⛅
Tiranë 20°C · Pjesërisht vranët 13 Tetor 2026
S&P 500 7,800 ▼0.09%
DOW 52,176 ▲0.63%
NASDAQ 27,139 ▼0.39%
NAFTA 92.93 ▼0.86%
ARI 4,207 ▲0.39%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1171 EUR/GBP 0.8451 EUR/CHF 0.9313 EUR/ALL 91.6693 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3987 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 177.09 EUR/CAD 1.5944 EUR/USD 1.1171 EUR/GBP 0.8451 EUR/CHF 0.9313 EUR/ALL 91.6693 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3987 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 177.09 EUR/CAD 1.5944
₿ CRYPTO
BTC $83,486 ▲ +1.13% ETH $2,511 ▼ -0.54% XRP $1.3679 ▼ -1.16% SOL $107.0000 ▼ -2.66%
S&P 500 7,800 ▼0.09 % DOW 52,176 ▲0.63 % NASDAQ 27,139 ▼0.39 % NAFTA 92.93 ▼0.86 % ARI 4,207 ▲0.39 % S&P 500 7,800 ▼0.09 % DOW 52,176 ▲0.63 % NASDAQ 27,139 ▼0.39 % NAFTA 92.93 ▼0.86 % ARI 4,207 ▲0.39 %
EUR/USD 1.1171 EUR/GBP 0.8451 EUR/CHF 0.9313 EUR/ALL 91.6693 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3987 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 177.09 EUR/CAD 1.5944 EUR/USD 1.1171 EUR/GBP 0.8451 EUR/CHF 0.9313 EUR/ALL 91.6693 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3987 EUR/TRY 55.1128 EUR/JPY 177.09 EUR/CAD 1.5944
13 Tet 2026
Breaking
Opinion

Drejtësia nuk matet me numrin e njerëzve që poshtëron publikisht

Nga Ilir Demalia

Në Shqipëri media, politika dhe drejtësia janë futur në një cikël ku informacioni shpesh nuk prodhohet për të ndriçuar të vërtetën, por për të krijuar kaos. Akuza, dyshime dhe gjykime televizive shpallen shumë kohë përpara se të flasë drejtësia. Kur gjithçka kthehet në skandal, publiku lodhet dhe humbet besimin te e vërteta.

SPAK-u dhe rrjedhjet hetimore janë një nga problemet më serioze me rrjedhjet e pretenduara të të dhënave nga hetimet, të cilat përfundojnë në portale dhe emisione televizive. Gazetaria investigative ka rol të domosdoshëm në një demokraci, por nuk mund ta shndërrojë sekretin hetimor në spektakël apo informacionin e pakonfirmuar në verdikt.

Sekreti hetimor ekziston për të mbrojtur integritetin e hetimit, të drejtat e palëve dhe procesin e rregullt ligjor. Prandaj duhet të bëhen pyetje të qarta: nga burojnë këto informacione, kush i nxjerr, me çfarë autorizimi dhe për çfarë qëllimi? Nëse të dhënat e mbrojtura nga ligji nxirren në mënyrë të paligjshme, duhet të ketë përgjegjësi juridike dhe disiplinore.

Problemi nuk është që publiku informohet për hetimet, por mënyra selektive dhe e pakontrolluar e përdorimit të informacionit. Një fragment dosjeje mund të shndërrohet në akuzë, akuza në bindje dhe bindja në dënim moral, përpara se gjykata të ketë dhënë një vendim.

Kur informacioni del në mënyrë të njëanshme, ai mund të përdoret si mjet presioni mbi personat e përfshirë, institucionet dhe opinionin publik. Mjafton që dikush të përmendet në një dosje ose të thirret në prokurori që emri i tij të vendoset në qendër të një gjyqi publik. Nëse çështja më vonë pushohet ose personi shpallet i pafajshëm, korrigjimi rrallëherë ka të njëjtën audiencë si skandali fillestar.

Prandaj institucionet duhet të sqarojnë kush mban përgjegjësi për rrjedhjet, si mbrohen të dhënat hetimore dhe çfarë mekanizmash kontrolli funksionojnë. As prokuroria nuk mund të jetë mbi ligjin, as gazetaria nuk mund të shërbejë si mbulesë për shkeljen e tij.

Hetimi i një gjyqtari nuk është i ndaluar. Nëse ka dyshime të bazuara për korrupsion apo vepra të tjera penale, ato duhet të hetohen. Por, për shkak se gjyqtarët janë pjesë e një pushteti të pavarur, çdo veprim ndaj tyre duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm, proporcional dhe i kontrolluar sipas procedurave.

Kontrolli i telefonave dhe përdorimi i komunikimeve nga SPAK si prova nuk përbëjnë automatikisht presion mbi gjyqësorin. Kjo varet nga baza ligjore, autorizimet dhe mënyra e zbatimit. Megjithatë, nëse këto masa përdoren arbitrarisht ose informacionet e mbledhura shndërrohen në mjete ekspozimi publik e presioni institucional, dëmtohet pavarësia e gjyqësorit.

Një gjyqtar që merr vendime nën frikën e rrjedhjes së komunikimeve, ekspozimit selektiv apo fushatave të diskreditimit nuk vepron në një mjedis të shëndetshëm institucional. Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj personal i gjyqtarit, por garanci për qytetarin që çështja e tij të gjykohet pa frikë dhe ndikime të jashtme.

SPAK-u ka një mision të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, por legjitimiteti i tij varet nga respektimi i ligjit, kompetencave institucionale dhe përgjegjësisë publike. Një institucion që lufton abuzimin me pushtetin duhet të kujdeset që pushteti hetimor të mos perceptohet si i pakontrolluar.

Drejtësia nuk është spektakël dhe as garë për të prodhuar emra në titujt e lajmeve. Ajo është proces, provë, procedurë dhe vendim i arsyetuar. Çdo shkurtim i këtyre hallkave mund të prodhojë një padrejtësi të re.

Gjyqi mediatik dhe humbja e besimit

sot nga ekranet portalet dhe studiot televizive mund të zëvendësojnë tribunën e propagandës. Mjetet kanë ndryshuar, por rreziku mbetet i njëjtë: individi mund të dënohet në sytë e publikut shumë kohë përpara se drejtësia të ketë folur.

Kur qytetari nuk dallon më provën nga thashethemi, hetimin nga propaganda dhe drejtësinë nga arbitrariteti, humbet besimi te vetë e vërteta. Në një shtet demokratik, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por asnjë institucion nuk duhet të jetë vetë ligji.

Drejtësia nuk matet me numrin e njerëzve që poshtëron publikisht, por me aftësinë për të provuar fajësinë sipas ligjit, për të mbrojtur të drejtat e qytetarit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve. Kur zhurma bëhet ligj, e vërteta është viktima e parë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.