Ekonomia ecën vetë, thjesht mos e pengoni!
Rritja ekonomike botërore ishte e vakët gjatë vitit 2016 për shumë arsye të cilat variojnë sipas rajoneve. Në përgjithësi, faji është i rregullimeve strukturore në shumë vende, përpjekjeve për të rregulluar mbikapacitetin, katastrofave natyrore, ngjarjeve gjeopolitike, si Brexit, tentativës për grusht shteti në Turqi dhe luftës civile të vazhdueshme në Siri, duke u shtuar këtyre dhe pasiguritë lidhur me zgjedhjet presidenciale amerikane, së bashku me ndryshimet e mundshme politike në Shtetet e Bashkuara dhe shumë ekonomi të tjera të mëdha. Të dhënat e krahasueshme tregojnë se ekonomia globale është rritur me 2.6% vit pas viti në tremujorin e tretë dhe mbetet në një rritje vjetore për 2016-n prej 2.5%, në të njëjtën linjë me parashikimet.
Megjithatë, shpenzimet e rritura do të shkaktojnë një përkeqësim të përgjithshëm për sa i përket pozitës fiskale në 2017. Shumë shtete po mbështeten në caktimin e masave të reja të shpenzimeve me rritjen e shpejtë dhe përmirësimit të mbledhjes së taksave, fusha të cilat kanë zhgënjyer në të shkuarën. Armiqësia ndaj disa prej politikave të BE-së, veçanërisht mbi emigrimin, është shoqëruar me një populizëm të shtuar në shumë vende të EQL-së, duke krijuar tension me të tjerë anëtarë të vendeve të BE-së. Pasiguria politike mbetet e lartë në Turqi pas tentativës për grusht shteti. Pasojat nga spastrimi i sektorit publik do të jenë më të dukshme në 2017-n. Reforma kushtetuese ka zhvendosur axhendën e qeverisë dhe tensionet gjeopolitike kanë gjithashtu gjasa që të zgjasin.
Analistët parashikojnë që rreziqet e jashtme në ekonominë e Europës Lindore do të jenë të shumta përgjatë 2017-s. Rezultati befasues i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara së bashku me negociatat e tensionuara të daljes së Britanisë nga BE-ja do të rrisin paqëndrueshmërinë në tregjet financiare dhe do të peshojnë mbi monedhat dhe asetet në të gjithë rajonin. Zhvillimet politike, brenda dhe jashtë një vendi, mund të gjenerojnë pasiguri politike dhe të ndikojnë në performancën ekonomike. Faktorë kyç në rajon do të jenë populizmi politik që mund të zhvlerësojë besueshmërinë kreditore dhe proteksionizmi i shtuar në tregti.
…Shqipëria, pavarësisht mjedisit të pasigurt global, duket se po shkon drejt një cikli rritës. Një cikël ky që po orientohet nga vetë sipërmarrjet që po ndjekin kërkesën dhe trendin më të fundit (shiko specialen në faqet e brendshme të revistës). Lulëzimi i kërkesës për turizëm, i ndikuar nga faktorë të jashtëm (kriza në Turqi) po nxit investimet në ndërtimin e hoteleve dhe pritet të shtojë hyrjen e valutës në vend. Bizneset, të gjendur përballë konkurrencës, po investojnë në teknologji, me synim rritjen e produktivitetit. Sipërmarrësit e sektorëve në maturim (si ndërtimi) po gjejnë vetë shtigje të reja për të diversifikuar portofolin. Individët po tentojnë startup-et teknologjike për të amortizuar krizën që po vuajnë bizneset tradicionale të tregtisë e shërbimeve.
Shpirti sipërmarrës i shqiptarëve nuk ka munguar asnjëherë. Ata kanë ditur të marrin veten nga goditja të tilla si e 97-s, nga “presionet” që u bëjnë shtetet fqinjë të frikësuara se po u marrin vendet e punës (kujtojmë rastin më të fundit me call center në Itali), nga negociatat e pastudiuara për hapjet e tregjeve për hir të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, nga monopolet e fshehura të mbrojtura nga politikanët, nga presionet fiskale, nga mungesa e infrastrukturës së përshtatshme e kështu me radhë.
Është qeverisja ajo që jo vetëm nuk ka arritur t’i shkojë mbrapa biznesit, por shpesh i ka vënë shkopinj në rrota atij. Rritja e barrës fiskale vitet e fundit është kthyer thjesht në një bumerang, teksa jo vetëm nuk ka sjellë më shumë të ardhura në buxhet (në 2015-n të ardhurat në raport me prodhimin e brendshëm bruto ishin 23.8%, nga 24% vitin e mëparshëm), por ka penguar bizneset të rriten e të investojnë.
Fatkeqësisht, e njëjta sjellje po vazhdon. Ndonëse të kujdesshëm në një vit elektoral, për të mos rritur taksat direkte, ato indirekte po vijojnë të shtohen, si paga minimale, apo shtrenjtimi i tarifave të energjisë, në emër të liberalizimit të tregut. Dhe reagimi i bizneseve, në mbrojtje të investimeve të tyre, është i hidhur për ekonominë. Sipërmarrësit e fasonit deklarojnë se ata nuk kanë në plan që të hapin vende të reja pune këtë vit. Të lodhur nga barra fiskale, nga krizat e pafund politike, nga ndryshimet e pafund të legjislacionit, nga paqëndrueshmëria e politikave që ndiqen, bizneset priren të shtyjnë projektet për investime të mëdha, që nënkuptojnë më pak vende pune të hapura, por edhe më pak taksa të paguara.
Është koha për ta lënë biznesin “të qetë”. Shteti të kujdeset të bëjë vetëm detyrën e vet, të krijojë një mjedis fiskal të qëndrueshëm e të parashikueshëm, të shpenzojë me eficiencë, të përmirësojë infrastrukturën. Ekonomia ecën vetë përpara, thjesht mos e pengoni!