Dy mafiozë, një kufomë dhe vëllai i Aleksandër Vuçiçit në Serbi
Nga Enver Robelli
Takohen dy mafiozë në një restorant në Beograd, mikpritës është drejtori i policisë, pastaj dëgjohen të shtëna dhe shumë serbë pyesin: ku është kufoma?
Ky do të ishte një titull i mirë për përshkrimin e një filmi mafioz. Por e vërteta është se çfarë paralajmërohet në titull, ka ndodhur me të vërtetë – në Beograd. Të shkojmë radhazhi.
Senjaku është një lagje në qendër të Beogradit. Aty ndodhen ambasada, rezidenca diplomatike dhe vila luksoze. Senjaku konsiderohet një nga pjesët më të pasura të Beogradit. Aty rrinë të pasurit, të bukurit, por edhe të shëmtuarit (me ndikim) dhe nganjëherë edhe mafiozët.
Në Senjak, në rrugën Istarska 27, gjendet “Restoran 27”, pronarët e të cilit kështu e lavdërojnë lokalin e tyre: “‘Restoran 27’ është një restorant papërmirësueshëm i dashuruar pas mysafirëve; ne jemi këtu kur ju duhet që gjithçka të jetë e përkryer”. Me 16 nga 20 pikë në udhërrëfyesin gastronomik “Gault & Millau”, ky lokal renditet ndër më të mirët në kryeqytetin e Serbisë.
Të martën e kaluar në këtë lokal u takuan dy kryemafiozë kundërshtarë. Ata erdhën me ftesë të shefit të policisë së Beogradit, Veselin Miliq. Qëllimi i Miliqit ishte që t’i pajtonte kryemafiozët. Dhe ku ka vend më të mirë se “Restoran 27”, ushqimi i mirë, atmosfera e mirë, muzika e mirë, emri i rrugës – Istarska 27 – ngjall nostalgji për detin, ndonëse gadishulli i Istrës është larg, në Kroaci, në kufi me Italinë.
Pajtimi i synuar nuk u arrit. Pak pas takimit mafiozët Aleksandar Neshoviq dhe Sasha Vukotiq nisën të fjaloseshin ashpër.
Në përleshje e sipër Vukotiq dhe një vrasës tjetër dyshohet se ia shkrepën dy plumba Neshoviqit. Krejt kjo në prani të shefit të policisë së Beogradit, Veselin Miliq.
Tash rrëfimi bëhet edhe më interesat. Veselin Miliq ka qenë këshilltar i presidentit Aleksandar Vuçiq.
Para 5 viteve Miliq është dekoruar nga Vuçiqi. Ata që marrin dekorata supozohet se i marrin për shkak të meritave e sukseseve të arritura në punën e tyre.
A u nderua Miliqi për shkak të shërbimeve ndaj mafias? Nuk dihet. Por Vuçiqi tha: “Kjo nuk do të jetë më e mundshme”. Që i bie: ka qenë e mundshme që policët të punojnë për mafian. Titullin më interesant e botoi gazeta përherë proqeveritare “Politika”: Narkodilerët nuk do të lejohen më të bartin karta identifikimi të shërbimit sekret. A domethënë kjo se deri më tani një gjë e tillë ka qenë e mundur? Me gjasë po.
Të kthehemi te “Restoran 27”. Pas vrasjes së mafiozit Aleksandar Neshoviq, shefi i policisë së Beogradit Veselin Miliq nuk alarmoi patrulla të policisë për të afruar ndihmë në kapjen e vrasësve, por, sipas mediave serbe, bashkë me dy truproje mori pjesë në zhdukjen e kufomës. Vuçiq e ka konfirmuar këtë. Megjithatë, regjimi i tij thotë se policia ka reaguar në mënyrë profesionale.
Deri më tani janë arrestuar 10 persona, mes tyre edhe shefi i policisë së Beogradit Veselin Miliq. Shumë serbë pyesin: ku është kufoma e Aleksandar Neshoviqit? Policia ka nisur kërkimin. Vetura me të cilën është transportuar kufoma është gjetur: me gjurmë gjaku dhe dhjetëra dorëza kirurgjike.
Gazeta “Danas” shkruan se Neshoviq mund të jetë spërkatur me benzinë dhe djegur afër autostradës në perëndim të Beogradit. Një analist serb tha në televizionin N1: “Kjo as në Kolumbi nuk bën vaki”. Një mafioz tjetër tha se restoranti ku ndodhi vrasje është pronë e Andrej Vuçiqit, vëllait të presidentit Vuçiq. Ky i fundit tha se kjo nuk është e vërtetë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.