E sollën për trajtim dhe nuk u kthyen më, pacientja mbetet e vetme prej mbi 24 orësh në Emergjencën e QKUK-së
Familjarët e lanë pacienten në Klinikën Emergjente të QKUK-së duke i thënë stafit “na thirrni kur të përfundojnë procedurat”, por prej më shumë se 24 orësh nuk përgjigjen as në telefon. Policia po përpiqet t’i kontaktojë, ndërsa personeli shëndetësor po kujdeset edhe për ushqimin e saj.
Një rast i pazakontë është regjistruar në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një paciente ka mbetur e vetme prej më shumë se 24 orësh, pasi familjarët që e kishin sjellë për trajtim nuk janë kthyer më pas saj. Sipas raportimit të Klan Kosovës, të cilin e përcjell edhe Gazeta Shneta, pacientja ndodhet e vetme në hapësirat e Emergjencës, në repartin internistik, që nga dita e djeshme rreth orës 16:00.
Familjarët e kishin sjellë pacienten për trajtim mjekësor dhe i kishin thënë stafit shëndetësor “na thirrni kur të përfundojnë procedurat”, por më pas kanë shkëputur çdo kontakt me spitalin. Siç njofton Klan Kosova, pavarësisht përpjekjeve të stafit, familjarët nuk janë përgjigjur më në thirrjet telefonike.
Për këtë situatë është vënë në dijeni edhe Policia e Kosovës, e cila ka provuar disa herë të kontaktojë familjarët. Mirëpo, siç raporton Klan Kosova, i biri i pacientes — personi që edhe e kishte dërguar atë për trajtim — nuk po e hap telefonin as për organet e rendit dhe as për stafin spitalor.
Përballë kësaj situate, personeli shëndetësor i Klinikës Emergjente është detyruar të marrë përsipër jo vetëm trajtimin mjekësor të pacientes, por edhe kujdesin e përgjithshëm ditor dhe ushqimin e saj, derisa të gjendet një zgjidhje për rastin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.