Politika
Edi Rama-Miro Cerar: Sllovenia mbështet Shqipërinë për negociatat në BE
Kryeministri Edi Rama gjate vizites në Slloveni. u prit me një ceremoni ushtarake në Pallatin Presidencial në Lubjanë nga kryeministri slloven Miro Cerar. Kryeministri Slloven theksoi se Sllovenia mbështet aktivisht që sa më parë të caktohet data për çeljen e negociatave. Por nga ana tjeter tha se duhet parandaluar levizjet clandestine Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria e Shqipërisë ka mbështet fuqimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shprehu bindjen se njohja sa më e shpejte e Kosovës nga Serbia, do të jetë në dobi të vetë Serbisë, si dhe do të lehtësojë proceset bashkëpunuese. Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e një vendimmarrjeje sa më të shpejtë nga ana e BE për liberalizmin e vizave me Kosovën. Te dy kryeministrat diskutuan edhe per bashkepunimin ekonomik mes dy vendesh si dhe per luften kunder terrorizmit.
Kryeministri Miro Cerar:
Ne dëshirojmë që Sllovenia të përforcojë marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë. Këtu shoh shumë mundësi e shanse për bashkëpunim. Është kënaqësi që biznesmenët tanë kanë nisur bashkëpunimin dhe ne si qeveri do të japim mbështetje për aktivitete të mëtejshme të biznesit dhe zhvillimit në të ardhmen.
Mirënjohje të madhe kolegut Rama për një ecje të madhe të Shqipërisë, vitet e fundit, drejt Bashkimit Europian, ku edhe Sllovenia aktivisht mbështet që sa më parë të caktohet data për negociatat për afrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ne jemi shumë të kënaqur që Shqipëria ka arritur të bëhet anëtare e NATO-s dhe që është bërë një prosperitet në fushën ekonomike, që do të thotë se ka trende pozitive, por ato patjetër duhet të mbështeten me reforma të tjera dhe ne do të mbështesim të gjitha reformat, të gjitha proceset e ndërmarra nga Shqipëria.
Sa i përket reformës në drejtësi, për të cilën më duhet të uroj qeverinë, mund të them se bëhet fjalë për një hap shumë të rëndësishëm përpara në drejtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sllovenia është e gatshme dhe për këtë kemi biseduar edhe sot, që të ofrojmë një bashkëpunim dhe ndihmë, nëse është e dobishme dhe e favorshme për Shqipërinë.
Duhet të them se ne jemi shumë të kënaqur që Shqipëria, në veçanti kryetari i qeverisë së saj luan një rol shumë të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në marrëdhëniet bilaterale, me një qëllim të caktuar, që të nxitin paqen, qetësinë në rajon. Shqipëria ka ofruar një kontribut shumë të madh për paqen. Edhe Sllovenia është një aktor aktiv në këto procese, që të ruajmë paqen në këtë territor, rritjen ekonomike, bashkëpunim politik dhe ekonomik dhe marrëdhëniet mes njerëzve, që janë të nevojshme dhe të kenë harmoi në jetë. Për sa i përket çështjeve të sigurisë, migracionit, ne jemi të vetëdijshëm se siguria është një nga imperativët kyç për shtetet tona, për qytetarët tanë. Ne dëshirojmë të kemi sa më shumë siguri, prandaj ne do të bashkëpunojmë edhe për të garantuar sa më shumë siguri, luftë kundër terrorizmit.
Njëkohësisht, ne jemi të vetëdijshëm se duhet të parandalojmë klandestinët dhe të vendosim një rregull, një kontroll të kalimit të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, në zonën Shengen. Është e rëndësishme dhe ne kemi konstatuar të njëjtën gjë së bashku, që të mbështesim rininë, të nxisim te rinia të gjitha ato vlera të rëndësishme për bashkëjetesë në të ardhmen. Po ashtu inspiracionin e biznesit, që është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendeve tona. Sa i përket kësaj, ne do të përforcojmë bashkëpunimin dhe jam i bindur që do të nxisim edhe punën me të rinjtë në rajon dhe më gjerë. Jam shumë i kënaqur për realizimin e kësaj vizite. Falenderoj zotin Edi Rama që është këtu. Jam shumë i kënaqur që do të jetë edhe në Forumin e “Bledit” sot.
Kryeministri Edi Rama:
I dashur Miro,
Para së gjithash më lejoni t’ju falënderoj për mikpritjen e ngrohtë.
Jam shumë i kënaqur që mu dha mundësia ta vizitoj Slloveninë mike dhe të mund të bisedojmë nga afër për potencialin e madh që na takon ta shfrytëzojmë më së miri, për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të krijuar kushte që njerëzit në të dy anët të mund të afrohen dhe të krijojnë bashkëpunime të reja. Ne kemi pasur rastin të takohemi edhe herë të tjera, por ky është rasti për t’i shprehur Sllovenisë dhe padyshim, qeverisë së sotme, Kryeministrit, falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Tek Sllovenia kemi pasur dhe jam i bindur që do të kemi edhe në vazhdim, një mik, një avokat, një mbështetës të fortë të procesit të afrimit dhe të bashkimit tonë me familjen europiane.
Ne kemi diskutuar edhe për të çelur një fazë të re në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, duke krijuar bazat për një afrim dhe bashkëpunim më të ngushtë mes sipërmarrësve shqiptarë dhe sllovenë, si dhe duke u përpjekur të nxisim më shumë, qoftë njerëzit, qoftë sipërmarrjet lidhur me turizmin, pasi është një instrument i shkëlqyer jo vetëm për rritjen ekonomike, por edhe për njohjen, afrimin dhe miqësimin mes njerëzve.
Jemi po ashtu të bindur se rajoni ynë ka padyshim një rol, por ka edhe një peshë specifike të posaçme në raport me problemin e madh të migrimit dhe në krizën e refugjatëve që është një krizë, e cila është larg së qenit një krizë e mbyllur dhe që mund të rishfaqet nga dita në ditë. Për këtë, sëbashku me Kryeministrin slloven, por edhe me gjithë kolegët tanë në rajon jemi përpjekur të avokojmë domosdoshmërinë që Bashkimi Europian të jetë sa më i vëmendshëm ndaj këtij rajoni, si një rajon ku kalon edhe i famshmi korridor dhe për të shmangur situata dramatike, si ato që kemi parë në të shkuarën, për shkak të mungesës të një koordinimi më të mirë në nivel europian dhe për shkak të mungesës të një plani të qartë veprimi të dakordësuar dhe të ndarë për gjithkënd, sipas peshës që gjithsecili mund të mbajë. Kemi vlerësuar situatën e re të rajonit, një situatë shumë e favorshme për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe apo shumëpalëshe. Sot, rajoni përjeton një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm ndarjeje me të shkuarën dhe qasjeje të përbashkët ndaj të ardhmes. Në këtë moment duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se vazhdimisht ka probleme që duhen trajtuar, për të moslejuar asnjë shfaqje kthimi pas në të shkuarën.
Në këtë aspekt, ne jemi shumë mirënjohës dhe përshëndetës për iniciativat që ka marrë Sllovenia, që në sytë e mi është një shembull i shkëlqyer se si një vend i vogël mund të luajë një rol të rëndësishëm dhe të nxisë procese të rëndësishme dhe këtu kam parasysh iniciativën e Sllovenisë për një axhendë pozitive për të rinjtë. Kemi folur për këtë dhe për nevojën që të rrisim spektrin e aktivitetit dhe hapësirën e ndërveprimit mes të rinjve në rajon. Jo vetëm në një drejtim, që është padyshim strategjik dhe shumë i rëndësishëm për punësimin e të rinjve, por edhe në drejtime të tjera, që kanë të bëjnë me kulturën, sportin etj..
Jam po ashtu mirënjohës që me insistimin e Kryeministrit dhe me nxitjen e vazhdueshme të ambasadores së Sllovenisë në Tiranë, që përfitoj nga rasti ta falënderoj publikisht për punën e shkëlqyer të saj dhe të ambasadës, unë jam prezent edhe për të marrë pjesë në forumin e “Bledit”. Sigurisht që nuk kam pritur ditën e sotme, për të vlerësuar kapacitetin e Sllovenisë për të organizuar aktivitete të kësaj natyre, sepse forumi i “Bledit” tanimë është i famshëm për hapësirën e debatit dhe për prezencën masive të autoriteteve, por edhe të protagonistëve të fushave të ndryshme këtu, çdo vit.
Së fundi besoj që ajo çka Kryeministri tha lidhur me progresin e qenësishëm që ne kemi bërë për të çelur më në fund negociatat me Bashkimin Europian është një opinion i konsoliduar jo vetëm i Kryeministrit slloven dhe i qeverisë së tij, por gjerësisht mes anëtarëve të Bashkimit Europian. Edhe një herë tjetër, ne presim që Sllovenia të jetë ndër avokatët më të zëshëm të dhënies të rekomandimit për çeljen e negociatave. Besoj që nuk do të jetë një punë shumë e vështirë, pasi jam i bindur që edhe të tjerë do të mbështesin fort Shqipërinë në këtë moment kyç, kur çelja e negociatave nuk përbën një mbërritje, por përbën vetëm një stacion tjetër të rëndësishëm për të shkuar më tutje në një proces, që siç tregon edhe shembulli i shkëlqyer i Sllovenisë, është një proces i gjatë, i vështirë, por i domosdoshëm. E falenderoj edhe një herë Kryeministrin, edhe publikisht, për gatishmërinë e tij dhe të ekipit të tij për të na ndihmuar me eksperiencën e tyre nga procesi i integrimit dhe me ekspertizën e tyre shumë të vyer në çdo aspekt të tij, duke filluar sigurisht nga drejtësia që për ne është një sfidë, kurse për Slloveninë është një histori suksesi e mirënjohur në Bashkimin Europian, përsa i takon vendeve të reja që i janë bashkuar familjes europiane. Shumë faleminderit edhe një herë, Kryeministër.
A do të japë Sllovenia mbështetjen për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE?
Kryeministri Cerar: Ju falenderoj për pyetjen. Sllovenia, qeveria jonë ndjek një politikë që mundëson hapjen e derës për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të futen në Bashkimin Europian. Unë mendoj që Bashkimi Europian duhet t’i mbajë hapur këto dyer, por vendi kandidat për në Bashkimin Europian duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet që kemi qenë të detyruar t’i plotësojmë edhe ne, kur i jemi bashkëngjitur kësaj lidhjeje. Sa i përket një zhvillimi të shkëlqyeshëm të Shqipërisë, ku brenda një afati të shkurtër kohor, situata ka ndryshuar për mirë në shumë drejtime, unë besoj se Shqipëria është e aftë të bëjë me sukses, hapa të mëtejshëm në procesin drejt Bashkimit Europian. Prandaj, Sllovenia në mënyrë aktive mbështet që sa më parë të përcaktohet edhe data për nisjen e negociatave. Edhe sot, unë kam afruar, nëse është e nevojshme, ndihmën nga ana jonë në procesin e implementimit të reformave në fushën e drejtësisë, po ashtu, edhe kudo tjetër ku mendoni se Sllovenia mund të ndihmojë dhe do të ndihmoheni me ekspertë, konsultime etj.. Ne do të mbështesim këtë proces. Unë mendoj se familja europiane është më e gjerë se vetë Bashkimi Europian dhe askush që dëshiron t’i bashkëngjitet kësaj familjeje dhe i plotëson kushtet nuk duhet të mbetet anash. Vitin e fundit shkëmbimi i marrëdhënieve e tregtare mes Shqipërisë e Sllovenisë ka qenë në shifrat rreth 35 milionë euro, me një prani 66 kompanive sllovene. Çfarë ofron Shqipëria për të gjithë investitorët sllovenë, që të rrisin praninë e tyre në Shqipëri?
Kryeministri Rama: Volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Sllovenisë përbën një shifër që është një sfidë për të dyja palët, pasi potenciali është shumë më i madh. Për këtë arsye, unë e kam njohur Kryeministrin me disa masa që kemi marrë për të lehtësuar investimet e huaja, si dhe me dëshirën tonë që të shikojmë më shumë kompani sllovene që të investojnë në ekonominë shqiptare. Duke pasur njëkohësisht parasysh faktin që ato kompani që e kanë bërë kanë sjellë jo vetëm rritje të të ardhurave dhe të volumit tregtar, por edhe një kulturë të admirueshme pune dhe profesionalizmi, që ka ndikuar shumë pozitivisht edhe në kompanitë shqiptare me të cilat ato ndërveprojnë. Kështu që potenciali është aty. Ne na takon vetëm që të shtyjmë përpara, duke mbështetur afrimin e njohjen e mëtejshëm mes sipërmarrjes shqiptare dhe sllovene. Për këtë janë bërë disa iniciativa dhe do të punojmë sëbashku për t’i intensifikuar këto iniciativa. Ashtu sikundër besoj që deri në gjysmën e parë të vitit të ardhëm do të kemi mundësuar edhe vizitën e organizuar për një delegacion të sipërmarrjes sllovene në Shqipëri, për t’u njohur nga afër me mundësitë dhe të sipërmarrjes shqiptare ë Slloveni, duke shfrytëzuar bërthamën e Dhomës së përbashkët të Tregtisë Shqiptaro-Sllovene dhe eksperiencën e kompanive shqiptaro-sllovene, që tanimë e kanë çelur këtë rrugë.
Pyetje lidhur me krizën e refugjatëve.
Kryeministri Cerar: Shqipëria deri tani nuk ka qenë në të ashtuquajturën rrugë e Ballkanit, që për momentin është e mbyllur. Nuk ka qenë pjesëtare në rrugëtimin e Ballkanit. Nëse ka diçka më tepër lidhur me këtë, do njoftojë zoti Rama. Nëse sërish do hapet ky rrugëtim. Prandaj, Sllovenia në rrugëtimin diplomatik, me të gjitha mundësitë e tjera, mund të ndihmojë edhe kur bisedojmë me vendet e Bashkimit Europian që të ngremë një mbikëqyrje efikase në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian. Në kuadër të kësaj, në mënyrë konkrete duhet të mbështeten të gjitha iniciativat e Bullgarisë, Maqedonisë si vend jo anëtar i BE, Greqisë si vend anëtar i BE dhe i zonës Shengen, që këtë kontroll ta zbatojnë sa më efikas. Për këtë qëllim, nëse e kërkon situata, duhet të dërgojmë ndihma materiale, ndihma me ekspertë, po ashtu njësi policore nëse është e nevojshme, nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, që në pikat e jashtme kufitare të BE të kemi një mbrojtje efikas të kufijve, që të mos kemi futje masive ilegale të refugjatëve dhe të parandalohen aktivitetet e klandestinëve dhe të grupeve kriminale.
Por njëkohësisht luftojmë edhe për dy gjëra të tjera. Së pari, që Europa të unifikohet për një aktivitet më aktiv në vendet ku buron kjo krizë, në vendet afrikane apo në Siri. Europa duhet të bëjë më tepër që njerëzit të mos ikin nga këto vende. Së dyti, kam parasysh edhe interesat e Sllovenisë, që do të thotë që Sllovenia si anëtare e përgjegjshme e zonës Shengen duhet të mbrojë edhe territorin Shengen, që brenda saj të mos të kemi nevojë ngritjen e kufijve, një gjë të tillë e shohim në disa vende. Ne me përgjegjësi do të marrim pjesë në këtë proces, do të dëshmojmë solidaritet si deri tani, por nuk do të lejojmë që edhe më tej, këto kalime të paligjshme nëpërmjet Sllovenisë. Prandaj do të bëjmë gjithçka që situata në Slloveni në këtë mënyrë të mbrohet dhe të sigurohen qytetarët e saj dhe kufijtë.
Kryeministri Rama:
Kriza e refugjatëve ndër të tjera ka nxjerrë në pah një dobësi të madhe të Bashkimit Europian, i cili është treguar i paaftë të veprojë si një trup i vetëm në përballimin e kësaj krize dhe ia ka lënë gjeografisë të përcaktojë qëndrimet dhe zgjidhjet që fatkeqësisht, ashtu siç kemi parë gjatë pikut të krizës, kanë qenë jo harmonike dhe ad-hoc, vend pas vendi. Ka qënë në nderin e vendeve të rajonit, të atyre që janë anëtare të Bashkimit Europian dhe të atyre që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian, që gjatë krizës kanë dëshmuar qëndrueshmëri, në raport me parimet dhe vlerat e Bashkimit Europian. Ashtu sikundër ka qënë në turpin e disa vendeve të BE-së, të cilat i janë shmangur detyrimit të tyre, që buron nga karta e Bashkimit, për të qënë pjesë e zgjidhjes, pavarësisht se gjeografia i ka favorizuar, duke mos i vendosur ballë për ballë me krizën. Sllovenia është një vend i vogël për të mbajtur peshën që i ra mbi supe, ashtu sikundër dhe vende të tjera të rajonit, që janë jo vetëm të vogla, por dhe të pafuqishme përballë peshës së jashtëzakonshme të kësaj krize për t’u lënë vetëm, apo për të mos qene pjesë integrale e një plani të përbashkët europian.
Shqipëria nuk ka qënë pjesë e korridorit për arsye gjeografike. Ne e kemi thënë që ditën e parë që, pavarësisht se gjeografia nuk na vendos përballë krizës, siç ka vendosur Greqinë, Maqedoninë, Serbinë, Kroacinë, vetë Slloveninë, ne jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë, por brenda një plani të përbashkët europian.
Rajoni nuk mund të jetë një hapësire ku Bashkimi Europian shkarkon krizën dhe përballimi me këtë krizë nuk mund të jetë shfaqja ekstreme e disa egoizmave nacionale brenda BE-së. Kështu që ne kemi qënë dhe mbetemi të gatshëm, në rast se kriza rishfaqet, të luajmë rolin tonë, të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë, pavarësisht se nuk jemi anëtarë të Bashkimit Europian, por kemi qënë dhe mbetemi të keqardhur që disa vende të BE-së kanë dhënë një shembull shumë negativ në këtë proces dhe faktikisht e kanë bërë të pamundur administrimin e kësaj krize, si një krizë me të cilën duhet të përballet BE. Pra, të gjitha vendet sipas peshës së tyre dhe jo vende të vogla të mbajnë një peshë kaq të madhe, vetëm e vetëm sepse i dënon gjeografia dhe vende të tjera të mos mbajnë fare peshë, vetëm e vetëm sepse ia u mundëson gjeografia.
Ashtu sikundër, ne, së bashku me kolegun slloven dhe kolegë të tjerë në Bruksel, e kemi bërë të qartë se sa e rëndësishme ka qënë në atë fazë intensifikimi i përpjekjeve me Turqinë, të cilën e shohim si një faktor kyç në këtë krizë. E për këtë arsye, ne konsiderojmë se vendet e rajonit mund të luajnë një rol të vazhdueshëm pozitiv, duke intensifikuar komunikimin dhe marrëdhëniet me vetë Turqinë, si një faktor kyç.
Pyetje lidhur me Kosovën.
Kryeministri Rama:
Përsa i përket Kosovës, së pari dëshiroj të nënvizoj se e kam ndarë edhe me Kryeministrin slloven domosdoshmërinë që së bashku, ne të bëjmë përpjekje për të institucionalizuar marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n. Ka qënë një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm strategjik, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe është po kaq e rëndësishme strategjikisht që edhe Kosova të institucionalizojë marrëdhëniet me NATO-n dhe të hyjë në një proces normal drejt integrimit të plotë në NATO, që sigurisht nuk është tema e momentit të sotëm, por duhet të jetë në axhendën e NATO-s. Ashtu sikundër, nga ana tjetër, ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim fuqimisht dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, përtej faktit se mbrojmë fort mendimin që sa më shpejt Serbia të njohë Kosovën, aq më shpejt vetë Serbia do të çlirohet nga një situatë psikologjikisht dhe strategjikisht e pafavorshme për të, në raport me Kosovën dhe aq më të lehta do të bëhen të gjitha proceset e tjera. Nuk është se Kosova nuk respekton marrëveshjet me Bashkimin Europian. E kundërta është e vërtetë. Të gjitha palët në Kosovë janë të përkushtuara në procesin e integrimit europian, por, sigurisht, dinamikat e brendshme dhe dinamikat e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë influencojnë për mirë dhe për keq, sipas rastit, në qëndrime të caktuara brenda për brenda politikës në Kosovë, në raport me këto marrëveshje dhe në raport me këto hapa që duhen hedhur patjetër.
Ne kemi qënë dhe mbetemi të bindur se Kosova do ta zgjidhë një orë e me parë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, si një çështje që shkon shumë përtej asaj që duket në pamjen e parë dhe që ka të bëjë pikërisht me atë që ju thatë, seriozitetin e vendit dhe përshpejtimin e procesit të afrimit të vendit me Bashkimin Europian. Ashtu sikundër dua të shpresoj shumë që kjo vështirësi nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e shpejtë të Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat me Kosovën, pasi fakti që ka vetëm një popull, i cili nuk lëviz dot lirisht si të gjithë të tjerët në Europë, – për shkak se duhet të lëvizë me vizë në çdo vend dhe ky është populli i çliruar i Kosovës, – është një turp për Bashkimin Europian.