Durrës, atentat me eksploziv kreut të burgut të Fushë Krujës
Drejtori i burgut të sigurisë së lartë në Fushë Krujë, Arben Sula, ka rënë sot pre e një atentati me eksploziv. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 07:45, në ambientet e Autoritetit Portual të Durrësit.
Burimet zyrtare thonë se Sula ka mbetur i plagosur nga shpërthimi i makinës. Kreu u burgut të Fushë Krujës, drejtonte automjetin me targë AA 654 AC dhe lënda eksplozive ishte vendosur poshtë tij.
I dëmtuari është dërguar fillimisht në spitalin e Durrësit dhe më pas në Tiranë. Nga të dhënat paraprake thuhet se Sula ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ndërkaq në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie për të nisur zbardhjen e ngjarjes. Hetuesit nuk kanë një motiv të qartë për atentatin qi është bërë Arben Sulës. Paraprakisht po hetohen problemet personale që ai mund të ketë pasur ose për shkak të detyrës. Ky është shpërthimi i tretë me tritol që ndodh në qytetin e Durrësit, brenda 48 orëve.
Mëngjesin e të shtunës objektiv i atentatit me tritol u bë Ardian Trota, i njohur ndryshe si i “forti i Kukësit”. Kjo është hera e dytë që Trota bie pre e atentateve. Një vit më parë ai dhe vjehrri i tij mbetën të plagosur. Policia nuk ka mundur që të zbardhë asnjërën prej ngjarjeve. Ndërsa pasditen e djeshme persona të paidentifikuar, shpërthyen me tritol automjetin në pronësi të shtetasit Julian Tuku. Fatmirësisht ky i fundit nuk ndodhej në makinë, në momentet e shpërthimit.