☀️
Tiranë 11°C · Kthjellët 10 March 2026
S&P 500 6,807 ▲0.16%
DOW 47,885 ▲0.3%
NASDAQ 22,772 ▲0.34%
NAFTA 84.51 ▼10.83%
ARI 5,206 ▲2.01%
S&P 500 6,807 ▲0.16 % DOW 47,885 ▲0.3 % NASDAQ 22,772 ▲0.34 % NAFTA 84.51 ▼10.83 % ARI 5,206 ▲2.01 % S&P 500 6,807 ▲0.16 % DOW 47,885 ▲0.3 % NASDAQ 22,772 ▲0.34 % NAFTA 84.51 ▼10.83 % ARI 5,206 ▲2.01 %
10 Mar 2026
Breaking
Breaking
Opinion

Edhe kundër Ramës edhe kundër (pa) drejtësisë së tij

Nga ARTAN HOXHA

Kryerilindësi më në fund e tha ç’kishte vendosur-nuk ia jep SPAKU-ut kokën e Belindës në tepsi. U mundua të mos e lëshonte as si ministër e zëvendës të vet por nuk iu bind Gjykata Kushtetuese t’ia nxirrte pataten me duart e saj e ndërsa nuk kishte argumente ta mbante ende në detyrë, iu desh ta hante presionin e të bënte, për kamuflazh, riformatimin e gjysmës së qeverisë. Për arrestimin as që bëhej fjalë, kjo dihej.

Rama ka plot argumente të qenësishme për të kundërshtuar kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Ballukut:i) shumëfishimin artificial e me urgjencë të fakteve penale, bashkëshoqëruese të kërkesës, lidhur me të njëjtën shkelje, bërë pak ditë pas ankimit të çështjes së pezullimit në Gjykatën Kushtetuese dhe pak javë nga vendimi pararendës i GjKKO-së për atë pezullim; ii) mbështetjen e pretendimeve për ndikim të dëshmitarëve përmes një përgjimi të tërthortë dhe në kohë kufi mes masës së parë dhe kërkimit të masës së dytë zëvendësuese; iii) pretendimet për arratisje kur kjo nuk ndodhi këto muaj dhe për këtë mjafton edhe masa pararendëse e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe sekuestrimi i pasaportës; iv) faktin që tashmë Balluku nuk është më në detyrat ekzekutive e pa to zor se ndikon kënd.

Nëse këtyreve iu vendosim në sfond edhe argumente të tjera si:i) tepria me paraburgosjet në numër dhe në kohëzgjatje, (jo vetëm e SPAK por edhe e gjithë sistemit të drejtësisë); ii)metodat e ashpra të marrjes së dëshmive apo të pyetjes së të pandehurve; iii)rrjedhën e qëllimshme të të dhënave hetimore në media dhe ‘gjyqet’ e ndezura televizive për rrjedhojë; afërmendsh që refuzimi i kërkesës së SPAK bëhët gjithnjë e më shumë një akt jo vetëm i pritshëm por edhe i mbështetur në argumente.

Por, po aq afërmendsh që të gjitha këto argumente të qenësishme Rama po i përdor vetëm kur rastet rrezikojnë të djegin lëkurën e pushtetit të tij, atë vetë personalisht gjithashtu. Ato argumente aty kanë qenë, edhe më të shumta, edhe më të forta edhe më të qenësishme kur nisi e vijoi procesi hetimor kundër Sali Berishës, ai kundër Ilir Metes apo Arben Ahmetajt, apo procesi gjyqësor kundër Fatmir Mediut, por Rama jo vetëm që nuk i ka përmendur ndonjëherë por edhe iu ka mëshuar të kundërtave sa ka mundur mbi rrogoz, imagjino ç’ka ka bërë nën rrogoz që këto procese të ndodhnin e të vijojnë siç kanë nisur-inkuizitore në thelb, politike në qëllim.

Nga ana e tyre, SPAK/GjKKO shfaqën tendencën e një farë pavarësie nga qeveria që nga fillimi i 2025 e në vijim kur e ngritën stekën hetimore tek niveli i Ballukut, Agasit apo Karçanajt, qartazi këto raste të nisura pa lejen paraprake të Ramës, ndryshe nga ato që nisën me lejen e tij në rastin Ahmetaj, Veliaj (jo arrestimi i Veliajt) a të ndonjë tjetri, apo me gjysmëlejen e tij në rastin e Beqajt a të ndonjë tjetri. Por edhe kjo tendencë është e mekur, e trembur, e tredhur. Në fakt, nëse SPAK do përdorte psh: standardin Berisha të dyshimit të arsyeshëm jo vetëm Balluku por vetë Rama do ishte proceduar tashmë me qindra herë e kjo jo vetëm nuk ka ndodhur as të paktën një herë por edhe kur Rama iu del në dosje të ndryshme si vendimmarrës a në dijeni të fakteve, as emrin e përveçëm nuk guxojnë t’ia përmendin, le më t’iu shkojë në mendje ta thërrasin për ta pyetur.

Reforma e drejtësisë që në fillim u ideua dhe u projektua për të asgjësuar çdo ndikim të PD-së dhe LSI-së në drejtësi dhe si gijotinë mbi lidershipin e saj, ndërsa ajo do bashkëkontrollohej nga Rilindja dhe ndërkombëtarët, amerikanët më së pari. Qëllimi u arrit përmes shkopit dhe karrotës, joshjes dhe kërcënimit, përçarjes dhe mashtrimit, qoftë përmes paketës ligjore në zbatim të ndryshimeve kushtetuese qoftë më pas në fazën e parë zbatuese, që përkoi me herën e parë të timonit në një dorë, qoftë në vitet e para të drejtësisë së re në aksion e sipër, që përkoi me herën e dytë të të gjithë pushtetit në një dorë, atë të Ramës.

Me mbështetjen ndërkombëtare dhe për interesa gjeopolitike Rama, që gjithashtu e gëzon, sa për inerci e sa për meritë, mbështetjen elektorale ‘majtiste’ në Shqipëri, u projektua lideri i padiskutueshëm për Shqipërinë ndërsa (pa)drejtësia e reformuar duhej t’i shërbente edhe forcimit të pushtetit të tij duke ndëshkuar kundërshtarët por, edhe lustrimit të pushtetit te tij,duke ndëshkuar, me lejen e tij ama, edhe ca nga bashkëpunëtorët e babëzitur. Pushteti i autokratit duhet edhe i fortë por edhe i praruar domosdoshmërisht.

Pas zgjedhjeve në ShBA dhe efektit të tyre kontrovers në Europë, vihet re se as Rama dhe qeverisja e tij nuk lëvdohen pa meritë e pa doganë nga faktori ndërkombëtar, as Berisha dhe opozita e tij nuk anatemohen pa meritë e pa doganë, siç bëhej rëndom më parë. Situata nuk është përmbysur por gjithsesi është bërë goxha më e baraspeshuar dhe më e baraslarguar, me tendencë për t’u përmbysur. Rasti Balluku mund të jetë pika që derdh gotën.

Se çdo ndodhë mbetet për t’u parë por katër zhvillime janë të sigurta: i) Rama do bëjë ç’ka mundet ta thyeje këtë ‘kryengritje’ në pallatin e drejtësisë e ta rikthejë në origjinën e saj e, për këtë, do përdorë çdo mjet pa ngurruar të përplaset as me ndërkombëtarët e as me ‘dashnorët’ vendalinj e shumë të pakësuar të SPAK/GjKKO; ii) ndërkombëtarët, në varësi të zhvillimeve gjeopolitike dhe interesave të tyre janë gjithnjë të gatshëm dhe elastike të negociojnë me pushtetmbajtësin, edhe kur ky nuk iu pëlqen, më shumë duke minimizuar kostot se sa duke maksimizuar përfitimin; iii) drejtësia e re në tërësi, SPAK/GJKKO në veçanti, është sistem i përçarë, i monitoruar shumëfish dhe i varur qoftë nga qeveria qoftë nga ndërkombëtarët ndaj ai, do reflektojë dinamikën e relacioneve të dy të parëve, me më shumë gjasa, zor se behet sistem realisht i pavarur drejtësie ndaj do vazhdojë siç e ka nisur – një sistem i keqpërdorur (pa)drejtësie; iv) opozita do vijojë në ngritje aksionin e vet ndonëse në kushtet e një shoqërie ende në apati pleqërore dhe arrati rinore, të një shteti që asgjë nuk e dallon mënga sekti rilindës në pushtet e tërësisht në shërbim të atij sekti por gjithsesi, në rrethana jo aq të ashpra saç vepronte dy vite më pare, me tendencë për përmirësim në favor të aksionit të saj.

Për rrjedhojë, në raport me temën në fjalë të(pa)drejtësisë, opozita, saç do jetë kundra Ramës e regjimit të tij, po aq nuk mund t’i bëhet ende krah kësaj (pa)drejtësie, të paktën jo pa dhënë mjaftueshmërisht prova se po shndërrohet në sistem të mirëfilltë drejtësie.

Deri atëherë, opozita edhe kundra Ramës edhe kundra (pa)drejtësisë së tij, pa e penguar asfare atë (pa)drejtësi në rastet kur ajo, qoftë edhe si përjashtim nga rregulli,sulmon regjimin që e ka pjellë.

Makar edhe ndonjë e shtyrë, dëm s’bën.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.