Intervista

Eglantina Gjermeni: Di të jem e fortë, me fjalën e butë

91440_2NGA REZARTA DELISULA

Dhe pse në dukje e brishtë, ajo di t’u shkojë deri në fund an gazhimeve të marra. Jeta i ka ndryshuar shumë pas marrjes së detyrës më të lartë që ka pasur deri më sot, por me thjeshtësi tregon se u ka hyrë në hak familjes e miqve në kohën që u jep. E të jesh ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të thotë të jesh gjithmonë nën alert, për të hartuar strategji, për të punuar fort, sepse turizmi është sektor kyç në ekonomi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Eglantina Gjermeni tregon disa detaje të jetës së saj, momente të rëndësishme e hapat konkretë që do marrë për përmirësimin e turizmit në vend…
Zonja ministre, ju vini nga fusha e mbrojtjes së gruas, ndërsa tani jeni në krye të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, dy fusha po kaq delikate; mund të na bëni një rezyme të punës suaj? 
Background-i im janë Shkencat Sociale. Çështjet dhe problematikat e grave kanë qenë përparësi e punës sime, por kam qenë e përqendruar, veçanërisht në çështjen e mundësive të barabarta, barazinë gjinore, promovimin e grave dhe vajzave në shoqëri. Më gjerë akoma, background-i im më ka ndihmuar të shikoj më gjerë çdo problem me të cilin përballem. Ky këndvështrim social më ka mësuar të jem gjithnjë në anën e njerëzve, qytetarëve dhe problematikave të tyre dhe mendoj se është udhërrëfyesi i duhur për Zhvillimin Urban dhe Turizmin. E theksoj, Zhvillimi i Territorit, Zhvillimi Urban në përgjithësi është parë dhe shikohet si një çështje teknike, por në fakt realiteti tregon se ka lidhje të drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve, me kohezionin social, mënyrën se si grupe të ndryshme bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë. Edhe Turizmi, nga ana e tij lidhet ngushtësisht me fushën sociale, sepse ndikon drejtpërsëdrejti në uljen e varfërisë, krijimin e vendeve të punës, rritjen e mirëqenies. Tashmë, jam e bindur se këndvështrimi social më ka ndihmuar për t’i parë të dyja fushat, apo se si ndërveprimi i tyre ndikon direkt në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarit.
Një grua si ju, një grua e punës mund të ketë shumë zgjedhje, përse zgjodhët Partinë Socialiste? 
E kam shprehur këtë në disa intervista. Nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje se një ditë do të hyja në politikë dhe kjo ka qenë dilema më e madhe. Sa i takon zgjedhjes, nëse do të ishte Partia Socialiste apo një parti tjetër, nuk kam pasur asnjë mëdyshje. Kjo zgjedhje erdhi natyrale, nëse u referohem bindjeve të mia në familje si dhe filozofisë në përqasjen që unë kam në jetë; krah njerëzve në nevojë dhe të gjithë atyre që duan mbështetje. Partia Socialiste është një parti, e cila përfaqëson interesat e një pjese të mirë të qytetarëve, kërkon cilësi më të mirë të jetës së tyre. Për sa thashë më sipër, e them me plot gojën: e gjej veten në këtë filozofi dhe përqasje.
Jeni prej dy mandatesh e zgjedhur nga populli. Në një vlerësim nga 1 tek 100, sa e obliguar keni qenë për zgjidhjen e halleve të tyre?
E kam të vështirë të jap një vlerësim për veten dhe për këtë, mendoj, duhen pyetur qytetarët që më votuan, mbështetën dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Ndoshta nuk mund t’ju jap një numër, por obligimi mbetet maksimal, për sa u përket angazhimit dhe përkushtimit, për t’u shprehur mirënjohjen dhe për t’ia shpërblyer besimin që kanë tek unë.
Turizmi është një drejtim i vështirë, sidomos kur bëhet fjalë për standardet; si do ta ndryshoni ju opinionin se në Shqipëri ka vende për t’u vizituar, por mungon kultura e duhur? 
Së pari, nuk mendoj se mund dhe duhet ta ndryshoj unë, si person, si ministre, apo ta bëjë këtë e vetme, ministria që unë drejtoj. Turizmi është sektori kyç i zhvillimit të Ekonomisë, i cili ka nevojë për një përqasje të integruar dhe për kontributin e të gjitha fushave të tjera, nëse duam vërtet të ketë zhvillim dhe standarde. Në momentin që flasim, mund të them se për gjithçka që po punon ministria, në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat, shoqërinë civile, kërkon që Turizmi të ketë një fizionomi tjetër, më të strukturuar, me një vizion të qartë, me standarde, të cilët e shndërrojnë Shqipërinë në një destinacion të preferuar dhe e bëjnë të konkurrojë në rajon dhe përtej tij. Ligji i Turizmit, që do të miratohet së shpejti, Strategjia që po punojmë dhe të gjitha iniciativat që kemi ndërmarrë, synojnë zhvillimin e një Turizmi me standarde në Shqipëri. Jo të gjitha ambiciet tona mund të realizohen menjëherë, sepse problematikat e shfaqura nga ky sektor në kaq vite janë shumë të gjera. Ne duam që vërtet Turizmi të konsiderohet prioritet dhe të gjithë sektorët e tjerë të punojnë dhe të ndihmojnë në zhvillimin e Turizmit, sepse është një sektor strategjik, që sjell më shumë të ardhura në ekonominë shqiptare.
Me detyrën e re keni hequr dorë nga mbrojtja e interesave të grave, apo përmes të qenit ministre, ia kujtoni çdonjërës se kush është e zonja mund të arrijë në këtë post? 
Numri i lartë i grave në pozicione vendimmarrëse në qeverinë “Rama” është treguesi i emancipimit, jo vetëm i gruas shqiptare, por të gjithë shoqërisë sonë, Partisë Socialiste dhe vetë Kryeministrit, që në momentin e parë kur përzgjodhi ekipin qeverisës. Mendoj, që ne që jemi ministre kemi shumë përgjegjësi, të cilat nuk janë tipike për gratë; p.sh. kemi Ministrinë e Mbrojtjes apo atë të Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Patjetër që ne kemi përgjegjësi si ministre, për të kryer shumë mirë punën tonë, për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve, por nga ana tjetër edhe si gra, modele që do të nxisim gratë e tjera, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe qeverisje. Kështu që, unë e konsideroj këtë si një përgjegjësi të dyfishtë, një nxitje për gratë e tjera, të cilat përpiqen, luftojnë, por nga ana tjetër, edhe krijimin e hapësirave që ne si ministre u japim vajzave dhe grave, por edhe burrave, pra të dyja gjinive, për të pasur një shoqëri të mundësive të barabarta.
Nuk janë pak vitet në politikë; cilin cilësoni momentin që ju ka bërë të ndiheni pa fjalë? 
E gjithë fushata e vitit 2013-të ka qenë një fushatë që nuk do të mund ta harroj kurrsesi. Ishte e mbushur me emocione të forta, me shumë angazhim, besim, mbështetje, shumë adrenalinë, ishte një moment që e kam përjetuar bukur, duke i shtuar gjithë kësaj edhe fitoren tonë spektakolare. E gjithë fushata, besoj, vështirë se mund të përsëritet, për bukurinë, dashurinë që mbarti, por edhe mbështetjen dhe besimin që morën. Them se e gjithë ajo periudhë arriti pritshmëritë dhe përgjegjësinë, më pas. Për mua, fakti që dola në një spot televiziv për fushatën për të kërkuar mbështetjen për programin e Partisë Socialiste dhe besimi që më dhanë qytetarët, janë të paharrueshme.
Sot jeni ministre, ndërsa dje një prej nesh, sa e njihnit Shqipërinë përpara? 
Nuk e njihja kaq shumë. Në përgjithësi, ne nuk e njohim shumë Shqipërinë, pak dimë për trashëgiminë kulturore, për historinë, për kuzhinën, për specifikat e çdo zone të vendit tonë. Në fakt, edhe kur kam punuar në Shoqërinë Civile kam udhëtuar shumë nëpër Shqipëri. Edhe tani si ministre, në çdo vizitë marr një befasi të këndshme. Shqipëria ka plot bukuri, ka shumë çfarë të ofrojë, ndaj them se duhet eksploruar më shumë, në radhë të parë nga vete ne, por edhe nga turistët që duan të na vizitojnë.
Cilat janë politikat tuaja për nxitjen e zhvillimit të turizmit? 
Përmenda pak më lart rishikimin e Ligjit të Turizmit, që kërkon vërtet të nxisë konkurrencën e ndershme dhe të krijojë standarde në ofrimin e turizmit. Kemi një dokument shumë të rëndësishëm, që po e përfundojmë, Strategjinë për Zhvillimin e Turizmit 2014-2020, ndërsa komponenti i tretë është një paketë lehtësirash administrative-fiskale, në bashkëpunim me Universitetin e Harvardit, një paketë nxitëse dhe mbështetëse. Ministria ka përgjegjësi të ndërtojë politika dhe të orientojë zhvillimin e Turizmit, por përgjegjësi kanë njësitë e qeverisjes vendore, sektori privat, të gjithë; universitetet, shoqëria civile etj. Unë dhe ministria që drejtoj, i konsiderojmë të gjithë partnerë, në të gjitha nismat tona dhe në zbatimin e tyre. Në zhvillimin apo promovimin e Turizmit, bazohemi në peizazhin natyror, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen shqiptare. Përmes Strategjisë së Turizmit kërkojmë të nxisim më shumë zhvillimin e produktit turistik, sipas zonave të ndryshme. Pra, jo thjesht të promovojmë Shqipërinë dhe bukuritë e saj, por njëkohësisht të kemi edhe produkte turistike vendase, të cilat do të jenë specifike për zona të veçanta, ta promovojmë në çdo cep Shqipërinë. Sfida tjetër është kohëzgjatja e sezonit turistik, përtej muajve të verës, një turizëm gjithëvjetor, t’u krijojmë turistëve mundësi ta vizitojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit, të kemi jo vetëm turizmin e diellit dhe të rërës, por edhe atë të aventurës, kulturor dhe malor.
Mendoni se Shqipëria dhe hoteleria lë aq hapësirë sa të ngrihen në Shqipëri resorte të ngjashme si në Turqi, ku çmimi konkurron shërbimin? 
Besoj se Shqipëria i ka mundësitë dhe patjetër kërkon që të mirëpresë investitorë vendas apo të huaj që synojnë të tilla projekte. Për shkak të pozicionit gjeografik, identitetit tonë, mund të jemi vërtet unikë në rajon, duke konservuar dhe respektuar vlerat tona, gjithçka shqiptare me të cilën krenohemi. Sa i takon Turizmit, edhe përvoja nga vendet e tjera apo qoftë dhe në qeveritë e mëparshme, që mund të kenë qenë të gabuara, na bëjnë që të jemi vërtet të kujdesshëm. Ne duam zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, që të respektojë mjedisin, gjithçka që na rrethon, dhe të sigurojë vazhdimësinë dhe cilësinë e jetës, për ne dhe për brezat që vijnë.
Cili është vendi më i panjohur që keni parë dhe ju ka befasuar? 
Një nga vizitat që kam mundur të realizoj ishte ajo në Republikën Domenikane, për të parë përvojën e zhvillimit të turizmit dhe mënyrën sesi e kanë kthyer në një industri. Jam befasuar këndshëm, nga investitorë privatë në Republikën Domenikane, në Santa Domingo, në një vend që quhej Punta Cana, të cilët kishin blerë një tokë me shkurre dhe e kishin shndërruar në një vend të mrekullueshëm, që vizitohej nga miliona turistë. Përmes ndërhyrjeve që kishin bërë, kryesisht të sektorit privat, duke ndërtuar aeroportin e parë privat ndërkombëtar në botë dhe, së dyti, duke bashkëpunuar me hotelet më të mëdha në botë, për të zhvilluar turizmin. Brenda 10-15 vjetësh, nga një vend me shkurre, u shndërrua në një vend të jashtëzakonshëm. Kudo në botë ka modele; nga secili vend që ka turizëm të zhvilluar kemi çfarë të mësojmë, qoftë nga përvoja e tyre pozitive, qoftë dhe nga gabimet që kanë bërë, për të mos i përsëritur.
Çfarë mendimi keni pasur për një ministër para se të bëheshit ministre? 
Unë në përgjithësi, i shikoja si njerëz të largët, autoritarë, që merreshin shumë me burokraci dhe sikur krijonin një lloj largësie nga njerëzit, një pjesë e mirë, edhe të respektuar, por që ruanin distancën. Kështu i kam perceptuar më parë.
Fakti që jeni ministre, si ka ndryshuar kjo jetën tuaj familjare, apo edhe atë sociale, miqësore? 
E ka ndryshuar shumë në fakt. Më ka kufizuar jashtëzakonisht hapësirën, kohën që kaloja me familjen, por edhe hapësirën sociale për miqtë, të afërmit, dashamirësit. I jam mirënjohëse familjes, jashtëzakonisht. Nuk e mendoj dot kurrë që do ta bëja këtë pa mbështetjen e tyre. Unë u kërkoj shumë ndjesë, se i hyj shumë në hak, por edhe miqve dhe mikeshave të mia, me të cilët, vërtet kam kohë që nuk pi kafe, por uroj që të më mirëkuptojnë. Ruajtja e ekuilibrit mes jetës personale dhe familjare, është një sfidë për çdo njeri, por më shumë ndihet tek gratë; sa më lart rritet niveli i hierarkisë ku bëjnë pjesë, aq më me vështirësi është të ruhet balanca. Megjithatë, dua të them se fakti që jam këtu, është një gjë shumë e bukur, një vlerësim dhe një përgjegjësi shumë e madhe, një përvojë e jashtëzakonshme, nga e cila mësoj çdo ditë dhe ndihem mirë për çfarëdolloj gjëje, sado të vogël, që mund të bëjmë në shërbim të qytetarëve, për të përmirësuar jetën e tyre.
Çfarë urimi ju ka bërë më shumë përshtypje kur u emëruat në këtë post? 
Urimet që shumica e njerëzve më thoshin: “Përpiqu mos të ndryshosh dhe përpiqu të jesh vetvetja”.
Si e kanë përjetuar në shkollë fëmijët tuaj faktin kur ishit deputete; është respekt, apo kanë pasur ngacmime herë pas here? 
Përveç pozitives, mund të ketë pasur momente që kanë qenë thjesht neutrale. Edhe në atë periudhë, dua ta theksoj, nuk ka qenë periudhë e lehtë. Ruajtja e ekuilibrit që fola më parë, edhe të qenurit deputete apo deputete e opozitës ishte pak impenjative. Sigurisht, nuk krahasohet me të qenurit ministre, po patjetër që edhe ajo kishte sfidat e saj.
Pamja juaj reflekton brishtësi, ndërkaq ju jeni grua që kur flisni i tregoni vendin gjithkujt… 
Të them të drejtën, shpeshherë njerëzit më konsiderojnë si një njeri të butë. Po, jam e butë, por mendoj që më shumë jam e edukuar dhe di të komunikoj mirë me njerëzit, pa i ofenduar, të jem e ndjeshme ndaj problematikave të tyre. Shpeshherë kjo merret për dobësi, më ka ndodhur edhe të jetë keqpërdorur. Ndërkohë, që jo gjithmonë, mendoj, kam arritur t’i tregoj vendin çdo njeriu, siç mund ta ketë merituar. Përpiqem që t’i them gjërat ashtu siç i mendoj, me edukatën që më kanë mësuar prindërit dhe që më karakterizon, megjithëse nuk besoj se kam shumë shanse në këtë moshë për të ndryshuar tiparet e personalitetit. Them që modeli që krijojmë përmes komunikimit është ai që ua imponojmë edhe të tjerëve. Sigurisht që marr edhe vërejtje se duhet të jem më e ashpër, madje edhe “të trash zërin”. Jo se nuk di ta bëj, e bëj, dhe në këtë pozicion që jam, mesa duket, duhet ta bëj pak më shumë seç e kam bërë përgjatë jetës sime.
Bashkëshorti juaj, ju ka mbështetur në zgjedhjet që keni bërë? 
Patjetër që po! Jo domosdoshmërisht para marrjes së vendimit kam marrë mbështetjen maksimale, por kur është marrë vendimi, mbështetja ka qenë maksimale.
Në 24 vjet demokraci të gjithë mendojmë “a si foli kjo, unë do e kisha bërë më mirë”; ju, çfarë do të donit të bënit më mirë sesa paraardhësit? 
Para se të vish në këtë pozicion, ke dëshirë dhe mendon se do të bësh jashtëzakonisht shumë gjëra. Në këto 23 vite mund të bëheshin gjëra shumë të mira. Jam dakord, është e lehtë të kritikosh, puna është çfarë mund të bësh vetë kur e ke përgjegjësinë dhe të mos thuash çfarë nuk kanë bërë të tjerët, prandaj, nuk do të hyj tek ajo pjesë. Ajo që do të bëja ndryshe, është që angazhimi dhe përkushtimi do të jenë sikur te ishte dita e parë e punës. Pjesa tjetër është përfshirja e të gjithëve në punën time; stafeve, grupeve të interesit, këshillimi me ekspertë, me profesionistë, për të marrë vendime që të kenë ndikim pozitiv, afatgjatë, në përfitim të qytetarëve.
Nëse do të kishit mundësi të orientonit fëmijët tuaj, do e ngrinit zërit për t’u thënë që me heshtje nuk arrihet asgjë? 
Do të doja që fëmijët e mi, mbase, për të mbijetuar në një realitet që s’është kaq i lehtë, t’i thonë gjërat më fort, jo domosdoshmërisht të ndjekin modelin tim si më të suksesshmin. Dua në radhë të parë të jenë vetvetja, e dyta të jenë më këmbëngulës, në kuptimin e të thënit të gjërave në kohën dhe mënyrën e duhur, pa lënduar dhe pa ofenduar askënd. Kur të thonë diçka, të artikulojnë atë që mendojnë. Megjithatë është e vështirë, se fëmijët, e para, trashëgojnë genin, e dyta, modelin brenda familjes. Mendoj që brezat vijnë duke u përmirësuar dhe përvojat me të cilat përballen do t’i bëjnë më të zotët e vetes.
Si është një ditë e juaja sot? 
Asnjëra nuk i ngjan tjetrës, për shkak të intensitetit, angazhimeve, orëve të zgjatura, por sigurisht që mbart emocione pozitive.
Marrëdhëniet tuaja me Edi Ramën? 
Marrëdhënie që kanë si bazë besimin dhe respektin. Jam ndjerë gjithmonë e vlerësuar dhe e mbështetur nga Kryeministri, siç kam ndjerë edhe besimin dhe pritshmërinë e lartë për angazhimet e marra. Përmbushja e pritshmërive dhe justifikimi i këtij besimi mbeten një sfidë jo e lehtë për mua.
Si e konsideroni luftën, opozitë, ndryshim faktorësh apo qëllimesh?
Nuk mendoj se është ndryshim faktorësh, sigurisht me filozofi dhe përqasje të ndryshme. Nëse konflikti politik do të kishte rezultuar i suksesshëm në këto 23 vite, atëherë situata në Shqipëri do të kishte qenë ndryshe. Por kur është fjala për çështje si interesi kombëtar, integrimi europian, çështje të cilat i kapërcejnë apo duhet t’i kapërcejnë kufijtë politikë, mendoj se hapësira e bashkëpunimit është e jashtëzakonshme. E rëndësishme është të kemi sy ta shikojmë dhe ta materializojmë, të dyja palët.
Çfarë do të doje të arrije, cili është qëllimi yt, ku do të ndiheshe më mirë? 
Ajo që më pëlqen zakonisht në jetë është të bëj maksimumin në çfarëdolloj pozicioni që kam pasur dhe kam. Gjithmonë mundohem që, përkushtimi dhe dashuria me të cilën e bëj punën, të jenë në nivelin më të lartë. Jam e ndërgjegjshme që pozicioni është i përkohshëm, mendoj që me të njëjtën dashuri e përkushtim unë kam bërë edhe punën e pedagoges, edhe punën e drejtueses së një organizate, edhe atë të deputetes apo sot detyrën e ministres. Do të bëj gjithmonë më të mirën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button