Drafti, Bashkia e Tiranës me 65 këshilltarë, rikthehen lagjet dhe administratorët
Harta e re
Si ndahen lagjet, këshilli më i vogël me 15 anëtarë
NGA ARTEMISA HOXHA
Tirana, si bashkia më e madhe në vend, do të ketë 65 këshilltarë. Kjo është parashikuar në draftin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Gazeta “Shqip” ka zbuluar draftin që po bëhet objekt i konsultimit mes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile, grupit të interesit dhe ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore. Pas shkrirjes së komunave, këto njësi qëndrojnë si zyra administrative. Sipas projektligjit, ky propozim ligjor do të garantojë vijueshmërinë e ofrimit të shërbimeve për qytetarët në të njëjtën komunë sikurse ndodh aktualisht.
Këshillat bashkiakë
Ndarja e re territoriale do të sjellë pikërisht ndryshime edhe në këshillat bashkiakë, kjo pas heqjes së këshillave të komunave apo dhe vetë funksionit të kryetarit të komunave. Referuar draftit të Ministrisë së Çështjeve Vendore për ndryshimin e ligjit organik të qeverisjes vendore, është parashikuar një rritje e numrit të anëtarëve të këshillave në 61 bashkitë, kjo në bazë të kriterit të numrit të popullsisë që ka çdo bashki. Përkatësisht në projektligj është parashikuar që numri më i vogël i anëtarëve në një këshill bashkiak të jetë 15 anëtarë, kjo për bashkitë që do të kenë deri në 10 mijë banorë, si dhe numri më i madh do të jetë 65 anëtarë të këshillit, për bashkitë që kanë mbi 400 mijë banorë. Bashkia Tiranë, e cila në përbërje të saj do të ketë 14 njësi administrative përbërëse, do të ketë dhe numrin më të madh të anëtarëve të këshillit, pra 65 anëtarë. Aktualisht ky këshill ka 55 anëtarë. Ndërkohë që bashkitë që kanë nga 10001 deri në 20000 banorë do të kenë nga 17 anëtarë; bashkitë nga 20001 deri në 50000 banorë do të kenë 25 anëtarë; bashkitë nga 50001 deri në 100000 banorë do të kenë 35 anëtarë; bashkitë nga 100001 deri në 200000 banorë do të kenë 45 anëtarë, si dhe bashkitë nga 200001 deri në 400000 banorë do të kenë nga 55 anëtarë.
Kriteret për lagjet
Sipas projektligjit, është parashikuar që qytetet e mëdha mund të ndahen në njësi më të vogla administrative që quhen lagje, teksa nuk ka ndryshuar ndarja e qarqeve si njësi e nivelit të dytë e qeverisje vendore. Ajo që ndryshon pikërisht në ligj është dhe ndarja e bashkisë së madhe të Tiranës, e cila deri në zgjedhjet vendore të 2015-s do të ketë këtë ndarje me 11 njësi bashkiake. Ndarja e re territoriale e parashikon Qarkun e Tiranës të ndarë në pesë bashki, ku bashkia më e madhe është ajo e Tiranës me 14 njësi përbërëse. Pjesë e bashkive të Qarkut Tiranë janë dhe ajo e Kamzës, Vorës, Rrogozhinës, si dhe Kavajës. “Bashkia e Tiranës përbëhet nga njësitë administrative dhe njësitë bashkiake përbëhen nga qytetet dhe fshatrat. Shtrirja territoriale, emri i qyteteve dhe fshatrave, pjesë e çdo njësie administrative përcaktohet me ligj. Shpallja e qyteteve të reja bëhet me ligj. Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla administrative që quhen lagje. Një lagje mund të krijohet vetëm në territore me mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak. Qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes vendore”, thuhet në draft.
Objektivat
Relacioni i projektligjit parashikon për ndryshime në ligjin organik të qeverisjes vendore përfshin edhe dy objektivat kryesore që synojnë të arrihen nëpërmjet këtyre ndryshimeve. Objektivi i parë është “ruajtja e të njëjtit akses në shërbimet vendore” sipas strukturës së ndarjes së vjetër administrativo-territoriale. Kjo do të thotë që zgjidhja e propozuar duhet të sigurojë që shërbimet lokale ekzistuese të mund të ofrohen njësoj për të gjithë banorët e njësive të reja territoriale, pavarësisht nëse disa prej tyre do të banojnë më larg qendrës së njësisë se sa banojnë sot. Objektivi i dytë është sigurimi i ruajtjes së vendimmarrjes së vogël administrative në nivelin e njësive aktuale bazë të qeverisjes vendore.
Tabela
Numri i anëtarëve të Këshillit Bashkiak
– Bashkitë deri në 10000 banorë 15 anëtarë
– Bashkitë nga 10001 deri në 20000 banorë 17 anëtarë
– Bashkitë nga 20001 deri në 50000 banorë 25 anëtarë
– Bashkitë nga 50001 deri në 100000 banorë 35 anëtarë
– Bashkitë nga 100001 deri në 200000 banorë 45 anëtarë
– Bashkitë nga 200001 deri në 400000 banorë 55 anëtarë
– Bashkitë mbi 400000 banorë 65 anëtarë
Kreu i bashkisë emëron dhe shkarkon pa votim krerët e njësive
Kompetencat dhe çfarë kontrollojnë zyrat administrative
Drafti i përbërë nga 19 nene, në nenin 10 të tij përcakton edhe mënyrën sesi ndryshojnë kompetencat e krerëve të bashkive dhe kryetarëve të këshillave bashkiakë. Kreu i bashkisë do të ketë tashmë kompetencën që të emërojë dhe shkarkojë krerët e njësive administrative përbërëse. Kalimi i kësaj kompetence te kryetari i bashkisë arsyetohet që do të krijojë një menaxhim më të mirë të strukturave dhe nevojave për ristrukturim të administratës, në kushtet kur pas ndarjes së re administrative funksionimi i administratës në qendër dhe në njësitë administrative duhet të reformohen vazhdimisht deri në gjetjen e formës përfundimtare. Kryetarit të bashkisë i shtohet kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative.
Kompetencat e njësive
Administrata e njësisë është parashikuar në këtë draft me ushtrimin e disa kompetencave. “Administrata është pikë e shërbimit me një ndalesë për të gjitha procedurat
administrative në kompetencën e bashkisë; mbikëqyr territorin e njësisë administrative për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat në kompetencën e bashkisë dhe njofton strukturat
kompetente të bashkisë, në rast të konstatimit të veprimeve apo
veprimtarive në kundërshtim me ligjin; mbështet punën e strukturave kompetente të bashkisë në territorin e
njësisë; administron parqet, lulishtet dhe zonat e gjelbëruara, në territorin e njësisë administrative; administron tregjet publike në territorin e njësisë administrative; administron këndet e lojërave, terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë në territorin e njësisë administrative; përgjigjet për ruajtjen e vlerave dhe zhvillimin e veprimtarive
kulturore në territorin e njësisë administrative”, thuhet në nenin 44 të projektit. Gjithashtu, si kompetencë tjetër parashikohet që administrata përgatit dhe propozon planifikimin për investimet në territorin e njësisë administrative dhe mbikëqyr, pas miratimit, zbatimin e tyre sipas ligjit. “Njësia e re propozon, sipas ligjit, emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve dhe objekteve që janë në territorin e njësisë administrative; mbështet, koordinon dhe mbikëqyr veprimtarinë e kryetarëve e kryesive të fshatrave; i propozon kryetarit të bashkisë dhënien e titujve të nderit dhe stimujve për personat brenda juridiksionit të njësisë administrative, si dhe për emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve dhe objekteve
brenda juridiksionit të njësisë administrative; propozon marrjen e nismave në dobi të komunitetit; kryen çdo funksion tjetër të deleguar nga kryetari apo këshilli i bashkisë”.