E drejta për informim vijon të mbetet problem në Shqipëri
Në Shqipëri e drejta për informim është në stanjacion prej disa vitesh, raportojnë gazetarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, për Zërin e Amerikës. Gazetarët po ndeshen me forma të reja të mosdhënies së informacionit të kërkuar nga autoritete publike, ndërsa marrja në rrugë gjyqësore bëhet gjithnjë e më e vështirë nga tejzgjatja e proceseve, si pasojë e problematikave që ka sjellë Vetting-u në sistemin e drejtësisë. Ata hasin më së shumti pengesa në rastet kur informacioni lidhet me akte korruptive dhe përdorimin e fondeve publike.
Një raport i fundit i qendrës Res-Publica që monitoron prej 10 vitesh zbatimin e të drejtës së informimit në Shqipëri, vlerëson se nuk ka përparime të dukshme në këtë drejtim. Gazetarët, kryesisht ata investigues, ndeshen me vështirësi në marrjen e informacioneve nga institucionet zyrtare, kur bëhet fjalë për përdorimin e parave publike. Dorjan Matlia, drejtues i qendrës, në një konkluzion të përgjithshëm jep këtë panoramë.
“ Përsa i përket reagimit të institucioneve pasi u shkon një kërkesë për informacion, zakonisht në 2/3 e rasteve për çdo informacion që u kërkohet, gazetarët marrin përgjigje pas kërkesës fillestare. Nuk e marrin për 10 ditë siç e parashikon ligji por shkon 23-24 ditë kalendarike, pra do të thotë rreth dyfishi i kohës. Nga ana tjetër 1/3 e kërkesave shkojnë tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Një pjesë e mirë marrin përgjigje te Komisioneri, por megjithatë mbetet rreth 2% e kërkesave për informacion, që megjithëse duket një shifër e vogël, nuk marrin përgjigje. Janë pikërisht ato pyetje të nxehta që bëjnë gazetarët investigativë për prokurime, konçensione, leje ndërtimi apo leje mjedisore, aty ku mendohet që niveli i korrupsionit është më i lartë, që nuk marrin përgjigje. Këto janë
raste që shkojnë në gjykatë”- shprehet për Zërin e Amerikës Dorian Matlija, Drejtor Ekzekutiv i qendrës Res Publica.
Edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit i tha Zërit të Amerikës se problematikat më të mëdha lidhen me menaxhimin e fondeve publike. Rreth 1 mijë ankesa në vit mbërrijnë në këtë institucion dhe ndërhyrja e tij bën që në 70% të rasteve kërkesat për informacion të plotësohen menjëherë nga autoritetet. “Por ka dhe fenomene të tjera kur e drejta për informim dëmtohet nga institucionet publike”- thotë ai.
“ Një fenomen tjetër, që nuk ndihmon në këtë drejtim është dhe ndryshimi i shpeshtë i koordinatorëve për të drejtën e informimit në institucione. Përveçse është humbje nga ana profesionale paraqet një kosto të vazhdueshme. Ndërrimi i tij pasi ka bërë trajnimet tona, pasi është trajnuar pranë shkollës së administratës publike dhe zëvendësohet pa asnjë arsye objektive, pa asnjë shkak të arsyeshëm e dëmton të drejtën për informim”- thotë Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit.
Gazetarët thonë se po përballen me forma të reja të përpjekjes së institucioneve për të fshehur informacionin. “Në një kohë kur informacioni përhapet me shpejtësi dhe konkurenca është e madhe- thotë Aleksandra Bogdani gazetare e Birn (Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative), -institucionet në rastin më të mirë, kthejnë përgjigje në fund të afatit prej 10 ditësh”.
“Është një trik, që institucionet e ndjekin gjithnjë e më shumë tani. Kthejnë përgjigje ditën e dhjetë, për të mos u përballur me penalitete të ligjit, por përgjigjet janë gjithnjë e më shumë defiçitare për sa i përket vlerës së informacionit, që ato japin”- argumenton për Zërin e Amerikës Zonja Bogdani, gazetare e Birn.
Ndërsa Klodjana Kapo, drejtuese e Faktoje.al, organizatë verifikuese e fakteve, thekson se institucionet publike i shmangen intervistave për marrjen e informacionit të kërkuar, dhe preferjonë përgjigjet me shkrim, të cilat nuk janë të plota.
“Gazetari jo gjithmonë e ka informacionin për të ezauruar çdo interes me pyetje brenda kërkesës për informacion. Kjo ka bërë që personi që duhet të kthejë përgjigje në institucione nuk arrin të kthejë përgjigje të plota shteruese, dhe informacioni nuk është gjithmonë i saktë dhe i vlefshëm për gazetarët që duhet të përgatisin një lajm”- shprehet Zonja Kapo, drejtuese e Faktoje.al.
Një moment tjetër lidhet me disa kufizime ligjore, që sipas Z.Matlija, keqpërdoren nga autoritetet publike për të mos dhënë informacion kryesisht kur bëhet fjalë për kontrata me vlera të mëdha financiare.
“ Në përgjithësi kur janë informacione të thjeshta institucionet e respektojnë të drejtën e informimit, por në rastet e komplikuara kur nuk duan të publikojnë informacione çështja bëhet shumë e vështirë. Abuzojnë shumë me ato që janë kufizimet e ligjit. Heqin të dhëna të tëra nga kontratat me justifikimin për të ruajtur sekretin tregtar ose të dhënat personale. Në fakt nuk është aspak kështu sepse ne i kemi fituar të gjitha rastet në gjykatë dhe kemi parë që justifikimi ka qenë abuziv” – vijon Z. Matlija.
Zoti Matlija veçon një sjellje të re pozitive të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë e cila në disa raste ka dhënë vendime të ekzekutueshme menjëherë, në rastin e proceseve për të drejtën e informimit. Procesi i Vettingu-t ka përgjysmuar trupën gjyqësore dhe gazetarët enden në gjykata 7-8 vjet. Nga ana tjetër ata po hasin pengesa në marrjen e informacioneve edhe nga vetë organet e reja të drejtësisë.
“Një prej çështjeve e kemi me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, institucioni me bazë Vettingun. Pra KPK refuzon të bëjë publik informacionin lidhur me një donacion që ky institucion ka marrë për të organizuar një seminar. Duhej të ishte një informacion publik. Kemi 4 vjet në gjyq. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, KPK sërish refuzoi të zbatojë vendimin dhe shpenzon energji të tëra deri në Gjykatën e Lartë për ta fshehur këtë informacion” – vijon Aleksandra Bogdani, gazetare e Birn.
Duke folur për një kohë të vështirë të gazetarisë në vend Koloreto Cukali, i Këshillit Shqiptar të Medias, tha se vonesat në marrjen e informacionit e bëjnë atë të pavlefshëm.
“Praktika më e njohur është ajo e vonesës, e tejkalimit të afateve. Shfrytëzimi i të gjitha mjeteve e bën infomacionin të pavlefshëm. Që do të thotë kur ta japin ty informacionin pas 4 muajsh, ose edhe më shumë, ai informacion nuk duhet të duhet më. Vazhdon të ketë një përvojë të keqe në marrjen e informacionit” – thotë për Zërin e Amerikës Koloreto Cukali.
Edhe pse nuk ka një kthim pas në të drejtën për informim, gazetarët çmojnë se të qëndrosh në vend, është po njësoj e dëmshme kur bëhet fjalë për informacione të rëndësishme në lidhje me shpenzimin e fondeve publike. Këtu e kanë burimin aktet e korrupsionit argumentojnë ata, dhe çdo hije që fsheh informacione të tilla shton dyshimet për abuzime me këto para. Zëri i Amerikës kërkoi nga Agjensia për Media dhe Informim një qëndrim mbi këto problematika të ngritura nga komuniteti i gazetarëve por nuk mori përgjigje.