Dy kriteret për marrjen e pensioneve të reduktuara
Deri në tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, çdo person që ka të konfirmuara vjetërsi kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore, ka të drejtë të përfitojë pension të reduktuar.
Krahas kriterit për moshën, për të siguruar këtë pension, përfituesi nuk duhet të jetë i punësuar në veprimtari të ndryshme ekonomike, të jetë punëdhënës, apo i vetëpunësuar. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, përfitimi që marrin këta persona mbetet i reduktuar gjatë gjithë jetës.
Çka do të thotë se kur të mbushin moshën e përcaktuar nga ligji për daljen në pension, nuk mund të kërkojnë kalimin drejt përfitimeve të plota që parashikon skema e pensioneve.
Sa i takon masës së pensionit, ky përfitim llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë i pleqërisë, shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Ky koeficient është 0.6 për qind në muaj.
“Konkretisht, nëse e një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet për shembull në vlerën e 24.000 lekëve, do t’i zbritet 12 për qind (që del nga prodhimi i 20 muajve që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 0.6 për qind, që është koeficienti i mujor i miratuar për pensionin e reduktuar”, bëjnë me dije ekspertët e ISSH-së.
Dorëzimi i kërkesës për dalje në pension të reduktuar, duhet të shoqërohet edhe me dokumentet përkatëse që konfirmojnë vjetërsinë kontributeve dhe kushtet e tjera të përcaktuara për përfitim. Konkretisht dosja e dokumentacionit bazë për përfitimin e pensionit të reduktuar duhet të përfshijë:
Fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë e gjendjes familjare, certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra), vërtetim nga Komuna/Bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit, vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin, dy fotografi.
Ndërsa dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
“Libreza e punës, vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj, vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore, vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme), vendim të degës ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj), si dhe vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët, fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna)”.
Ndërsa për personat që përfitojnë nga ligji “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edh vërtetimi i gjendjes gjyqësore, vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, vërtetimi për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërsa për të verifikuar të ardhurat duhet të dorëzoni vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994), si dhe çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
Formula e llogaritjes së pensioneve për 2017-ën
Për llogaritjen e pensionit përdoret formula:
Pensioni i pleqërisë)= Pension Social * vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* vite sigurimi * (baza e vlerësuar)
Shënim (* = shumëzuar )
Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.
Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës.
Kushtet e përfitimit të pensionit të plotë për nënat me shumë fëmijë
Nënat që kanë shumë fëmijë kanë të drejtë të dalin më herët në pension, ndërkohë që u kërkohet edhe numër më I ulët I viteve të punës në librezë. Kështu, nënat me shumë fëmijë, kanë të drejtë të përfitojnë pension të plotë pleqërie,
Kur arrijnë moshën 55 vjeç, kanë 30 vjet periudhë sigurimi të njohur në librezën e punës, janë tërhequr nga veprimtaria ekonomike, si dhe kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.
Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar përfituesja, me periudhën e sigurimit të kërkuar, 30 vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social.
Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë kontributive. Megjithatë, shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.