore, të ndarë në dy shtete dhe të gjendur në dy kampe, gjermanët i janë nënshtruar jo vetëm vigjilencës ideologjike, por edhe dyshimit për shërbim ndaj tjetrit. Edhe shqiptarët kanë qenë nën një mbulim të tillë të dyfishtë prej shërbimeve sekrete. A ka përbërë kjo një pengesë në politikën gjermane të ndarjes prej së shkuarës? A ka qenë frenues fakti që, për shkak të ndarjes politike, njëri shërbim i ka përdorur gjermanët kundër pjesës tjetër të kombit? A duhet të shqetësohet politika shqiptare edhe prej faktit që të paktën dy shërbime të fshehta: Sigurimi dhe UDB-ja, kanë luajtur me fatet e tyre? Specialistë gjermanë të zyrës së hapjes së arkivave të policisë së fshehtë, në Berlin, shpjegojnë se përvoja e tyre në Gjermani tregoi se ata bënë mirë që i hapën herët dosjet, duke treguar kështu se cilët individë të përfshirë në politikë, në poste të larta dhe institucionet gjermane kanë punuar për Sigurimin e Shtetit. Kjo është bërë për figura si në Gjermaninë Lindore ashtu dhe në Gjermaninë Perëndimore, pasi STASI është përpjekur të infiltrojë bashkëpunëtorë të vet edhe në Gjermaninë Perëndimore. Për ta nuk ka qenë ndonjë pengesë fakti që dy shtete gjermane i kanë përdorur njerëzit kundër njëri-tjetrit, ashtu sikurse pushtetet kanë bërë të njëjtën gjë. Sepse hapja e arkivave të STASI-t nuk është bërë për t’u bërë gjyqin fajtorëve në kuptimin juridik, por për t’u dhënë të drejtën qytetarëve dhe për të krijuar instrumentet formale, intelektuale dhe morale të mbrojtjes prej ndikimit të së shkuarës. Kush do të mbajë një post të lartë e të rëndësishëm, duhet të japë llogari për ato që ka bërë në një diktaturë, si dhe për krimet në të cilat ka qenë i përfshirë. Në këtë mënyrë, opinioni ka mundësi të vlerësojë se me kë ka të bëjë. Ndëshkimin e jep vetë qytetari, me anë të mekanizmit të votës, por institucionet e përfaqësimit duhet të mbrohen edhe me mjete ligjore prej depërtimit të njerëzve me përgjegjësi politike dhe penale në shoqërinë e shkuar.

Gjykata Kushtetuese e pat hedhur poshtë ligjin e lustracionit. Hartimi i këtij ligji është realizuar me asistencën e znj. Marianne Birthler, e ngarkuara e Kancelares gjermane për hapjen e arkivave të policisë politike STASI, pranë zyrës së Kancelarit. Ajo i ka shprehur me kohë pakënaqësitë e saj. Ligji u ndaloi ish-funksionarëve të lartë e të mesëm politikë pjesëmarrjen në jetën e sotme politike, por nuk ndaloi qartë depërtimin e pushtetit të fshehtë të ish-bashkëpunëtorëve okultë të Sigurimit. Çdokush do të mendonte, çdo shqiptar i ndershëm, se nëse një ligj i tillë duhej miratuar, ai duhet të formulohej në mënyrë aq të qartë e transparente, sa të garantonte daljen në dritë të së vërtetës si dhe të nxjerrë në pah çdo përfshirje konkrete. Meqenëse i jemi referuar vazhdimisht përvojës gjermane, nga kërkimet, vëmë re se çdo rast i nënshtrohet një verifikimi individual, që nuk mund të bëhet fjalë për të marrë në shqyrtim grupe të tjera në një lloj faji kolektiv, pa parë dhe pa vlerësuar se cili është faji individual i gjithsecilit. Ligji ofroi gjithçka dhe asgjë njëherësh. Mbi të gjitha ligji, nuk u nis prej realizimit të të drejtave të viktimës. Vetëm një ligj që siguron të drejtën e atyre që e kanë pësuar prej mbikëqyrjes ideologjike dhe politike në shoqërinë e vigjilencës mund të premtojë lustracion të shoqërisë. Pikërisht jo hapja, por përdorimi i dosjeve, ka krijuar një frikë të përgjithshme në vend të inkurajimit qytetar; indiferencë dhe mosbesim. Por a mund të flitet për mbarim të tranzicionit politik pa dekomunistizimin jo vullnetar, por me ligj, të pushteteve? Njëzet e pesë vjet pas përmbysjes së komunizmit, në Shqipëri, madje në rrethinat e kryeqytetit, gjenden varreza viktimash, të pushkatuarish me gjyq e pa gjyq. Nuk ekziston ende një regjistër shtetëror nominal i njerëzve që kanë humbur jetën, për shkak të ideve. Rehabilitimi politik i viktimave të së shkuarës është vetëm një eufemizëm pa rehabilitimin juridik të tyre. Zor se mund të flitet ende për një mendësi europiane në Shqipëri, sa kohë që urrejtja vazhdon edhe pas vdekjes, po edhe pas dy dekadash që krimet e komunizmit janë dënuar vetëm parimisht. Zor se mund të ketë një rregullim të vërtetë të instrumenteve mbrojtëse të shoqërisë prej veprimit të së shkuarës, për aq kohë sa hapja e dosjeve nuk shihet si çështje drejtësie, por si problem politik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button