Dudija në parlament
FADIL LEPAJA
Është bërë krejt e zakonshme që në Kosovë të mbahen vetëm zgjedhje të jashtëzakonshme. E zakonshme është ndër ne që qeveritë të vetërrëzohen, parlamenti të mos funksionojë, pjesë të territorit të administrohen nga shtetet fqinje, e në kufij fshatarët që presin pyllin ilegalisht të luftojnë me xhandarmërinë armike. Pra shteti nuk e ruan malin! E jashtëzakonshmja është bërë e zakonshme.
Nëse vjen deri tek edhe një palë zgjedhje të jashtëzakonshme, lufta më e madhe do të jetë se kush do ta ketë në radhët e veta deputetin më të vjetër. Se si e pamë nga këto zgjedhjet e fundit, deputeti më i vjetër e bën ligjin. Është mbi Parlamentin. Pra, lufta do të bëhet për Dudijën.
Për Dudijën po flitet me të madhe në qarqet konspirative. Me kë të shkojë Dudija, ai e formon qeverinë. Nëse pyesni për moshën e saj, ajo vjet ka boll, sa as vet nuk e mban mend sa ka. Dudija si gjyshe që është, është edhe e mbuluar. Poshtë edhe lart. Kjo don të thotë se nuk e kombinon miniqin me shami. E kjo sjell vota plus. Pra, ajo nuk vesh fund të shkurtër, ajo vesh dimija. Dimijat janë veshje tradicionale të femrave, të cilat qepen me 12 metra shtof dhe që krejt ajo masë shtofi palë-palë mbështillet rreth trupit të femrës. Rrenë është se nënat tona nuk kishin celulit! Apo është vetëm spekulim? Kush e di?!
Pra, dimijat janë rrobë e mbyllur, gati, hermetikisht. Tradicionalistët besojnë se dimijat janë meritore për shtimin e kombit nëpër shekuj. Sipas tyre, ato mbronin nga çdo ftohje organet riprodhuese të kombit. Eh, gjyshet tona që tregonin përralla! Edhe Dudija di shumë përralla. Me siguri që do të jetë tepër atraktive në parlament.
Ah, se u ngutëm me parashikue ngjarjet e së ardhmes… e ngjarja kërkund! S’ka ngjarje njerëz! Flora e ka bllokue procesin. Ajo nuk po e thërret seancën konstituive të Parlamentit. Tash nuk po e bënë as për ceremoni. Është e prekur thellë nga sjellja në seancën e kaluar. Nuk ka seancë. S’ka as bojkotim votimi. Tash e tutje, me verdiktin e kushtetueses, të interpretuar nga një deputet i shumicës në Parlament, pra opozitës, deputetët as në tualet nuk shkojnë dot, pa leje. Nuk e them unë, kushtetuesja tha se shumica janë opozitë. Pastaj, edhe Kryeministri i cili mori 1/3 e votave, ka premtuar se nuk lejon të shkelet vullneti i qytetarëve. Se qytetarët, 1/3 paskan qenë, ata që ka votuar për Kryeministrin. Të tjerët janë katunarë! E Kushtetuta nuk e njeh këtë kategori.
Rrugës së kombit, po lëshohesha, gati me rënie të lirë, drejt bregdetit dhe duke rrotulluar butonin, refreni krejtësisht apolitik i një kënge popullore më kujtoi situatën politike në vend. Më frymëzoi për këtë shkrim. Jetoj në një vend, i cili nuk arrin me e konstitue Parlamentin as me votat e 2/3 të deputetëve, veç sepse një deputete, deri atëherë krejt pasive, e ka kuptue tepër seriozisht rolin e saj ceremonial. Aq seriozisht e ka marrë rolin, sa, sipas instruksioneve, ajo nuk e lëshonte as për një sekondë karrigen e kryesueses, për të cilën me durim po priste deputetja më e re në Kuvend. Kështu e kërkon procedura, që seancën konstituive ta udhëheqë deputeti më i moshuar dhe deputeti më i ri, me moshë. Ndërkohë, qeveria në ikje, pa vizion, krejt shpresat për të ardhmen i kishte mbështetur te kjo normë. Opozita më kot mbante shpresë te rinia, se ajo nuk arriti as të ulej në karrigen e kryesueses. Nuk i bënë punë as 2/3 e votave.
“Jelekun me vija, e ka vesh Dudija” po këndonte plot sevda këngëtari popullor dhe me ngjyra të ndezura më pikturoi para sysh radhën ceremoniale të nuseve nëpër dasmat tona kosovare. Fill pas kësaj se si u konektue drejtpërdrejt në program edhe salla e Parlamentit të Kosovës, organit më të lartë të pushtetit në vend. Kuptohet, Parlamenti është organi më i lartë, menjëherë pas Gjykatës Kushtetuese dhe personalisht kryetarit të saj, i cili meqë ra fjala, i rrëzoi dy presidentë, një Kryetar Kuvendi dhe… të tjerët kanë ra vetë! Ai, nuk merret me të vegjël. Kushtetuesja vendos se çka dhe si duhet të votojnë deputetët. Gati gati, edhe për kë.
E çka ka të bëjë kjo me politikë, do të pyesë lexuesi kureshtar, duke ditur për dobësinë time ndaj folklorit tonë politik, sidomos atij qeveritar.
Dudija jonë, natyrisht nuk ka të bëjë asgjë me udhëheqjen ceremoniale të Kuvendit të Kosovës, e cila falë intrigave të ekspertëve konstitucionalë të qeverisë në ikje, u shndërrua në një situatë tragji-komike. Dudija nuk ka faj, se roli i më të vjetrës në Parlament, përndryshe krejtësisht ceremonial, i dha Florës fuqi me e pru vendin në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, sërish të parakohshme.
Dudija, nuk ka faj, sepse askush nuk e kandidoi për deputete deri tani. Dudija i ka mbi 90 vjet dhe është analfabete, por a nuk kanë thënë se një gjysmë analfabet është shumëfish më i rrezikshëm sesa një analfabet. Të tillë ka edhe në Parlament dhe në shtet sa të duash. Pastaj, ajo do të ishte atraktive edhe për disa veçori të tjera. Ajo jo vetëm se është e mbuluar me shami, por edhe me dimi. Kështu lavdin e deputetes së parë me shami do e ndante me atë të koalicionit qeverisës, ndërkohë që padyshim do të ishte deputetja e parë me dimija në Parlament. Me kaq, emancipimi i femrës në institucionet tona do të përmbyllej.
Nëse krejt kjo “lojë” përfundon sërish me zgjedhje të parakohshme, atëherë lidhja asociative mes këngës, Florës, Dudijës dhe jelekut të saj ceremonial do të bëhet realitet.
Por, po flitet se as “blloku” nuk është pa strategji. Ajo tani për tani po mbahet top secret dhe kjo pritet të jetë befasia, për të cilën oligarkia nuk po i kursen as milionat veç me e kuptue. Por… jo! Çile gurin gojën!
Ndërkohë Flora Ceremoniale, si duket do t’i bëjë jo vetëm të presin, por edhe të lusin shumicën e pafat parlamentare. Ajo po flitet se nuk do e thërrasë mbledhjen konstituive derisa të gjithë të mos pajtohen me të dhe rolin e saj historik.
Konstitucionalistët e partisë, të cilët nuk e kanë shumicën në Parlament, por në kushtetuese e kanë, po përflasin skenarë, qysh me e ba normë kushtetuese që ata me qeverisë. I patën apo nuk i patën numrat?
Më nuk them se e kanë kot! Kam thënë disa herë dhe…
“Jelekun me vija …” Dudija është … çelësi!