PolitikaQeveritare

Drafti i qeverisë, kontestohet formula e kompensimit të pronave

Zëvendësministri i Drejtësisë bëri me dije se numri i çështjeve që janë depozituar në Gjykatën e Strasburgut është rreth 390-400 dosje, por pa dhënë një shifër të faturës financiare për shtetin shqiptar.

Eduard Halimi – Strasburgu thotë që vlera e kompensimit duhet të bëhet në bazë të çmimit aktual të tregut të pronave, ndërsa ju thoni që çmimi do përcaktohet sipas vlerës që kishte prona në ’45 apo ’76.

Ylli Manjani – “Me këtë bazë ligjore që kemi nuk është e sigurt që garantohet e drejta e kthimit dhe kompensimit të pronës dhe do na duhej një proces shumë i gjatë, i barasvlefshëm me 4000 vite”

Manjani: Merr parasysh çastin e shpronësimit. Halimi: Po e llogarisni vlerën me çmimin që prona kishte në ’45 apo ’76

Nga Herion Mesi 

Projektligji i ri i qeverisë “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” ka nxjerrë në pah një sërë problemesh. Mënyra e kompensimit të pronave, sipas zërit kadastral të momentit ku është shpronësuar ish-pronari është një çështje që zë debat jo të vogël. Një tjetër problem është se formula e re e kompensimit të ish-pronarëve po cilësohet si jo në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese ose dhe me ato që janë dhënë së fundmi nga ana e Gjykatës së Strasburgut. Drafti i qeverisë u bë objekt i debatit në Komisionin e Ligjeve, ku të pranishëm ishin ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, dhe drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato. Gjatë fjalës së tij, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, deklaroi para deputetëve të komisionit se, me gjithë përpjekjet pozitive të të gjitha qeverive të mëparshme, situata mbetet ende shumë kritike. “Me këtë bazë ligjore që kemi nuk është e sigurt që garantohet e drejta e kthimit dhe kompensimit të pronës dhe do të na duhej një proces shumë i gjatë, i barasvlefshëm me 4000 vite, pasi me këtë ritëm të kompensimit të pronave që ne kemi, me 1600 hektarë në vit, nuk mund të arrijmë të plotësojmë të gjitha kërkesat. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur që ta trajtojë këtë çështje siç duhet, edhe pse nuk insistoj që kjo është formula më e mirë, pasi presim edhe procesin e hapur që duhet ta bëjë ky komision. Megjithatë ne mendojmë se formula reale e kompensimit fizik dhe financiar është kjo që ne kemi paraqitur në projektligj”- theksoi Manjani. Ai u ndal edhe në aspektin kushtetues të trajtimit të debatit të pronave, ku sipas tij ekziston një përplasje ligjore. “Parimi kushtetues i sigurisë juridike të së drejtës së dhënë me ligj, por edhe me eficencën e së drejtës së dhënë. Por kur një e drejtë nuk zbatohet, ajo nuk ka vlerë. Këto dy parime duhet të vihen në balancë për të arritur një konkluzion të arsyeshëm. Formula e kompensimit që ne propozojmë është e përbërë nga tre komponentë: së pari, merr parasysh çastin e shpronësimit, në kuptimin e vlerësimit se çfarë ka qenë kjo pronë; së dyti, vlerën e shtuar të pronës në vite; së treti, kriteri te harta e referencës në hartën e vlerës së shpronësimit. Kjo është një hartë sipas termave të referencës së shtetit”,- tha ministri.

Debatet

Duke marrë shkas nga pohimet e ministrit të Drejtësisë, deputetët e opozitës theksuan se projektligji i sjellë nga qeveria bie ndesh jo vetëm me vendimet e gjykatave të vendit, por nuk merr parasysh as vendimet e Strasburgut për të drejtën e pronarëve të ligjshëm. Deputeti demokrat, Eduard Halimi, deklaroi se projektligji i sjellë nga qeveria: është në shkelje të Kushtetutës, pasi cenohet e drejta e pronës; cenon barazinë e së drejtës së pronës, pasi qeveria merr për bazë interesin publik dhe ajo atë të pronarëve; është në shkelje të vendimeve të Strasburgut dhe Gjykatës Kushtetues, pasi drafti e vlerëson pronën me çmimin e kohës së komunizmit, kur pronarëve iu konfiskua prona nga shteti dhe jo me çmim aktual të tregut të pronave. Por pretendimet e Halimit, sërish do të kundërshtoheshin nga kreu i kthimit dhe kompensimit të pronave, e cila deklaroi se çmimi i vlerës që do përcaktohet për kompensim, do të jetë në bazë të çmimit aktual të tregut.

“Nuk është e vërtetë që projektligji i referohet çmimeve të viteve ’45. Në asnjë paragraf të këtij projektligji nuk e gjeni këtë lloj deklarate. Përdoret çmimi i hartës së vlerës së pronës, një çmim i cili nxirret bazuar nga një VKM që përcakton metodologjinë e nxjerrjes së hartës së vlerës së pronës të miratuar nga ana e qeverisë suaj kur ju keni qenë ministër Drejtësie”,- tha Qato. Ndërsa i rikthyer në komision pas rreth dy muajsh mungese, kreu i republikanëve Fatmir Mediu, hodhi dyshimet e tij për realizueshmërinë e këtij procesi, pasi, sipas tij, qeveria aktuale e përdor çështjen e pronave për qëllime politike, duke përfshirë në këtë proces edhe ALUIZNI-n, i cili sipas tij legalizon pronarët e paligjshëm, duke dëmtuar pronarët realë. “Me ç’lloj shteti kërkoni ta zbatoni këtë ligj? Çdo vit shtohen zonat informale që futen në procesin e legalizimit. Nga ana tjetër përdoret politikisht nga qeveria një institucion gjigant siç është ALUIZNI që legjitimon të paligjshmen, si do t’i jepet zgjidhje çështjes së pronarëve realë për ato legalizime pa kriter që u shpërndanë së fundmi në fushatë nga qeveria? Cilat janë arsyet për mosveprim me ligjin e pronave? A i reflekton ky ligj, vendimet e gjykatës së Strasburgut? Sa është sasia e kthimit apo e kompensimit fizik?”, pyeti Mediu drejtoreshën e AKKP-së Sonila Qato. Në përgjigjen e saj, Qato garantoi se drafti është konsultuar me grupet e interesit dhe në të janë reflektuar të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Strasburgut, si dhe të gjitha mendimet e propozuara në këtë institucion. Lidhur çështjen e legalizimit të zonave informale, ajo tha se në zonat informale ku pronarët u përkasin këtyre zonave dhe nëse do të ketë hapësira të lira, mund t’iu kthehet prona e tyre aty ku do të jetë e mundur. Lidhur me përballimin e faturës financiare të kompensimit të pronave, ajo deklaroi se aktualisht po shqyrtohen 10-11 mijë dosje nga 26 mijë të tilla që disponon AKKP-ja. Sa i përket fondit të kompensimit të pronarëve, ajo bëri me dije se janë rreth 23 mijë hektarë tokë bujqësore në dispozicion me vlerë 33 miliardë lekë, janë 72 mijë hektarë tokë pyje e kullota, me vlerë rreth 50 miliardë lekë, si dhe janë rreth 2.4 miliardë lekë vlerë objektesh dhe ndërtimesh që janë gati për kompensim. Ndërsa shtoi se në vitin 2014 janë hequr 18 mijë hektarë tokë nga fondi i kompensimit për të vënë në dispozicion 23 mijë hektarë që janë aktualisht. Pikërisht këto të dhëna kanë shkaktuar reagimin e deputetit të PD-së, Arben Ristani, i cili akuzoi AKKP-në dhe qeverinë se nga fondi i kompensimit kanë hequr mijëra hektarë tokë në bregdetin e Sarandës për qëllime klienteliste dhe korruptive. Por, nga ana e saj, Qato deklaroi se fondi i kompensimit të krijuar në 2008 ka qeveria “Berisha” prej 18 mijë hektarësh është një fond fantazmë, pasi sipas saj në atë fond nuk janë përcaktuar se ku është pozicionuar gjeografikisht ky fond. Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Oerd Bylykbashi, akuzoi AKKP-në se për dy vite, përmes një vendimmarrjeje të paligjshme, ka bllokuar zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe se gjatë kësaj kohe AKKP-ja nuk ka shqyrtuar asnjë nga dosjet që ajo ka për shqyrtim. Por duke mos e mohuar një akuzë të tillë, kreu i AKKP-së e justifikoi këtë bllokim me argumentin se gjatë këtyre dy viteve, agjencia që ajo drejton, ka bërë të mundur krijimin e regjistrit elektronik të pronave, dhe siç tha ajo nuk mund të merrej asnjë vendim pa bërë më parë analizën studimore të situatës së pronave në të gjithë vendin.

23 mijë dosje

Çështja e pronave dhe e drejta e pronarëve për të gëzuar këtë të drejtë do të kërkojë ende shumë kohë për t’u zgjidhur. Kjo pasi janë mbi 26 mijë vendime të gjykatave të vendit në favor të pronarëve që presin ekzekutimin e tyre nga AKKP-ja, si dhe janë rreth 400 çështje që po shqyrtohen nga Gjykata Europiane e Strasburgut, të cilat pritet t’i shkaktojnë një faturë të madhe financiare shtetit shqiptar në të ardhmen. Dhe gjetja e një zgjidhjeje të kësaj situate kritike të krijuar në këto 25 vite ka shkaktuar debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, i cili nisi shqyrtimin e projektligjit më të ri të qeverisë për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, ku qeveria deklaron se ka vënë në dispozicion të këtij procesi një fond të ngrirë prej 50 miliardë lekësh.

 

Përllogaritja

Sipas projektligjit, prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit. Prona e kthyer vlerësohet sipas statusit aktual në hipotekë dhe sipas klasifikimit që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës, që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button