E ardhmja: Shpiket llamba që do ndriçojë për 37 vjet radhazi
E keni menduar se do t’ju duhet t’i ndryshoni llambat vetëm disa herë gjatë gjithë jetës? Një shpikje e re kursen kohën dhe paratë tuaja ndërsa ofron ndriçim që zgjat rreth katër dekada
Pyetjes së vjetër popullore “Sa burra duhen për të ndryshuar një llambë?” i është përgjigjur një studim i ri. Në këtë rast duhet vetëm një burrë dhe një llambë për shumë vite.
Shkencëtari britanik Jake Dyson ka krijuar një dritë inovative që sipas tij ndriçon për pothuajse katër dekada.
Llamba e Dyson vjen në tre forma të ndryshme dhe përdor teknologjinë që e largon nxehtësinë direkte nga LED për të ndaluar zbehjen e dritës dhe mungesën e efikasitetit me kalimin e kohës.
Shpikësi filloi punën për krijimin e ndriçimit LED në vitin 2006, pasi u zemërua për faktin se projektimet kishin një jetëgjatësi të vogël pavarësisht faktit se LED supozohej fillimisht të zgjaste përjetësisht.
Sipas tij dritat aktuale nuk ia dalin të mbrohen nga nxehtësia, duke u ekspozuar në temperatura mbi 130 gradë celsius dhe duke dëmtuar kështu veshjen me fosfor, që përkthehet në cilësi më të keqe të LED me kalimin e kohës.
Për të zgjidhur këtë problem, ai dizenjoi dritat CSYS të cilat kanë teknologji unike në mënyrë për të larguar nxehtësinë nga dritat. Duke operuar në nxehtësinë 55 gradë celsius ato nuk humbin cilësinë dhe efikasitetin për 37 vjet, lajmëron shkencëtari në uebsajtin e tij.
Duke folur në një video, Dyson tha se shpikja e tij ofron mundësinë e ftohjes së LED-eve, gjë që mund të mirëpritet ose jo nga tregu i këtyre dritave.
Ai tha se LED-et fshihen në kone, gjë që prodhon një përhapje më të madhe të dritës, faktor ky që i bën ato më efikase pa përdorur shpërndarës.
Teknologjia i lejon llambat të prodhojnë dritë të bardhë dhe të ngrohtë për vite, në vend të produkteve rivale që sipas shkencëtarit bëhen 30 për qind më pak të ndritshme brenda gjashtë muajve.
Dyson ka gjetur një rrugë për t’i bërë dritat të qëndrojnë në ambientet që njerëzit kanë nevojë. Duke përdorur një teknologji lëvizje, CSYS mund të rregullohet në ndriçim horizontal, vertikal dhe rrotullues vetëm me një prekje.
Ndërsa dritat që përdorim tani mbështeten mbi të gjitha te forma dhe tensioni për të qëndruar në pozicion, dizajni i ri përdor gravitetin.
Krahu lëviz vertikalisht duke përdorur një sistem kundërpeshë të frymëzuar nga ashensorët e vinçave të ndërtimit dhe tabelat e vizatimit, ndërsa mungesa e fërkimit bën të mundur lëvizjen horizontale të dritës.
Llambat janë gjithashtu të ndjeshme ndaj prekjes, gjë që u bën të mundur njerëzve që t’i fikin ato me lehtësi, ndërsa ato mbajnë mend nivelin e fundit të ndriçimit.
LED-et përdorin një të pestën e energjisë të një llambe normale me halogjen dhe falë jetëgjatësisë së tyre ato mund t’i kursejnë përdoruesve rreth dy mijë dollarë përgjatë 37 viteve.
Llamba CSYS kushton 610 dollarë për tavolinë apo mur dhe 916 dollarë për një version më të madh.
Sipas shkencëtarit Dyson, qëllimi i tij kryesor ishte të hetonte përse llambat normale dështonin në misionin e tyre dhe t’i përmirësonte ato. Ai u shpreh se nuk donte të krijonte vetëm diçka që dukej bukur, por edhe diçka që ishte funksionale dhe që do t’ia lehtësonte jetën njerëzve.
“Për mua është më e lehtë të shpik diçka sesa ta përsëris apo kopjoj atë”, tha ai. “Në disa raste është më e lehtë të fillosh nga hiçi sesa të përmirësosh diçka që ka bërë një tjetër”, përfundoi shkencëtari.
Çfarë duhet të dini për llambat 37-vjeçare?
Një teknologji e re që ftoh llambat mund të jetë e ardhmja e çdo shtëpie. Shpesh LED-et që u shpikën për të zgjatur përjetësisht kanë një jetëgjatësi të pakët për shkak të humbjes së ndriçimit me kalimin e kohës dhe prej nxehtësisë.
Shpikja CSYS përdor teknologjinë e duhur që lejon rregullimin horizontal, vertikal dhe rrotullim pa përdorur aspak forcën. Dizenjo është e ndjeshme ndaj prekjes dhe vazhdon të ndriçojë sipas kërkesës së përdoruesit.
Tetë reflektorë konikë eliminojnë shkëlqimin verbues në mënyrë që njerëzit të mund të lexojnë nën dritë pa pasur dhimbje koke apo sysh.
LED-et përdorin një të pestën e energjisë së llambës me halogjen.
*Burimi: Daily Mail