Edita Tahiri: Bullgaria gjithmonë e ka përkrahur Kosovën dhe aspiratën e saj euroatlantike
Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri bëri një vizitë treditore zyrtare në Bullgari. Ajo mori pjesë në takimin e radhës të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Në kuadrin e vizitës Ministrja Tahiri zhvilloi takime me Ministrin e Jashtëm Daniell Mitov, Zëvendëskryeministrin Ivajllo Kallfin, Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë Xhema Grozdanova dhe me grupin e miqësisë Bullgari-Kosovë në Kuvendin Popullor.
“Bullgaria është një vend i cili gjithmonë e ka përkrahur Kosovën dhe aspiratën e saj për të qenë shtet euroatlantik. Në takim Ministri i Jashtëm Daniell Mitov e rikonfirmoi përkrahjen e Bullgarisë për integrimin e Kosovës në BE, NATO dhe proceset e tjera. Bullgaria ka qenë shumë afër me Kosovën në të gjitha fazat e lirisë dhe pavarësisë” – theksoi znj. Tahiri në një intervistë për Radio Bullgarinë. Ajo komentoi edhe temën aktuale rreth fluksit të refugjatëve, bashkëpunimin mes vendeve të EJL mbi çështjet e sigurisë, mundësitë për thellimin e marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Kosovës, proceset e integrimit.
Fuqizimi i marrëdhënieve bilaterale mes Bullgarisë dhe Kosovës ishte tema e takimit të sotëm të Ministres Tahiri me Zëvendëskryeministrin dhe Ministër të Punës dhe Politikave Sociale Z. Ivajllo Kallfin. “Jam i gatshëm të intensifikojmë dialogun mes vendeve tona, si edhe të bashkëpunojmë në sferën e politikave sociale. Kemi gatishmëri edhe të ndajmë përvojë konkrete dhe praktika të mira të cilat të ndihmojnë Kosovën në zhvillimin e saj euroatlantik.” Ai vlerësoi si sukses të madh nënshkrimin e Marrëveshjes Stabilizim Asociim me BE-në.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë Xhema Grozdanova gjithashtu theksoi intensifikimin e kontakteve dypalëshe. Ajo vuri në dukje, se Bullgaria mbështet kandidaturën e Kosovës për UNESCO-n, si edhe liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës në BE. Tema e bisedës u përqendrua rreth mundësive për thellimin e marrëdhënieve bilaterale me rritjen e bashkëpunimit në mes të parlamenteve përkatëse. Ministrja Tahiri foli edhe për dialogun e Brukselit që zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë si kontribut për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.