☀️
Tiranë 20°C · Kthjellët 28 April 2026
S&P 500 7,121 ▼0.74%
DOW 49,179 ▲0.02%
NASDAQ 24,565 ▼1.29%
NAFTA 99.21 ▲2.95%
ARI 4,606 ▼1.87%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1728 EUR/GBP 0.8660 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 95.6411 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4367 EUR/TRY 52.8371 EUR/JPY 186.88 EUR/CAD 1.5974 EUR/USD 1.1728 EUR/GBP 0.8660 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 95.6411 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4367 EUR/TRY 52.8371 EUR/JPY 186.88 EUR/CAD 1.5974
₿ CRYPTO
BTC $76,036 ▼ -0.82% ETH $2,282 ▲ +0.08% XRP $1.3767 ▼ -1.05% SOL $83.5300 ▼ -0.95%
S&P 500 7,121 ▼0.74 % DOW 49,179 ▲0.02 % NASDAQ 24,565 ▼1.29 % NAFTA 99.21 ▲2.95 % ARI 4,606 ▼1.87 % S&P 500 7,121 ▼0.74 % DOW 49,179 ▲0.02 % NASDAQ 24,565 ▼1.29 % NAFTA 99.21 ▲2.95 % ARI 4,606 ▼1.87 %
EUR/USD 1.1728 EUR/GBP 0.8660 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 95.6411 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4367 EUR/TRY 52.8371 EUR/JPY 186.88 EUR/CAD 1.5974 EUR/USD 1.1728 EUR/GBP 0.8660 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 95.6411 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4367 EUR/TRY 52.8371 EUR/JPY 186.88 EUR/CAD 1.5974
28 Apr 2026
Breaking
Opinion

Drejtësia dhe kafazi nuk shkojnë bashkë

Nga BATON HAXHIU

Kam vizituar shumë kopshte zoologjike në jetë dhe, si shumëkush, kam parë transformimin e tyre. Dikur hekurat ishin gjuha brutale e kontrollit. Pastaj erdhën xhamat. U quajtën më humane, më moderne, më qytetëruese. Por gjithmonë kam menduar se ai transformim nuk u bë për kafshët brenda, por për syrin jashtë. Ishte estetikë e pushtetit, jo humanizëm. Hekuri të tregonte forcën. Xhami ta bënte poshtërimin elegant.

Në të dy rastet, kafsha nuk ekspozohej për veten e saj, por për shikimin e tjetrit, për publikun, për spektaklin, për atë ndjesinë e çuditshme ku shikuesi bindet se po vështron rend, ndërsa në të vërtetë po sheh dominim.

Kur pashë atë kafaz të blinduar dhe të qelqtë ku ishte vendosur Ilir Meta, mendja më shkoi aty. Te ai evolucion i rremë i kopshtit zoologjik. Nga hekuri te xhami. Nga brutaliteti i dukshëm te poshtërimi vizuel.

Dhe më tronditi një mendim më i rëndë se vetë pamja. Se modeli i kafazit për njeriun është huazuar nga hapësira ku njeriu dikur ka mbyllur kafshën.

Qoftë për poshtërim, qoftë për siguri, qoftë për të eliminuar frikën e gjykatës nga i pandehuri, simbolika mbetet e njëjtë.

Nuk mbroj as mëkatet politike të Ilir Metës, as korrupsionin për të cilin akuzohet. Kjo nuk është mbrojtje e fajit. Kjo është mbrojtje e një kufiri moral që drejtësia nuk duhet ta kalojë.

Sepse kur një gjykatë vendos një ish-president, apo cilindo njeri, në kafaz xhami si subjekt rreziku, problemi nuk është më vetëm Ilir Meta. Problemi është vetë ideja e drejtësisë.

Drejtësia mund të hetojë. Mund të ndëshkojë. Mund të privojë lirinë. Por nuk ka të drejtë të poshtërojë dinjitetin.

Kafazi nuk është instrument drejtësie. Është simbol. Dhe simbolet kanë moral.

Kur drejtësia fillon të përdorë simbole poshtërimi, ajo fillon të humbë neutralitetin e saj dhe merr trajta pedagogjie frike. Atëherë gjykimi nuk është më vetëm procedurë. Bëhet shfaqje. Dhe shfaqja është gjithmonë tundimi i pushtetit.

Në histori, pushteti gjithmonë ka dashur ta ekspozojë njeriun para se ta dënojë, ta turpërojë para se ta gjykojë, ta zvogëlojë para se ta mundë. Kafazi është pjesë e kësaj tradite.

Prandaj kjo nuk është çështje simpatie për Metën. Është pyetje për ne. Çfarë drejtësie duam. Një drejtësi që dënon me qetësinë e ligjit. Apo një drejtësi që demonstron forcë përmes poshtërimit.

Sepse burgu mund të jetë masë sigurie. Kafazi është gjuhë pushteti. Dhe drejtësia nuk duhet të flasë kurrë me gjuhën e kafazit.

Një shtet që e fut njeriun në kafaz para se ta dënojë, rrezikon të mos gjykojë më si republikë, por si spektakël.

Kam menduar shpesh se qytetërimi nuk matet me mënyrën si i trajton të pafajshmit, por me mënyrën si i trajton ata që i akuzon. Sepse pikërisht aty shihet kufiri mes drejtësisë dhe hakmarrjes. Kafazi e turbullon atë kufi. E bën drejtësinë të ngjajë si akuarium.

Një akuarium ku publiku sheh, shteti ekspozon, dhe njeriu brenda nuk është më vetëm i pandehur, por objekt. Dhe aty fillon rreziku. Sepse në çastin kur njeriu bëhet objekt, drejtësia pushon së qeni drejtësi. Ajo bëhet ritual pushteti.

Dhe unë pikërisht këtë pashë mbrëmë. Jo thjesht një kafaz, por një metaforë të gabuar të shtetit.

Sepse kafazi dhe drejtësia nuk shkojnë bashkë. Asnjëherë.

Dhe ndoshta kjo është fjalia që duhet të na shqetësojë më shumë. Nuk është se një politikan u vendos në kafaz. Është se një ditë kafazi mund të normalizohet si formë drejtësie.

Dhe atë ditë, nuk do të kemi humbur vetëm dinjitetin e të akuzuarit. Do të kemi humbur dinjitetin e republikës.

Post Scriptum

Për ata që e kanë projektuar këtë kafaz si shpikje sigurie, duhet thënë një gjë me ironi të ftohtë. Kanë menduar se po e forconin drejtësinë, ndërsa vetëm e kanë dekoruar frikën.

Ndoshta autori i këtij vendimi meriton një medalje nga arkitektët e kopshteve zoologjike. Ka marrë teknologjinë e ekspozimit të bishës dhe e ka futur në sallën e gjyqit si risi institucionale.

Çfarë imagjinate.

Të kthesh republikën në pafuqi dhe poshtersi dhe procedurën penale në vitrinë.

Nëse kjo është reformë, atëherë ndoshta nesër do të kemi edhe tabela para të pandehurve, me përshkrime biologjike, zakone ushqimore dhe shkallë rrezikshmërie.

Vetëm një mendje burokratike e dehur me pushtet mund të mendojë se dinjiteti është luks procedural.

Dhe vetëm një drejtësi me kompleks force mund ta ngatërrojë kafazin me autoritetin.

Por historia është mizore me këto shpikje.

Sepse zakonisht ata që ndërtojnë kafaze për të tjerët, përfundojnë duke u gjykuar nga kafazet që kanë shpikur vetë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.