Opinion

Eksperimenti Kosovë

Flaka Surroi
Flaka Surroi

Kosova e dekadave të fundit ka shërbyer si mi laboratori. Zëvendësimi i njërit mision me tjetrin e kanë sjellë atë në pikën ku ajo vetë nuk ka kaçik as ta mbajë e as ta zhvillojë shtetësinë e vet

Kur në shtator të vitit 1991, arsimtarët dhe profesorët shqiptarë të Kosovës kishin refuzuar të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë shtetit të Serbisë, regjimi i Millosheviqit kishte vendosur t’i mbyllte të gjitha shkollat fillore, të mesme, si dhe fakultetet për nxënësit e studentët shqiptarë. Atëbotë ajo që njihej si alternativa politike kosovare, e që më vonë u quajt lëvizja paqësore për pavarësi, u gjet para një dileme të madhe: si të tregonte mosnënshtrim qytetar ashtu që do ta organizonte mësimin në atë që quhej “sistem paralel i arsimit”, ku do të përfshiheshin madje 400 mijë nxënës e studentë në të gjitha nivelet e shkollimit.

Dikujt iu kujtua t’i qasej një eksperimenti. Në mesin e ideatorëve të këtij plani kishin qenë Fehmi Agani e Halim Hyseni – dhe u kërkoj falje të tjerëve që nuk i përmend, sepse nuk jam shumë e sigurt se do të dija t’i përfshija të gjithë. Kjo për shkak se as gati 25 vjet pas krijimit të këtij sistemi nuk kemi parë të jetë botuar bile një monografi nga Ministria e Arsimit, në të cilën do të dokumentohej mundi që e shpëtoi arsimin kosovar. E me të edhe mbijetesën e gjuhës dhe kulturës në Kosovën e okupuar.

Sido që të jetë, në atë kohë u vlerësua se nuk kishim çfarë të humbnim po qe se provonim të organizonim arsimin nëpër shtëpi private, përderisa objektet shkollore jehonin të zbrazura. E po qe se nuk i qaseshim eksperimentit, kishim shumë për të humbur: një brez të tërë fëmijësh e të rinjsh që mbeteshin madje pa një arsimim bazik.

Eksperimenti i shtëpive-shkolla funksionoi duke iu falënderuar rrethanave në të cilat u gjendëm dhe natyrisht, duke iu falënderuar diasporës që e financoi atë për gati një dekadë. Funksionoi se të gjithë e kishim një armik të përbashkët që nuk donte që ne të mbesnim në tokën tonë. Sepse treguam të kishim shumë solidaritet në kohë krize dhe se besonim se “nesër do të bëhej mirë”.

Eksperimenti i emergjencës

Nesër u bë më mirë – kur përfundoi lufta. Ushtria e policia serbe u dëbuan nga ushtarët e NATO-s, aeroplanët e të cilit kishin bombarduar gati dy muaj e gjysmë rresht, për të na shpëtuar nga shfarosja dhe dëbimi i përjetshëm.

Erdhën të huajt, na dhanë siguri fizike, dhe na e vendosën administratën ndërkombëtare. Jo fort me ide të qartë se si t’i qaseshin terrenit të panjohur, vendosën të eksperimentojnë me një diçka që u quajt UNMIK. Një konglomerat njerëzish e idesh që kishin vendosur të nisnin nga zeroja aty ku duhej e ku s’duhej. Sepse nuk dinin me kë të këshilloheshin ose pse mendonin se ky vend nuk kishte pasur asnjë send para se të vinin ata. Njësoj sikurse thotë elita e re politike e Kosovës, historia niste me ta.

Ç’është e vërteta, eksperimenti UNMIK nuk është se nuk kishte arritur të bënte bile diçka. Megjithatë ia kishte dalë ta bënte rindërtimin e Kosovës; të organizonte zgjedhje të lira; ia kishte dalë të organizonte një shërbim civil, ani se me kritere të improvizuara dhe jo në kërkim të cilësisë; ia kishte dalë t’i bindte kosovarët se po ua transferonte fuqitë, përderisa e ruante të drejtën e vetos për shefin e misionit, përkatësisht shefin e zyrës së tij ligjore; kishte formuar trupë policie; kishte riaktivizuar gjykatat, porse edhe këtu me telashe ligjesh të aplikueshme e rregulloresh të mangëta…, por megjithatë kishte krijuar njëfarë bindjeje se posa të shkonte UNMIK-u, gjërat do të mund të përmirësoheshin, sepse ne do të vendosnim për vete.

Por atë që në fakt e bëri UNMIK-u ishte që të toleronte shfaqjen dhe kultivimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duke u ikur konfrontimeve me njerëzit e fortë të ish-UÇK-së, ishte munduar t’ua akomodonte dëshirat duke i mbyllur sytë para të bëmave të tyre. Së pari, kërkoi çmilitarizimin e tyre për ta formuar TMK-në me 5 mijë pjesëtarë. Tash, kur po e dëgjoj se Kosova paska pasur mbi 25 mijë veteranë të UÇK-së, po e shoh se pak demilitarizim paska bërë. Apo është se po gënjejnë shumë prej atyre që u është njohur statusi. Kush e di. Me gjasë këtë do ta marrim vesh posa të na formohet edhe Ministria për Veteranët, me në krye Agim Çekun – sepse Qeveria aktuale, e vogël çfarë është, ka nevojë për përkrahje veterane.

Sistemin gjyqësor që e aktivizoi duke i futur në punë gjykatës të huaj e vendorë e bëri të paaftë dhe të paguximshëm për të marrë vendime në bazë të ligjit. Për më tepër, i bëri pjesëtarët e saj po aq kriminelë sa ata të cilët duhej gjykuar: se me moszbatimin e ligjit, edhe këta vetë ndihmonin që krimi të lulëzonte. Bëri që në çastin kur u tërhoq, t’i linte mbi një çerek milioni lëndësh të pazgjidhura dhe, për më keq, të patrajtuara.

E instaloi një sistem shumë të keq të privatizimit dhe ua mundësoi përvetësimin e aseteve publike personave me para të dyshimta, ani se të pakta. Me atë sistem e krijoi një kastë të re shoqërore: të milionerëve që deri dje as brekë në bythë nuk kanë pasur. E për ta ushqyer këtë kastë edhe më, e krijoi një sistem të vjeljes së taksave që më shumë u shqua për evazion fiskal, sesa për mbledhje parash që do të krijonin vende të reja pune. Varfërinë e skajshme e mbajti në 12% e të përgjithshmen në 40%. Njësoj sikurse edhe papunësinë, për shkak se mundësoi që punëdhënësi më i madh i Kosovës të ishte sektori publik.

Eksperimenti u tregua i suksesshëm në dy vjetët e parë të emergjencës. Vitet tjera na lënë të shpresonim se kur të shkojnë këta do të bëhej më mirë.

Eksperimenti i pavarësisë

U shpall Pavarësia, e UNMIK-u shkoi e nuk shkoi. Teknikisht më nuk ka prerogativa ekzekutive, por ende sillet vërdallë. Pos obligimit që rrjedh nga Rezoluta 1244, nuk e di arsyen tjetër pse.

Nejse. Në vend të UNMIK-ut erdhi Zyra Civile Ndërkombëtare për të na e mbikëqyrur Pavarësinë. Na i procesoi me shpejtësi të dritës nja 100 ligje, prej të cilave kush e di sa nuk gjenin zbatim; na e la një Kushtetutë, e cila për fat të keq ka lënë aq shumë hapësirë për interpretime sipas qejfit të gjykatësve të Kushtetueses, sa më shumë i ngjet një shoshe sesa një dokumenti bazik. Nuk diti ta parandalonte një sistem të përkryer të vjedhjes së votave, për shkak se me inercinë e UNMIK-ut zgjodhi t’u bindej kërcënimeve të elitës politike, se po s’fituan ata, do të destabilizohej situata jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Në kushtet e të vëzhguarit nga kulla e rrethuar me shumë tela gjemborë e policë, lejoi që dizginat t’i merrnin në duar diplomatët e huaj që do të vendosnin si për përbërjen e Qeverisë, Kuvendit, ashtu edhe për dukjen e flamurit shtetëror. Lejoi madje që me SMS të zgjidhej një kryetar shteti – që më vonë me vendim të Kushtetueses as ishte e as nuk ishte kryetar. Dhe kur ky u shpall “nul”, lejoi që ambasadori amerikan të na shndërrojë në laborator të një eksperimenti të ri: të na e nxirrte kryetaren nga zarfi.

Se sa i pasuksesshëm ka qenë eksperimenti i Dellit e ka dëshmuar e gjithë rrëmuja të cilën e krijoi kryetarja pas zgjedhjeve vjet e edhe sivjet me zgjedhjen e kryeprokurorit. E për këtë të fundit, mjafton të lexohet vetëm një citat i asaj që e ka thënë publikisht: “Për mua është një proces, i cili nuk ka të bëjë me…, nuk ka të bëjë me individin por ka të bëjë me një procesin që ka të jetë, një proces që mund të jetë,… (nuk kuptohet), një proces që duhet të jetë…, kredibil. Çështja e zgjatjes dhe stërgjatit nuk është e lidhur me zyrën time, sepse ju e dini, e thatë edhe vetë me herët që aspekti i…, të qenit të një ushtruesi të detyrës, apo që kryeprokuroria e shtetit ka me një ushtruesi të detyrës që afër një vit me radhë, është një proces i problemeve të brendshme që hyn në kuadër të kryeprokurorit të shtetit, në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili une besoj që shumë shpejt këto probleme do të adresohen dhe do të zgjidhen sepse kjo është në interes dhe në funksion, në funksion të funksionimit të mirëfilltë të këtij institucioni të Këshillit Prokurorial të Kosovës”. Kësaj i thonë fol shumë e mos thuaj asgjë.

ZCN-së i erdhi në ndihmë EULEX-i. Misioni më i madh i sundimit të ligjit që ka pasur Evropa ndonjëherë. Madje tre mijë njerëz që do t’ia rregullonin hesapet Kosovës me drejtësinë. Bile kështu na ishte thënë. Por ja që sot, shtatë vjet më vonë, e kuptuam se EULEX-i në fakt na ishte një eksperiment. Dhe nëse nuk e keni ditur, EULEX-i është mision për menaxhim të krizave. Dhe këtë nuk po e them unë, por njeriu që “vështirë e asimilon stresin”, shefi aktual i EULEX-it, i cili në “Rubikon” e tha tekstualisht këtë: “Kur erdha në Kosovë, lexoja nëpër mure EULEXperiment… më pëlqeu dhe kur shkova në zyrë pyeta se ç’është puna e këtyre grafiteve, e stafi më tha: ‘Këto janë kundër nesh’, e unë iu thashë pse, kur ne jemi eksperiment… EULEX-i është, sikurse edhe të gjitha misionet e tjera të BE-së, mision për menaxhimin e krizave”.

Pra eksperiment i dështuar, që na i ka hëngër gjashtë vjet. Tash kur po e dinë të gjithë se EULEX-i ka qenë një debakël absolut që ia ka gëlltitur gjithë ato para Evropës, tash e kuptojmë, nga vetë shefi i misionit se Evropa nuk e ka pasur seriozisht kur e paska dërguar misionin këtu. Sepse pos që ky njeri tregoi se nuk kishte informatë bazike për Kosovën, u përpoq ta shpëlante misionin duke e thënë edhe këtë: “…Sinqerisht a e besoni se 60 njerëz mund ta ndërrojnë një shoqëri? Se 40 gjyqtarë dhe 20 prokurorë mund t’i ndërrojnë një milion e gjysmë banorë?

Me siguri se kishin mundur ta ndërronin shoqërinë, po të kishin qenë të ndershëm dhe profesionistë pa agjenda politike. Sepse i kanë pasur të gjitha parakushtet për t’i zënë peshqit e mëdhenj që vetë i kanë shpikur si term. Porse qëllimi i misionit nuk paska qenë ky. Në fakt, në teorinë më të pastër të konspiracionit, paska qenë mjet për t’i shantazhuar peshqit e mëdhenj që t’u futen negociatave me Serbinë pa e ditur as pse; paska qenë mjet për ta mbajtur Kosovën në krizë të përhershme, për ta arsyetuar ekzistimin e vet; apo edhe mekanizëm, i cili do të ketë mundur t’i pasuronte edhe gjyqtarët e huaj, të cilët ishin në gjendje ta miratonin një aktgjykim dënues për vepër penale të abuzimit me detyrën në vlerë prej 60 milionë eurosh, e që për këtë të shqiptonin dënim prej 2 vjet e gjysmë burgimi me kusht. Kalemi me gjasë ua ka qitur hesapin shumë mirë.

Përfundimisht, paska qenë urë për të arritur te Gjykata Speciale, e cila tash duhet të merret me rastet që është dashur vetë EULEX-i të merrej. Për të treguar se Kosova vetë nuk ka kaçik as ta mbajë e as ta zhvillojë shtetësinë e vet.

Paska qenë mënyra më e shtrenjtë për ta kurorëzuar atë që në bashkëpunim me politikanët tanë dhe me popullin inert kanë bërë nga Kosova: një eksperiment të keq. Pothuajse të dështuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button