Teater

Dua të më përqafosh fort

“Dashuri me çdo kusht”, komedia nën regjinë e Andia Xhungës, këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar

“Shpresoj që një ditë dikush të të shtrëngojë fort në krahët e tij për 20 minuta dhe kështu të bëjnë të gjithë. Mos të të shtyjnë tutje, mos të hedhin vështrimin tej, mos të mundohen të të puthin. E vetmja gjë që duhet të bëjnë është të të shtrëngojnë fort në krahët e tyre, pa asnjë grimcë egoizmi”, kështu shkruan Adrienne Shelly, autorja e komedisë romantike “Dashuri me çdo kusht”, që dje në mbrëmje u ngjit premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Shelly u përpoq që ta shihte teatrin si hapësirën më të mirë ku mund të shihte ekzekutimin e një historie dashurie. Me një pasion për jetën dhe teatrin, Adrienne Shelly shkroi dhe aktroi aq shpesh, sikur ta ndiente fundin e shpejtë të jetës së saj. Në moshën 40-vjeçare, në vitin 2006, ajo u nda nga jeta, duke lënë pas një sërë veprash që sot jo vetëm ekranizohen, por dhe ngjiten në skena të ndryshme teatri kudo në botë. “Dashuri me çdo kusht” është njëra prej tyre. Nën regjinë e Andia Xhungës, në këtë vepër interpretuan aktorët: Adelina Muça, Ervin Doko, Arjola Basho, Enkel Gurakuqi. Në qendër të veprës është një histori dashurie, e mbushur me të gjitha tensionet që ka një lidhje e tillë në kohërat e sotme. Është një avokate e suksesshme, e cila kur merr vesh që burri do ta lërë për një vajzë më të re, vendos ta marrë peng, deri sa ai të ndërrojë mendje. Gjatë kësaj kohe, personazhet zhvishen nga shumë mistere dhe i zbulojnë njëri-tjetrit të vërteta. Në një kohë kur kushtet ekonomike i detyrojnë shumë çifte të jenë më të tërhequr ndaj punës, kjo komedi është për të gjithë ata si një ftesë për të hedhur vështrimin më shumë te marrëdhënia e tyre. Regjisorja Xhunga ka vendosur ta realizojë komedinë si një laborator, duke i lënë aktorët të fusin dhe eksperiencat e veta. Përpara takimit të djeshëm me publikun kryeqytetas, kjo vepër ka hapur siparin e sezonit të ri artistik të teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit. Kjo është një komedi, ku çdo kush ndihet i përfshirë, për shkak të historisë që ka brenda. Zhgënjimi, pasioni për dashurinë dhe frika e humbjes së partnerit që duam e bën publikun të ndihet i përfaqësuar tek aktorët që interpretojnë. Kjo, pasi teatri sipas Shelly-t, duhet të përfaqësojë realitetin. “Teatri përfaqëson për mua fenomenin e ballafaqimit me realitetin, ku shfaqen udhëzimet e imponuara mbi jetën”, do të shprehej Adrienne Shelly. Zgjedhja e regjisores Xhunga është e zgjuar. Ajo donte të ngjiste në skenë një vepër që t’i flasë realitetit të sotëm. Në një kohë kur flitet për krizë të familjes dhe numri i divorceve sa vjen e rritet, “Dashuri me çdo kusht” të bën të reflektosh. Nën skenografinë e Genc Shkodranit, vepra do të jetë gjatë kësaj fundjave në skenën e Teatrit Kombëtar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button