MaqedoniaRajoni

Ekspertët amerikanë për krizën në Maqedoni

Kriza politike në Maqedoni vazhdon dhe dy ekspertë amerikanë po shprehin shqetësim për gjendjen e krijuar në vend. Daniel Serwer dhe Edward Joseph, që i kanë ndjekur zhvillimet në Ballkan prej vitesh, thonë se veprimet e politikanëve të vendit po sjellin pasoja për qytetarët dhe se perëndimi është i zhgënjyer. Ata folën me kolegun e shërbimit maqedonas Jane Bojadzievski.

Me gjendjen politike të krijuar në Maqedoni, analisti Daniel Serwer, i Universitetit “Johns Hopkins” thotë se si Uashingtoni, ashtu Brukseli, mendojnë se ky është një moment për të ardhur keq për vendin.

“Asnjëri prej tyre nuk do të shtrojë tapetin e kuq për asnjërin nga protagonistët kryesorë të gjendjes aktuale të krijuar në Maqedoni. A do të vendosin apo jo sanksione, është një pyetje më e vështirë. Kam dyshimet e mia për këtë. Por ata nuk do të mirëprisnin vizita të nivelit të lartë, as nga qeveria, as nga opozita e Maqedonisë”.

Një takim i katër drejtuesve të partive politike në Maqedoni me Komisionerin e Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, dështoi pasi drejtuesi i opozitës, Zoran Zaev tha se nuk do të merrte pjesë për shkak të faljes nga Presidenti Gjorge Ivanov të një numri politikanësh dhe bashkëpunëtorësh të tyre të dyshuar për manipulime zgjedhore, korrupsion dhe vepra të tjera penale.

Zoti Hahn shkruajti më pas në një letër  se “në mungesë të përparimit, komuniteti ndëkrombëtar detyrohet të shqyrtojë masa të tjera për plotësimin e kërkesave nga institucionet evropiane”.

I pyetur se sa realiste mendon ai se mund të jetë mbajtja e zgjedhjeve më 5 qershor, zoti Serwer thotë se nuk është i sigurt.  Ai shton se në përgjithësi solidarizohet me njerëzit që duan një shoqëri më të lirë dhe më të hapur, me më pak korrupsion dhe shkelje.

“Por nga ana tjetër nuk kam simpati për njerëzit që nuk duan të shkojnë në zgjedhje për të demonstruar forcën e tyre politike dhe në këtë kuptim, bojkotimi është nga perspektiva amerikane është një metodë shumë dritëshkurtër dhe kundërproduktive”.

Sipas mendimit të tij opozita megjithëse ka arritur të nxjerrë në rrugë një numër të madh njerëzish, ka frikë se do t’i humbiste zgjedhjet dhe se politikisht Gruevski është ende shumë i fuqishëm.

Ndërsa Edward Joseph, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Current World Affairs,  thotë se çdo qytetar në Maqedoni duhet të jetë i shqetësuar për këto çështje serioze dhe se edhe  mundësia e sanksioneve ekziston.

“Unë e konsideroj këtë momentin e së vërtetës për Maqedoninë pas vendimit krejtësisht të papërgjegjshëm të Presidentit Ivanov për të lëkundur dhe penguar procesin e prokurorit të posaçëm duke falur ata që do të ishin përfshirë. Kjo është absolutisht e turpshme”.

Në Maqedoni ka pasur protesta me pjesëmarrjen e disa mijëra qytetarëve, pas vendimit të Presidentit Ivanov. Ata mbështesin Prokurorinë e Posaçme, e cila ka hapur disa raste kundër ish-ministrave dhe funksionarëve në pushtet. Zoti Joseph shpreh zhgënjimin me gjendjen e krijuar.

“Maqedonia po rrezikon të shndërrohet në një republikë bananesh dhe qytetarët e Maqedonisë duhet të kuptojnë pasojat ekonomike, politike dhe përsa i takon imazhit, nëse këto lloj sjelljesh lejohen të vazhdojnë”.

Ai tha se shpreson që Brukseli dhe Uashingtoni të jenë duke bërë presion maksimal ndaj udhëheqësve të vendit, së pari sigurisht që Presidenti të kthehjë mbrapsht vendimin e tij “të papërgjegjshëm dhe sigurisht që të gjithë udhëheqësit të zbatojnë angazhimet e tyre”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button