Efektet e krizës financiare dhe dalja prej saj
Klodian Muço
Kohët e fundit, temat mbi ekonominë e vendit po kthehen gjithmonë e më tepër në një debat publik. “Merita” e këtij debati është kriza ekonomike që ka prekur jo vetëm vendin tonë, por shumicën e vendeve të botës. Kriza ekonomike ka fshirë një pjesë të mirë të temave të axhendës politike dhe problemeve në tërësi, duke u bërë si një “aktore protagoniste” në çdo debat. Rritja e papunësisë, pasiguria për nesër dhe recesioni ekonomik janë problemet e të gjithë Europës sot. Në këtë kontekst, edhe qytetarët më të thjeshtë po i kthejnë në terma familjarë dhe të përdorimit të përditshëm termat ekonomikë, si rritje ekonomike, papunësia, borxhi publik apo investimet. Terma këta që duhet t’i përdorin teorikisht ekonomistët apo ata që merren me ekonominë. Një shprehje tjetër që dëgjohet shpesh nëpër transmetime televizive është edhe ajo e politikës ekonomike, e cila është një kompleks ndërhyrjesh të bëra nga shteti dhe banka qendrore për të drejtuar ecurinë ekonomike kundrejt objektivave të dëshiruar apo ndryshe mund të konsiderohet edhe shkenca ekonomike, e cila përdor njohuritë e analizave teorike si udhëzues për ndërhyrjet praktike. Kjo politikë u ndërmor edhe nga qeveria e re duke hartuar një paketë të re fiskale, e cila kish si objektiv primar stimulimin e ekonomisë me anë të uljes së taksave për biznesin e vogël dhe stimulimin e konsumit për konsumatorët me të ardhura të ulëta. Kjo politikë me shumë gjasa po i jep frytet e veta, pasi për të parën herë, në këto vitet e fundit vihet re se kemi jo vetëm një realizim plani në mbledhjen e të ardhurave për gjashtëmujorin e parë, por edhe është tejkaluar në mënyrë modeste ky plan. Them me shumë gjasa, pasi për të arritur në konkluzione të sakta duhet parë në fund të vitit dhe duhet analizuar fenomeni i mbledhjes së TVSH-së apo akcizës në kompleks për të kuptuar se kjo rritje performance është falë paketës fiskale apo falë rritjes së eficiensës së mbledhjes së tyre nga organet tatimore, si tatimet apo doganat. Megjithatë, ne duhet të gëzohemi gjithsesi për rezultatin, pasi jep shpresë se në të ardhmen ose falë uljes së informalitetit, ose falë paketës fiskale do të kemi një përmirësim të rritjes së të ardhurave për shtetin.
Efektet e krizës financiare në ekonominë e vendit
Për sa u përket efekteve të krizës ekonomiko-financiare në Shqipëri, dhe daljes së saj nga kriza, do të doja ta nisja analizën time të shkurtër duke u bazuar në ekuacionin e përgjithshëm të llogaritjes së GDP-së me anë të metodës së shpenzimeve, pra: Y=C+I+G+X-M. Me lindjen e krizës ekonomike financiare vihet re një frenim i rritjes ekonomike në shume vende të Europës, ku ndër më të prekurit nga kjo krizë ishin vendet fqinje, Italia dhe Greqia, njëkohësisht edhe partnerët tanë kryesorë për eksportin (X). Kjo ndikoi negativisht, duke frenuar rritjen e eksporteve, të cilat janë një komponent primar në rritjen ekonomike të vendit. Frenimi i tyre ka përkeqësuar balancën tregtare, sidomos në 2011-n. Komponenti më i rëndësishëm i GDP-së në vend është konsumi (C), i cili përbën rreth 70% të GDP-së. Rritja e mirëqenies sociale dhe e punësimit mbas viteve ’90 favorizoi një rritje të ndjeshme të konsumit në Shqipëri, duke e çuar atë nga 460$ për frymë që ish në ’90-n, në rreth 3500$ në 2008-n për të arritur në 2012-n në më pak se 3000$. Pra, me fillimin e krizës, vihet re një trend negativ edhe i dinamikës së konsumit, i cili tregon qartë fazën e vështirë që kalojnë familjet shqiptare. Konsumi pasqyron dobësitë e të ardhurave të disponueshme, pra me fjalë të thjeshta konsumi tregon se shqiptarët me fillimin e krizës marrin më pak të ardhura dhe me të drejtë konsumojnë më pak. Rritja e papunësisë dhe ulja e dërgesave të emigrantëve në mënyrë të ndjeshme, duke kaluar nga 719 milionë euro që ishin në 2007-n, në 497 në 2013-n, shkaktuan një rënie të ndjeshme të konsumit. Një tjetër ndikim i krizës ekonomike në vendet fqinje, por jo vetëm, shkaktoi dhe një rënie të investimeve të huaja, duke kaluar nga 1 miliard e pak dollarë që ishin në 2010-n, në rreth 730 milionë dollarë në 2013-n. Të njëjtin fat të investimeve të huaja patën edhe investimet e brendshme, duke rënë edhe ato në mënyrë të ndjeshme. Po ashtu vihet re edhe një rënie e konsiderueshme e kredive në vend, të cilat kanë një lidhje pothuajse direkte me investimet. Pra, edhe investimet (I) patën të njëjtin fat që kishte konsumi dhe eksportet. Treguesi tjetër i rëndësishëm i prekur në mënyrë indirekte nga kriza është G, pra shpenzimet publike. Them në mënyrë indirekte, pasi me fillimin e krizës ekonomike, qeveria shqiptare, për të stimuluar ekonominë, filloi të bënte investime në infrastrukturë me anë të borxhit publik, kjo nga një anë pati impakt pozitiv në rritjen ekonomike, por më vonë filloi të vërehej një rritje e menjëhershme e borxhit publik, duke kaluar kuotën e 70%, i cili ka një kosto shumë të lartë në interesa, barra e të cilave po bëhet gjithmonë e më e rëndë e mbi të gjitha i “lidh” duart qeverisë aktuale në përdorimin dhe financimin e investimeve publike me anë të borxhit.
Masat që duhen ndërmarrë për të dalë nga kriza
Para se të flas për daljen nga kriza, do të doja ta nisja këtë pjesë me një thënie të shkrimtarit francez Chamfort, i cili thoshte se, ekonomistët janë anatomistë premtues e kirurgë zhgënjyes, pasi operojnë në mënyrë të përkryer të vdekurin e masakrojnë të gjallin. Doja të thosha që është e vështirë të japësh recetën e saktë për daljen nga kriza, pasi është njëlloj si të dish diçka para se të ndodhë. Megjithatë, mund të them se zgjidhja e krizës nuk mund të jetë as çështje makroekonomike as mikroekonomike, ajo është çështje mezoekonomike, pra një ndërthurje komplekse dhe natyrale midis familjeve, shoqërisë, tregut, institucioneve civile dhe atyre formale.
Pra, për të dalë nga kriza ekonomike, duhet me çdo kusht të stimulohen investimet në ata sektorë të ekonomisë që gjenerojnë punësim dhe prodhojnë për konsumin vendas, falë tyre do të hapen vende të reja pune dhe do të ketë rritje rroge, të cilat të dyja bashkë do të mbështesin konsumin në veçanti e kërkesën agregate në tërësi. Nevojitet një intensifikim dhe një stimulim i sektorëve prioritarë të ekonomisë, siç mund të jetë bujqësia për të rritur produktivitetin, prodhimin e më vonë edhe punësimin. Nxjerrja e vendit nga kriza ekonomike dhe mundësia për të pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm është sa shumë e thjeshtë për ta thënë aq dhe e vështirë për ta realizuar. Rolin primar e zënë investimet në sistemin ekonomik, të cilat garantojnë një rritje të eficiensës ekonomike dhe produktivitetit në punë (pra rritja e rrogave dhe cilësia e jetesës) dhe mbi të gjitha krijojnë kushtet e nevojshme për ndryshimin e strukturës ekonomike, duke realizuar një vizion strategjik të ri që u jep jetë sektorëve prodhues me një përdorim më të gjerë të teknologjisë. Gjithashtu, rritja e prodhimit dhe e produktivitetit në punë do të konvergjojë në një ndikim më të madh në rritjen e buxheteve familjare të qytetarëve dhe për rrjedhojë, në një rritje të ndjeshme të nivelit të jetesës të konsumatorëve shqiptarë, pse jo dhe të uljes së varfërisë në zona të ndryshme të vendit. Për më tepër, rritja e prodhimit dhe e produktivitetit do të shkaktonte ulje të importeve dhe njëkohësisht një ulje të çmimeve në treg, kjo do të shoqërohej me një rritje të konkurrueshmërisë së produkteve “Made in Albania”, pra me një përmirësim të balancës tregtare.
Për të konkluduar, mund të them se dalja nga kriza do të arrihet vetëm me rritjen dhe orientimin e investimeve nga ana e shtetit në ata sektor të ekonomisë që gjenerojnë punësim e më vonë duke ju lutur konsumatorëve të konsumojnë, konsumojnë dhe vetëm të konsumojnë.